KQZ: Në zgjedhjet e Kavajës hyn vetëm Partia Socialiste
As LSI, as Partia Demokratike dhe as Partia Republikane nuk kanë dërguar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve emrat për krijimin e KZAZ-ve. Kjo do të thotë se deri tani, strukturat e organizmit të zgjedhjeve kanë vetëm një anëtar, atë të Partisë Socialiste. Mospjesmarrja e dy partive opozitare ishte paralajmëruar më parë. Bie në sy vendimi i LSI për të mos dërguar përfaqësuesin e saj.
Fillimisht u mendua se LSI do të bojkotonte vetëm fushatën në zgjedhjet e pjesshme të Kavajës, por një njoftim i KQZ-së zbulon se tërheqja e LSI është edhe “de jure”.
“Të drejtën për propozuar anëtarë të KZAZ-së nr. 42, e kanë Partia Demokratike, Partia Socialiste, Partia Republikane dhe Lëvizja Socialiste për Intergim.
Pavarësisht se afati përfundimtar për paraqitjen e propozimeve për anëtarë të KZAZ-së nr. 42,është ditë e dielë, por ditë pune për Administratën e KQZ-së, deri tani këtë detyrim ligjor e ka përmbushur vetëm Partia Socialiste” thuhet në njoftim.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve njofton se do të presë deri të hënën për emrat e tjerë të nevojshëm për krijimin e KZAZ. Zgjedhjet e Kavajës pritet të zhvillohen në datën 7 maj.