Albspirit

Media/News/Publishing

Sekretari Tillerson viziton Turqinë në një moment kritik

Rex Tillerson po bën vizitën e pare si Sekretar Shteti në Turqi, një aleat kyç i NATO-s.

Operacioni i ardhshëm për të dëbuar Shtetin Islamik nga kryeqyteti i tij i vetëshpallur, Raqqa në Siri, pritet të jetë në krye të axhendës së zotit Tillerson në Ankara. Ai do të takohet me udhëheqësit e vendit, përfshirë Presidentin Recep Tayyip Erdogan. Mbështetja e Uashingtonit për grupin kryengritës kurd sirian, PYD dhe milicinë e tij YPG në luftën kundër Shtetit Islamik, ka qenë dhe mbetet një pike tensioni me Ankaranë që I akuzon ata se janë të lidhur me PKK-në, që po lufton kundër shtetit turk.

“Pa dyshim që ka një sërë çështjesh kritike duke filluar nga Siria”, thotë Sinan Ulgen, një studiues në Institutin Carnegie në Evropë. Zoti Ulgen thotë se në Ankara ka shpresa të mëdha pas zgjehdhjes së Donald Trumpit.

“Pasi Donald Trumpi u bë president, Turqia u përpoq të ushtronte ndikim tek udhëheqësit e rinj amerikanë, për të ndërprerë lidhjen mes Shteteve të Bashkuara dhe kurdëve sirianë të grupit PYD, që Ankaraja e konsideron një organizatë terroriste që godet interesat e saj jetike. Pra kjo është një çështje shumë e vështirë”.

Zyrtarisht, Presidenti Donald Trump nuk ka marrë një vendim për vazhdimësinë e mbështetjes së grupeve kurde siriane, që përbën boshtin e Forcave Demokratike Siriane, që po luftojnë aktualisht Shtetin Islamik dhe po marshojnë drejt Raqqa-s. Por në terren, mbështetja amerikane është rritur në mënyrë të ndjeshme përballë shqetësimeve të Ankarasë.

Analistët lënë të kuptohet se Ankaraja do të kërkojë garanci nga zoti Tillerson që forcat kurde do të tërhiqen me shpejtësi nëse marrin pjesë në marrjen nën kontroll të Raqqa-s. Sekretari Tillerson mund të ndihmojë në zbutjen e pakënaqësisë së Ankarasë nëse ashtu siç pritet,ai diskuton çështjen e krijimit të zonave të sigurta në Siri për kthimin e sirianëve, një kërkesë kryesore e Ankarasë.

“Nuk do të ishte habi nëse Shtetet e Bashkuara mbështesin PYD-inë përsa i takon Raqqa-s. Është si të shohësh me xhiro të ngadalrta një përplasje treni. Gjithkush e di që do të ndodhë”, thotë ish diplomati i lartë turk, Aydin Selcen, që ka shërbyer në shumë vende të rajonit dhe në Uashington.

Por zoti Selcen mendon se meqenëse Ankaraja do që të realizojë një vizitë shtetërore në Uashington, do të ketë prirjen që të mos lejojë mosmarrëveshjet për Sirinë, të dëmtojnë vziitën e zotit Tillerson.

Frenimi i sjelljes agresive rajonale të Iranit, pritet të jenë një nga temat kryesore ku interesat e dy vendeve përputhen dhe pjesë e bisedimeve në takimet e zotit Tillerson, thotë analisti Ulgen.

Edhe marrëdhënia e Ankarasë me Moskën pritet të jetë në programin e Sekretarit amerikan të Shtetit. Muajt e fundit, ka pasur një shqetësim në rritje mes aleatëve të Turqisë në NATO lidhur me drejtimin e vendit, shqetësime që duket se Ankaraja i ka ushqyer, duke e parë rivendosjen e marrëdhënieve miqësore me Rusinë, si një kartë të vlefshme në negociatat me aleatët perëndimorë.

Por afrimi mes dy vendeve, mund të jetë duke shfaqur shenja ftohjeje dhe ish-diplomati Selcen parashikon se kjo mund t’I japë një shtysë përmirësimit të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë.

Zoti Tillerson mund të përballet edhe me çështje të tjera delikate, si për shembull kërkesa e Ankarasë për ekstradimin e klerikut turk Fethullah Gulen, të cilin Turqia e konsideron përgjegjës për organizimin e grushtit të dështuar të shtetit në korrik. Uashingtoni këmbëngul se kjo është një çështje që u takon gjykatave a zgjidhin. Sekretari Tillerson ka gjasa të përballet me kërkesën që Gulen të kapet dhe të mbahet i ndaluar, në pritje të kërkesës së Ankarasë për ekstradim.

Please follow and like us: