Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Kona: Boksieri dhe Lilita e bukur

 

 

 

    

                                 -Tregim-

                                                                 “Fluturo si zog, picko si bletë”

                                                                              Muhammed Ali

 

Ne fëmijëve na tërhiqte boksi1). dhe kishim qejf të bëheshim boksierë. Iu lutëm Terit, një djali të gjatë dhe simpatik të lagjes sonë, që ishte boksier i “Flamurtarit”, të na stërviste me dorezat që ai përdorte vetë. Teri pranoi me qejf. Fillimisht “ringu” ishin bahçet tona, pastaj nisëm të dilnim në  publik, domethënë në sheshin më të madh të lagjes, atje ku luanim futboll. “Tapeti” përbëhej nga dy rrogoza të vjetër, kurse “ringun” e  rrethuam me një rrjetë nga ato të peshkimit, afro një metër të lartë. Në trungun e një plepi që ndodhej përpara “ringut”, mbërthyem një tabelë të madhe ku shkruhej: BOKS. Pranë, vumë një kuti të ndihmës së shpejtë, kurse ngjitur me të,  në vendin më të dukshëm, afishuam kalendarin e ndeshjeve, emrat e boksierëve që do të ndesheshin sipas shortit, datat dhe oraret. Ndërkaq u kujdesëm të stamponim fanellat me ngjyra, ku shfaqeshin dukshëm emrat e “klubeve” që përfaqësonim: “Joni”, “Adriatiku”, “Sazani”,  “Amantia”…Kur gjithçka ishte gati, u organizua ceremonia përuruese e fillimit të ndeshjeve: Teri i ra “gongut” (një gjym bakri i vjetër) dhe publiku shpërtheu në duartrokitje. Publiku ishin banorë të lagjes: kalamaj këmbëzbathur që prisnin me kureshtje; pleq që rrinin në kafene apo në sheshin përpara saj dhe luanin letra, shah e domino; gra që shkonin të bënin pazar, apo që ndernin rrobat e lara në oborret e shtëpive rreth e qark fushës; burra dhe të rinj që nxitonin në punët e tyre, por qëndruan për pak minuta për të parë se si do të shkonte ceremonia e trumbetuar me aq bujë e zhurmë nga ne të vegjlit e lagjes… Në “ring” u futëm tetë boksierë dhe qëndruam, katër, përballë katër të tjerëve dhe, me rënien e gongut, këmbyem grushtet e parë në mënyrë simbolike…(Ky fillim ceremonial u fotografua bardhë e zi dhe, për shumë kohë fotografia e futur në kornizë nga Teri, qëndroi atje ku ishte  afishuar kalendari i ndeshjeve). Kështu pra nisi kampionati i boksit i lagjes sonë.

Ndeshjet ishin tërheqëse, por krijonin edhe të qeshura midis shikuesve sepse, ne, boksierët e vegjël, arrinim të grushtonim, por nuk dinim të mbroheshim. Dorezat e buta, me të cilat grushtonim, nuk ishin të atilla kur përplaseshin në fytyrat dhe hundët tona. Për shkak të dhembjeve që ndjenim, ndonjëherë harronim që ishim në “ring” dhe, kur tjetri na godiste me grusht, ne ia kthenim me shkelma.

-Po ti or, pse më godite pa mendje?

-Ta kishe mendjen, gongu kishte rënë!

