Nga Dr. Mirela Oktrova: “Fajet” e pasqyrës…
Për çfarë, do thoni Ju… Po për gjithçka… Për gjithçka, që s’na pëlqen…
P.sh., e ardhmja është po aty ku ka qenë – ama pasqyra e vendos në të shkuarën; sistemi i vlerave nuk ka ndryshuar – po ajo i ndryshon renditjen; e mira dhe e keqja, janë po ato që kanë qenë, edhe kufiri midis tyre – po, parë nga pasqyra, ato thjesht këmbehen me njëra-tjetrën… Kështu me radhë: krimi dhe virtyti, e vërteta dhe gënjeshtra, e drejta dhe padrejtësia, rregulli dhe kaosi, engjëlli dhe djalli… shkurt gjithçka, që duket e tjetërsuar, buron nga iluzioni ynë i gabuar…
“Faji u bë qyrk e s’e veshi njeri”, -thotë populli. Po qyrku pa zot herë-herë e gjen atë që kërkon. Dhe rutina e gjatë e sjelljes shoqërore që origjinën e problemit nuk e kërkon te veprimi, po te perceptimi e gjen fajtorin jo te burimi, po te pasqyrimi, jo te vetvetja, po …te pasqyra…
Në fakt marrëdhënia me pasqyrën s’është fort punë e thjeshtë. Ajo ka kodet, orientimin dhe etikën e saj. Jo më kot fëmija i vogël, që mendon se brenda pasqyrës është një fëmijë tjetër, tenton të qeshë, të luajë apo ta rrahë atë… . Dhe kur vëren, se shoku i pasqyrës s’pushon së përqeshuri a kundërvëni në çdo lëvizje të tijën, turret ta ndjekë atë duke plagosur vetveten në kufirin e rrejshëm midis realitetit dhe virtualitetit… . Shkurt, e njëjta pasqyrë, që na ndihmon të plotësojmë dimensionin e munguar të perceptimit tonë, shndërrohet shumë shpejt në simbol të paaftësisë sonë për t’u orientuar të gjithëbotshëm… . Ndërgjegjja jonë sillet ngjashëm – kur realiteti që ka përballë nuk ofron asnjë dimension orientimi, ajo ose refuzon të hyjë në marrëdhënie me të, ose e sheh veten të përfshirë në një betejë me “mullinjtë e erës”, që jo vetëm i zhvat energjitë, por e bën dhe qesharake…
Po a është vërtet “pasqyra” apo perceptimi ynë për botën përgjegjës për mungesën e orientimit të individit në shoqëri? Apo mjedisi përreth ka ndryshuar vërtet shumicën e koordinatave, duke e vënë atë në një sfidë ekzistenciale?
Përmes shëmbëlltyrës në pasqyrën reale, secili prej nesh njeh personalitetin dhe identitetin e vet. Takimet me pasqyrën janë terapia jonë e parë – konfrontimi me të paditurat e vetvetes dhe perceptimin e të tjerëve për ne, me gjurmët e kohës dhe përparimin e moshës, me pamjen e lodhjes dhe të sëmundjes, me rënien e trupit dhe ndikimin e saj në “pamjen” e shpirtit. Por ne si shoqëri, pasqyra nuk na duhet as për t’u parë dhe as për t’u orientuar. Sa herë i dalim përpara, për të marrë ushqimin narcizist të radhës, ne nuk jemi në pritje të së vërtetës së saj, por të së vërtetës sonë… Ndaj nëse ajo që shohim në të nuk na pëlqen, e kemi zakon të mos i kthehemi vetes, por t’i biem pasqyrës…
Ngjashëm raporti ynë me ndërgjegjen apo pasqyrën virtuale. Ne përgjithësisht nuk e njohim veten – se nuk mundemi apo s’e refuzojmë ta bëjmë këtë. Nëse do ta bënim dhe do t’i kushtonim sadopak vëmendje mesazhit të pasqyrës reale apo virtuale që i rri përballë personalitetit tonë, hendeku midis asaj që shitemi dhe asaj që jemi do të dilte shpesh më i thellë, se hendeku midis nesh dhe reflektimit tonë në pasqyrë… . Po neve kjo nuk na intereson – nuk na intereson të njohim të tjerët dhe aq më pak të na njohin ata ne. Ne mjaftohemi me menaxhimin e interesave imediate apo afatshkurtra, bëjmë pazare dhe biem në ujdi, kërkojmë pushtet dhe ndajmë pasuri, po kurrsesi nuk na volet të dimë, se si dukemi ne në pasqyrat e të tjerëve, apo se si duken ata në pasqyrën tonë. Përfillja e pasqyrës apo zëri i të vërtetës mund të ishte fundi i biznesit, aleancës apo interesit. Ndaj kur pasqyra paralajmëron shëmti a përçudje, ves a paaftësi, molepsje a pabesi dhe lexon në fytyrën tonë frikë, babëzi apo nënshtrim – ne e injorojmë mesazhin e saj… Ama kur udha na pritet dhe bashkudhëtari na del kallp – goditjet, sërish i merr pasqyra…
Për kulturat antike, shëmbëlltyra e njeriut në pasqyrë ishte pasqyrimi i shpirtit të tij, po edhe kurthi ku ai mund të mbetej i lidhur pa shpëtim. Popujt e të gjitha kontinenteve besojnë, se çdo pasqyrë e thyer lidh në vetvete shpirtra dhe frenon të ardhmen për të paktën shtatë vjet. Në mërinë tonë të gjatë ndaj të vërtetave që s’na pëlqejnë, ne kemi thyer pafundësisht pasqyra dhe kemi groposur pafundësisht shpirtra të lirë…
Pasqyra ka vetëm një faj – ajo s’di të gënjejë!!!
Të gjitha fajet e tjera janë tonat!