Meta nuk i përgjigjet asamblesë socialiste
Sapo përfundoi Asambleja e PS-së, gazetarwt u njoftuan për një prononcim të Ilir Metës nga Fieri. U duk se kreu i LSI do t’i jepte një përgjigje ngacmimeve që i bënë socialistët këtë të dielë. Mesazhet që i dërguan në asamble ishin disa.
Që nga Edi Rama që tha se partitë e tjera duhet ta kenë për nder që futen në një aleancë me LSI. Nga Saimir Tahiri, që tregoi se çdo ditë dëgjon socialistët e thjeshtë që nuk e duan LSI në koalicion.
“Nuk ka ditë dhe takim që të mos dëgjoj nga një kërkesë apo lutje, mos hyni në zgjedhje me këtë apo atë parti dhe mos bëni koalicion me këtë apo atë parti. Nuk ka koalicion me të rëndësishëm se aleanca me shqiptarët. Edhe vetëm do të fitojmë, me të gjithë përballë, PS do të fitojë”, tha Tahiri.
Ishte edhe Taulant Balla, që i vuri kufirin te thana deputetëve që premtojnë se Ilir Meta do të jetë kryeministër pas 18 qershorit.
“Eshtë e sigurtë që zgjedhjet që kemi përpara janë aq sa të vështira, aq dhe të lehta. Për sa të vështira e thamë, por janë dhe shumë të lehta. Kandidojnë 2 kandidatë për kryeministër, jo më shumë. I pari dhe fituesi është Edi Rama; i dyti s’ka asnjë shans. Luli nuk ka shans, s’kemi çfarë t’i bëjmë. Ne jemi gati në 18 qershor për të fituar.
Mos harroni: Në 18 qershor ka zgjidhje, ka zgjedhje dhe ne do të fitojmë” tha Balla ne fjalen e tij ne Asamblene e PS.
Por Ilir Meta nuk foli nga Fieri. Anulloi prononcimin nga Fieri dhe në vend të tij doli Luan Rama. Nuk dihet çfarë kishte ndërmend të deklaronte Meta, por tërheqja e tij të kujton sërish paktin që ka me veten, se vendimet më të mira merren “Me qetësi”. Ky është një moment delikat për LSI dhe vetë Meta ka rrëfyer më parë se zgjedh të heshtë kur është nën presion. Me këtë situatë përkon një rrëfim i tij i bërë vitin e kaluar në një intervistë, kur thoshte se:
“Përvojat në të kaluarën më kanë mësuar se vendimet më të mira merren gjithmonë me qetësi. Se nervozizmi është këshilltari më i gabuar për një politikan, sepse duket kur reagon, sidomos nën ngacmime apo presione duket sikur ke dhënë përgjigjen e duhur apo ke dhënë zgjidhjen e duhur, por shpeshherë ndodh që ke bërë gabime të panevojshme dhe të duhet kohë t’i korrigjosh ato.
Duket sikur qetësia të merr më shumë kohë, por në fakt të ndihmon të fitosh kohën”.