-Ik ore…

Kaq duhej dhe nisnim e shaheshim me njëri-tjetrin, ndërsa bashkë me ulërimat e tifozëve përkrahës, përziheshin në atë zallamahi edhe qentë që nisnin e lehnin me të madhe. Ndërkaq, arbitri ndërhynte më kot… Por, shkaku kryesor që ndeshjet e boksit të lagjes sonë u ndërprenë, ishte Fraqi. Kështu, me emrin e peshkut helmues “fraq”,(i cili fshihet i gjithi në rërë në fund të detit dhe nxjerr vetëm halat helmuese sipër), ne i thërrisnim një djali të prapë të lagjes, i cili shfaqej gjithnjë i dhunshëm, sherrxhi dhe hileqar mes ne kalamajve. Në javën e dytë të kampionatit, Fraqi po na rrëzonte të gjithëve me “Nokaut”. Binim në tapet  dhe nuk ngriheshim dot nga dhimbjet. Trajner Teri, kur pa me vëmendje plagët e goditjeve nisi të dyshonte. U këshillua me një mjek sportiv dhe bashkë zbuluan se Fraqi kishte futur brenda dorezave të boksit një unazë hekuri, kështu që, ai, nuk na godiste me doreza e buta, por me unazën e  tij të tmerrshme…Kuptohet që Fraqi u përjashtua me ceremoni, por autoritetet e lagjes, i thanë Terit se nuk do ta vijonte kampionatin deri në një urdhër të dytë. Vetëm pas lutjeve dhe letrave si “pikat  e shiut” që bëri Teri dhe ne në këshillin e lagjes, më në fund, pas disa muajve kampionat rifilloi, por tashmë me një numër më të kufizuar boksierësh, mes të cilëve ishte Veroja, Dania, unë dhe disa të tjerë.

 

Nokdaun! 2).

Më shumë se sa merreshim vetë me boks, ne kishim qejf të ndiqnim ndeshjet e kampionatit kombëtar të boksit mes klubeve dhe  ekipeve të rretheve. Ato zhvilloheshin në stadiumin e lojërave me dorë, aty ku sot ndodhet shtatorja e Avni Rustemit, pranë godinës së Teatrit “Petro Marko”. Ne, kuptohet, ishim tifozë të çmendur të Terit, trajnerit tonë të mirë dhe të dashur, i cili, me gjithë tifozllëkun tonë, domethënë të lagjeve Skelë, Kume dhe Çole, por edhe të publikut vlonjat, nuk arrinte të fitonte dot asnjë ndeshje. Këshillat që ai na jepte kur na stërviste, që: të mbroheshim mirë me afrimin e bërrylave dhe të dy grushteve përpara fytyrës, të kërcenim në tapetin e ringut si Kasius Klei, t`u shmangeshim këndeve të litarëve etj., kur ndodhej në ring përball  kundërshtarit, ai nuk i zbatonte. Sapo binte gongu, Teri vërsulej trimërisht në mes të ringut, por, me të marrë  goditjet e para, lëkundej, humbiste gjakftohtësinë dhe, ashtu i nxehur e i nervozuar, harronte të mbrohej. Kundërshtari shfrytëzonte zonat e zbuluara dhe e godiste pa mëshirë, kësisoj,  vrulli i Terit  binte shpejt, ndërkohë që përballë tij vinin breshëri të tjera goditjesh…

Atëherë ne mbulonim fytyrat me pëllëmbët tona, që të mos shihnim se si binin grushtet e pamëshirshëm mbi fytyrën, kokën dhe trupin e bukur të trajnerit tonë e që i shkaktonin atij çarje vetullash, hematoma në ballë e fytyrë, gjak nga hundët….Me gjithë humbjet dhe goditjet e rënda, nuk pati asnjë rast që Teri të tërhiqej nga ndeshja. Përkundrazi, edhe kur trajneri i tij, Miti, hidhte peshqirin në ring, Teri nuk donte ta pranonte humbjen dhe ia nxirrte inatin trajnerit, i cili, për të thënë të vërtetën, ishte një burrë kaq i dhembshur dhe i ndjeshëm, saqë s`kishte zemër të shikonte as edhe një pulë kur therej. Kur mbaronte ndeshja, mjeku i ndeshjes, s`dinte me cilin të merrej më parë: me Mitin, që kishte humbur ndjenjat, ngaqë e kishte zënë gjaku, apo me Terin e gjakosur dhe me fytyrë të dërmuar nga grushtet…

Nesër është ditë e re dhe dielli do të lindë përsëri”

Çudia ishte se  Teri kishte besim absolut te vetja. Ai besonte “në ditën e fitores së madhe” që do ta bënte të njohur në të gjithë vendin dhe, pastaj, në mënyrë “rrufe” do të arrinte rekorde evropiane, më tej akoma, drejt podiumit të titullit botëror… Për të arritur fitoren, ai na këshillonte që, si vet ai, ashtu edhe ne, të mos dorëzoheshim kurrë dhe të kishim besim të palëkundur te vetja. Për t`i dhënë madhështi dhe solemnitet  kësaj ideje, një ditë Teri na mblodhi pranë dhe na tha:

-Çuna! Formoni një rreth, zgjatni duart, i bëni grusht dhe, duke i përplasur lehtë grushtet me njëri-tjetrin, të gjithë bashkë do themi si në kor: “Nesër është ditë e re dhe dielli do të lindë përsëri!”.

Por, ndonëse ne e përsëritnim çdo ditë e me zell të madh  formulën tonë të betimit, përsëri humbjet e Terit shoqëronin njëra-tjetrën dhe nuk na jepnin asnjë rast për të ëndërruar apo për t`u shprehur me optimizëm. Pas çdo ndeshje, ne ktheheshim në shtëpi kokulur dhe të dëshpëruar. Brenda vetes ndjenim se na dhembnin më shumë grushtet që hante boksieri ynë trajner, se sa grushtet që ne i jepnim njëri-tjetrit në “ringun” e lagjes sonë…Disa ditë pas çdo ndeshje Teri nuk dilte nga shtëpia, sepse e kishte fytyrën të ënjtur nga grushtimet. Ne i shkonim në shtëpi dhe i shprehin keqardhjen për humbjen “për faj” të arbitrit, që kishte lejuar “dhjetëra” goditje faulli dhe komentonim grushtet e fuqishëm që Teri i kishte dhënë kundërshtarit:

-Ama, Teri, ajo goditje që i dhe atij durrsakut nga poshtë-lart, vetëm me raketën tokë-ajër mund të krahasohej, – i thoshte Dania, shoku ynë  që krahasimet i bënte gjithnjë me gjuhë ushtarake, ngaqë kishte ëndërr të bëhej oficer.

-Çfarë thua ti ore?! – i kthehesha unë, – I harrove ti ato “predhat” fluturuese që lëshoi trajneri ynë në fillimin e raundit të dytë? Ai tjetri, nuk  mori vesh se nga i erdhën! Vetëtima, or, vetëtima të vërteta ishin, njëlloj si ato që bien në Karaburun…

Veroja na i merrte fjalën nga goja:

-Pse s`thua që ishin “katjusha”3). nga ato të luftës: bam-bam-bam, bam-bam- buuu…, – goditjen në vazhdim, Veroja nuk e komentonte sepse ajo ishte e kundërshtarit, i cili e kishte hedhur Terin në tapet,  “nokdaun”.

Teri na dëgjonte me dashamirësi dhe dukej që i vinte mirë kur ne e merrnim në mbrojtje. Për t`i dhënë kurajë, ne i çonim herë pas here edhe fotografi ndeshjesh të mëdha të boksit dhe të boksierëve të famshëm. Ato i gjenim në revistat që sillte fshehurazi nga jashtë shtetit Kovi, oficer në vaporin “Vlora”…Pastaj, në çastin që ne do të ngriheshim të largoheshim nga shtëpia e Terit, shiheshim në sy dhe, duke i bërë duart grusht dhe duke i përplasur lehtë thoshim në kor: “Nesër është ditë e re dhe dielli do të lindë përsëri”.

 

                                                

Lilita

 

Ne dinim edhe sekretin e madh të Terit. Ai donte Lilitën e bukur, që sapo kishte mbaruan shkollën e mesme mjekësore dhe priste emërimin. Lilitës i vinin rrotull shumë djem, por asaj nuk i hynte në  sy asnjë, përveçse Terit. Ata takoheshin fshehurazi në pyllin e plazhit të vjetër. Kur një mbrëmje, unë, Veroja dhe Dania pamë  disa djem të Çoles që iu qepën  pas Terit dhe Lilitës, (ata kishin zakon që  u shkonin pas çifteve të reja), ne i ndaluam dhe, atë mbrëmje u rrahëm keq me ta. Ama nuk i lamë që të prishnin dashurinë e dy të rinjve. Të nesërmen, kur  pa shenjat e grushteve në fytyrat tona, Teri na pyeti i shqetësuar:

-Me kë jeni rrahur? Këto nuk janë plagë që shkaktohen nga dorezat e boksit? -Ne heshtëm dhe e mbajtëm sekret. Asnjëherë nuk e treguam sakrificën që bëmë për trajnerin tonë dhe Lilitën e bukur.

Por, ato ditë, ai kush e di pse dukej ndryshe, sillej çuditshëm. Rrinte përpara stendës së fotografive të boksierëve të mëdhenj i trullosur dhe i menduar dhe dukej sikur fliste me vete. Madje edhe stërvitje nuk na bëri:

-Çuna, të më falni, sot nuk ndihem mirë, e lëmë për nesër, hë, si thoni?

Duke dalë nga shtëpia e tij të habitur dhe kokulur, na kapi veshi bisedën që po bënte nëna e Terit me fqinjën që e ndante një gardh:

“-Po ja moj Marte, – po i thoshte fqinjës nëna  e Terit, – djali s`po më duket iç mirë këto ditë, as ha, as flet, duket nervoz, një fjalë dhe kërcen përpjetë, nuk e mban vendi dhe del jashtë, pastaj futet prapë brenda dhe shikon me orë të tëra si i ngrirë fotografitë e atyre boksierëve të flamosur, që i ka vënë në mur si ikonat e kishës. As në punë nuk vajti, atje në uzinë ku punon me atë torno që ia mori shpirtin me tre turne, natë – ditë, ditë – natë. Ç`të të them si jam bërë! Nuk e kam as burrin, ka shkuar në llixha në Elbasan, pas një jave kthehet…Seç ka një gjë përbrenda djali…Nganjëherë, më shkon mendja se mos i ka bërë magji ajo Kajmekamja, ajo, ajo ma ka marrë më sysh djalin me ato magjitë e shpifura?!

-Jo, o Nitë, jo! Nuk e bën Kajmekamja atë, por unë them se djali ka moshën, tashti, o Nitë, ka moshën! Mos u bëj kaq merak se do t`i kalojë! Kështu kemi qenë edhe ne në atë moshë, apo e harrove ti?…”

Kaq dëgjuam ne dhe, nga tërë ajo bisedë, na ngeli në mendje dëshpërimi dhe hutimi i Terit, por, sidomos ajo shprehja “ka moshën”. Ç`donte të thoshte ajo gruaja me ato fjalë? Pse, çfarë ndodhte në atë moshë, rreth të njëzetë e pesë vjeç, që ishte trajneri ynë?

-Ohu, sa gjëra nuk dimë ne! – thashë i nervozuar.

-Hajde, hajde se do ta marrim vesh se ç`ka trajneri, – tha Veroja, që ishte më këmbëngulës nga ne të tre.

-E si do ta marrim vesh? – pyeti Dania.

-Atje, te radha e qumështit, atje, gratë bëjnë lloj-lloj muhabete, çfarë nuk thonë, s`lënë sekret shtëpie pa nxjerrë! – tha Veroja dhe nisi të imitojë: “-Të lutem, të kam motër, më jep fjalën se nuk do t`ia thuash askujt këto që do të them?

-Ua, ç`është ajo fjalë!? Ja, e kyça,  “Tutjus” i vura! – ia bën tjetra, por, vetëm pak metra më tej, të parës që takon i tregon një për një atë që sapo dëgjoi, sigurisht duke shtuar edhe diçka nga vetja…”

-Kështu, -vijoi Veroja, – sekretet kalojnë gojë më gojë dhe brenda një kohe të shkurtër i merr vesh e tërë mëhalla. Kurse, të zotët, ose nuk i marrin vesh fare, ose i marrin vesh të fundit…

Të nesërmen, që herrët në mëngjes, dolëm te radha  e qumështit me nga një shishe në dorë, gjoja se na kishin dërguar prindërit. Ja veshët, pipëz se mos kapnim ndonjë gjë. Unë dhe Dania rrinim nga radha e burrave, kurse Veroja ishte ulur te  një shkallë guri afër radhës së grave dhe mbante vesh. Ditën e parë nuk dëgjuam gjë me rëndësi për hallin tonë. Por, të dytën, s`kaloi as një orë dhe  Veroja na i bëri me shenjë që të takoheshim diku prapa dyqanit. U mblodhëm kokë më kokë dhe ai na tha:

-Çuna, i dëgjova të gjitha nga një fqinjë, shoqe e ngushtë e Lilitës. Ajo ia thoshte me zë të ulët një gruaja tjetër që ishte më përpara në radhë. Vërtetë me zë të ulët, por unë arrita t`i dëgjojë.

-Hë, na thuaj çfarë tha? – e nxiti Dania i nervozuar.

-Ajo i tregonte shoqes se, para dy netësh, në mbrëmje, Teri me Lilitën kishin shkuar fshehurazi nga pylli i plazhit të vjetër dhe në vend që të bënin dashuri, ishin grindur keq.

-Atë mbrëmje që ne u rrahëm me çolarakët?-e ndërpreva unë.

-Po, atë mbrëmje…

-Hë, vazhdo, – i gërthiti Dania.

-Lilita i kishte thënë Terit:”Ose lërë boksin, ose do të të lë unë ty!

-Çfarë thua moj Lilitë, si ta lë unë boksin, po ai është jeta ime.

Ajo i ishte kthyer:

-Kështu,“Jeta ime”, më ke thënë edhe mua. Kush është në të vërtetë “Jeta jote”? Unë apo boksi?

Ai kishte heshtur dhe s`kishte ditur  t`i përgjigjej.

-Nuk shikon se si je bërë, o i zi, pse po e çon jetën tënde dëm! Edhe veten, por edhe mua po më shkatërron. Po më shkatërron  fare! – kishte shpërthyer ajo duke qarë.

-Ti duhet të më vlerësosh mua kështu siç jam, – ia kishte pritur Teri.

-Unë të vlerësoj vetëm nëse lë boksin dhe… pikë!  Oj, mbete duke u zhgërryer në tapetet e ringut! Nuk duroj dot më! Na merre dhe këtë, – dhe i kishte kthyer një verore, që e mbante në dorë e që Teri ia kishte dhuruar ditën kur dhanë besën se do ta donin për jetë njëri-tjetrin. Ai, as që i kishte kthyer përgjigje. Veroren nuk ia kishte marrë, por, i prekur gjer thellë në shpirt nga fjalët e saj të hidhura, e kishte përcjellë deri afër shtëpisë, dhe pa i thënë as “natën e mirë!” ishte larguar sikur nuk kishte të bënte fare me të…

-Ç`bëra unë  e mjera, ç`bëra! Do vete të mbytem te moli zero! – i kishte thënë Lilita shoqes duke qarë”.

Veroja kishte mbaruar dhe të tre kishim mbetur pa gojë. Shihnim njëri -tjetrin pa ditur ç`të thoshim, pa ditur ç`të bënim! Por, ç`mund të bënim ne?

 

 

Po, edhe ne mund të bënim diçka

 

Shtëpia  e Lilitës kishte përpara një kopsht me trëndafila lloje – lloje për të cilin kujdesej babai i saj, bahçevan i njohur i qytetit. Thuajse  gjithë banorët e lagjes, kur kalonin përpara asaj shtëpie, mbanin këmbët gjoja se donin të shikonin trëndafilat, por në të vërtetë ata donin të shikonin Lilitën e bukur.  Si pa kuptuar, këtë e bënim edhe ne fëmijët. Ndonëse për te shtëpia  e Terit  mund t`i binim për shkurt, ne qëllimisht i binim rrotull e rrotull vetëm e vetëm që  rruga të na çonte përpara shtëpisë së Lilitës, me shpresën që ta shihnim atë duke ecur mes luleve duke kënduar, duke varur në tel rrobat e lara, apo duke ndihmuar të atin kur u shërbente trëndafilave.

Pasi kishim dëgjuar shkakun e grindjes së Terit me Lilitën, unë, Dania dhe Veroja iu afruam shtëpisë dhe po hidhnim sytë vjedhurazi në kopsht kur, Lilita e bukur, u shfaq befas mes luleve si një princeshë e përrallave. Në dorë mbante një tufë  trëndafilash shumëngjyrësh, kurse, një tjetër trëndafil flak i kuq, i hijeshonte anën e majtë të gjoksit, duke krijuar një harmoni mes bluzës së saj të bardhë dhe fundit të zi. Lilita bëri disa hapa drejt nesh dhe, duke na mbërthyer me vështrim, na pyeti duke përdorur pasthirrmën  “ore!”:

-Ore, çuna, ju shohë që ndaloni përditë këtu përpara kopshtit tim dhe shikoni andej-këndej, kërkoni gjë?

-Jo, na bie rruga këndej, prandaj, – i thashë unë pa i hequr sytë prej saj, aq e freskët dhe aq bukur ishte. Veçse, poshtë syve të kaltër i dalloheshin qartë rrathë të hollë, të zinj, që, siç kisha dëgjuar, tregonin vuajtje dhe pagjumësi. “Edhe Lilita duket e shqetësuar, njëlloj si Teri”, – thashë me vete. Edhe Dania me Veron, ashtu si unë, kishin mbetur si guhak përpara bukurisë së saj.

-Po sytë, përse m`i keni qepur në fytyrë sikur jeni përbindësha të vegjël? – na shkundi nga hutimi zëri i Lilitës.

-Po ja, – guxova unë, – duam t`i heqim, por… nuk i heqim dot.

-Ashtu është, nuk i heqim dot, -thanë me sinqeritet edhe Dania me Veron.

-Ah, ju paska  hutuar bukuria e kopshtit! S`keni faj se, babai  e ka bërë kopshtin kaq të bukur, sa të gjithëve u mbeten sytë aty. Kurse trëndafilat, eh, janë më të bukurit në botë, apo jo?

-Trëndafili më i bukur je ti! – tha Dania me plotë gojë.

-Uaa! – qeshi Lilita me të madhe, – Ore, kaq i vogël dhe…! Ore, si guxon ti…?- Pastaj, duket diçka mendoi, sepse, duke na hedhur një vështrim prej çapkëneje, na pyeti: -Mos jeni ata vogëlushët e  boksit juve?

-Po, ata jemi, – thamë me krenari,- dhe, nuk jemi vogëlushë, por boksierë, – duke thënë këto fjalë,  secili nga ne drejtoi trupin dhe nxori gjoksin paska përpara, ashtu siç na kishte mësuar trajner Teri.

-E çfarë i pëlqeni boksit juve, nuk shikoni se ç`damka të shëmtuara ju ka lënë  në fytyrë?

-Ato që ju i quani damka të shëmtuara, për ne janë medalje, që  i kemi marrë në beteja të vërteta boksi?

-Ore, kush ju ka mësuar juve të flisni kështu?

-Na ka mësuar trajneri ynë, Teri.

-Ah, e mora vesh. Edhe atë krahasimin që më bëtë mua me trëndafilin, nga ai  e keni dëgjuar. Po, çfarë tjetër keni dëgjuar për mua nga trajner Teri? Hë vogëlushë, shprehuni! – pyeti ajo dhe picërroi sytë në pritje të përgjigjes.

Ne pamë njëri – tjetrin. Fola unë:

-Trajner Teri na ka thënë që  “Lilita, ia kalon nga bukuria, edhe diellit që lind mbi Kaninë, edhe diellit që perëndon në Sazan…!”

–Aha, aha, aha, – ia shkrepi ajo të qeshurit, duke i hedhur flokët prapa. –Aha, aha, aha, – qeshte Lilita e bukur, kurse natyra u gjallërua krejt, në qiell u shfaqën të gjitha ngjyrat e ylberit, teksa një erë e lehtë që nisi të fryjë e mbushi ajrin me zëra pranveror. Një tufë zogjsh u ngritën fluturim duke rrahur krahët në qiellin e ndritshëm. Befas Lilita pushoi, dhe, duke na gozhduar përsëri me sytë e saj të kaltër, tha

-E shoh që juve e dashkeni shumë trajnerin, po, vërtetë është kaq i mirë ai sa po më thoni?

-Po, ai është trajneri më i mirë në botë! Ai na mëson të bëhemi të fortë dhe të mos tërhiqemi asnjëherë…Ai nuk është nga ata që struken nëpër qoshe, por sulmon edhe kur i duhet të mbrohet. Ai sillet me ne, si një vëlla i madh… Ne nuk e ndërrojmë trajner Terin as me trajnerin e  Kasius Kleit.

-Po, por ai, vetëm i humbet ndeshjet dhe gjithnjë rrëzohet në tapet, – tha Lilita.

-Rrëzohet, po ngrihet përsëri. Ai është i pamposhtur! – iu përgjigj Veroja.

-Ai nuk dorëzohet kurrë! – tha Dania.

-Ai është vetëtimë dhe, atje ku ai godet, shpërthen vullkani, – thashë unë.

-S`kemi dëgjuar për ndonjë vullkan ne këndej, – vërejti me qesëndi Lilita duke mbajtur me zor të qeshurën.

-Ne po flasim me krahasime,- foli Veroja dhe, duke më rënë me bërryl, më tha me inat:-Bëj or mirë krahasimet ti…!

-Se mos ti i bënë më mirë, -ia ktheva edhe unë me inat por me zë të ulët.

-Ore, -tha Lilita mendueshëm, -unë s`po kuptojë pse ju po e mburrni kaq shumë trajnerin tuaj, kur grushtet në ring, po ia deformojnë atij fytyrën, kurse hundën, ka kohë që ia kanë bërë si petë… Gjithnjë në tapet, gjithnjë si i thonë “Noka-noka-daun”!

-Së pari, -tha Dania, -i thonë “Nokdaun!” Së dyti, ai s`ka rënë asnjëherë “Nokaut!” Së treti, ata grushte janë  për Terin, si putrat e  ariut të  vogël kur godet ariun e madh.

-Ato janë si gjylet mbi mal. Dëgjon mali nga gjylet? – plotësoi më tej Veroja.

-Ato janë si shigjetat prej zhuke në trupin e luanit, – fola edhe unë me një tjetër krahasim.

-Ore, qenkeni brisk nga goja juve? Pale, edhe me krahasime s`jua kalon  askush!- na tha Lilita me vështrim të qeshur. Dukej qartë që i pëlqente të vijonte bisedën me ne.

-Ne kemi edhe një betim, -thashë unë.

-Ashtu, e çfarë na qenka ky betim? -pyeti ajo me kureshtje.

Dhe, ne, duke u parë me njëri-tjetrin, thamë me një zë e gjithë seriozitet formulën e  betimit ton: “Nesër është ditë e re dhe dielli do të lindë përsëri!”

-Qenka betim optimist! -tha Lilita.

-Po deshe thuaje edhe ti me ne, -i tha Veroja.

-Pse? Apo doni t`më futni edhe mua në ekip? Oh, ç`përbindësha të vegjël e dredharakë qenkeni!  Po më hidhni grepat dhe unë s`po kuptoj gjë!

