Shefat e shkarkuar për shkak të lidhjeve me trafikimin e kanabisit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako ka urdhëruar përjashtimin, shkarkimin dhe pezullimin nga detyra të disa punonjësve të Policisë së Shtetit në Lezhë dhe në Kurbin për shkak të implikimit në kultivimin e kanabis sativës.
Në një konferencë të posatshme shtypi, Çako theksoi se disa ditë më parë në Lezhë u zbulua një parcelë me më shumë se 500 fidanë kanabis sativa e kultivuar së fundmi.
Në bazë të hetimeve, u arrit në konkluzion se punonjës policie në drejtorisë vendore të Policisë së Lezhës dhe komisariatit të Kurbinit kanë shpërdoruar detyrën dhe nuk kanë njoftuar për kultivimin e kanabisit.
Në planin e ri të veprimit për të asgjësuar drogën, drejtori i përgjithshëm bëri me dije se në të gjithë territorin do të caktohen punonjës policie që do të jenë përgjegjës për zonat e tyre dhe duhet të raportojnë nëse ka kultivim kanabisi. Gjithashtu, këta punonjës dhe familjarët e tyre do të deklarojnë se nuk do të përfshihen në kultivimin e drogës, në të kundërt do të mbajnë përgjegjësi ligjore.
Fjala e kryepolicit Haki Çako:
Duhet të deklarojnë se ata dhe familjarët e tyre nuk do të përfshihen në kultivimin e bimëve narkotike. Janë përcaktuar punonjës policie përgjegjës që do të mbajnë pëergjegjësi ligjore në rast se konstatohet bimë narkotike.
Në Kurbin është konstatuar një parcelë e porsa mbjellë me 515 fidanë kanabis sativa. Në lidhje me rastin e konstatuar, me urdhër të drejtorit të policisë së shtetit ka filluar procedimin disiplinor për punonjës të drejtorisë vendore të Lezhës dhe komisariatit të Kurbinit.
Inspektor Gjon Dedaj i komisariatit Kurbin u përjashtua
Nënkomisar Edvin Toptani i komisariatit Kurbin u përjashtua
Komisar Leonard Balushi i komisariatit Kurbin u shkarkua
Komisar Xhafer Kalbaj i komisariatit Kurbin u shkarkua
Kryekomisar Maksim Bejko i drejtorisë vendore Lezhë u pezullua
Ka filluar procedimi disiplinor për drejtorin dhe zv.drejtorin e drejtorisë vendore Lezhë.