-Ti duhet të bëhesh perëndesha jonë! -guxova e thashë unë.

-Me ty, ekipi ynë do të bëhet dielli i boksit shqiptar! -tha Veroja.

-Me ty ne do të jemi bota! -tha Dania.

-Ua! Ua! Ç`thoni ju ore! Ua! Ua! Po këta…! Kaq të vegjël dhe…!? Ore, i keni mend në kokë juve?

-Nuk e kemi me të keq, -tha Veroja.

Ajo heshti një çast. Dukej disi e turbulluar. Pastaj tha:

-E po mirë, po provoj ta them edhe unë formulën e betimit tuaj, se mos kam ndonjë gjë për të humbur!

Ne formuam rrethin, zgjatëm duart grusht( kështu bëri edhe Lilita) dhe të katërt, duke përplasur lehtë grushtet me njëri-tjetrin, thamë me plotë gojë formulën tonë: “Nesër është ditë e re dhe dielli do të lindë përsëri!”

Duartrokitëm dhe qeshëm me gaz. Zëri femëror i  Lilitës i dha ëmbëlsi dhe bukuri të rrallë betimit tonë. Oh, ç`tingëllim të shkëlqyer mori ai betim me atë kombinim zërash: zërat tanë fëmijëror dhe zëri i saj femëror…Na u duk sikur e qeshura e saj u shndërrua në një erë pranvere që lëkundi degët dhe gjethet e  trëndafilave…

-Faleminderit Lilita! – i thashë unë i skuqur nga kënaqësia.

-Faleminderit, – i thanë edhe Dania me Veron.

Ajo buzëqeshi përsëri dhe, duke qenë se në derën e shtëpisë kishte dalë e ëma dhe po  e thërriste, Lilita zgjati drejt nesh tufën me trëndafila. Ishin trëndafila shumëngjyrësh, të freskët, të sapo këputur dhe me pika vese. Por, mua, më ra në sy edhe verorja në dorën e saj. E njihja atë verore, e kisha parë një herë rastësisht kur Teri kishte hapur përpara meje njërin nga sirtarët e dollapit të tij.

-Merrni nga një trëndafil, i keni dhuratë nga unë, – tha Lilita  e bukur.

-Këta janë tufë, – e pyeta, – si t`i ndajmë?

-Ti merr të bardhin, – tha ajo, – se dukesh i sinqertë.

-Ti tjetri, – iu drejtua Danes, – merr këtë të verdhin, se më duket je pakëz xheloz.

-Ti i treti, – iu drejtua Veros, – merr këtë në ngjyrë të portokalltë, sepse më dukesh djalë me pasione dhe dëshira…

-Po këtë të katërtin, këtë  që është flak i kuq, – e pyeta, – kujt t`ia japim?

-Ah, atë? Atë jepjani atij…atij trajnerit tuaj…, – tha ajo dhe u largua duke qeshur.

-Nuk na i the kuptimin që ka trëndafili i kuq?4). – e pyeti me zë të lartë Veroja kur ajo ishte larguar disi nga ne. Vajza qëndroi, ktheu një çast kokën dhe fytyrën  e bukur dhe na tha me çapkënllëk: -Për kuptimin e trëndafilit të  kuq? Eh, më mirë pyesni atë, “heroin” tuaj…

 

                                        

Trëndafili i kuq

 

Shkuam vrap tek Teri, por ai dukej i mërzitur.

-Po këta trëndafila? – na pyeti ai pa  e patur mendjen në ato që thoshte.

-Na i dhuroi Lilita, – i thamë ne me një zë dhe zumë t`i shpjegonim herë njëri dhe herë tjetri se si e kishim takuar, bisedën që kishim bërë, fjalët që na kishte thënë ajo dhe përgjigjet tona…

-Çfarë ju bëri përshtypje tek ajo? – na pyeti Teri sikur të na pyeste për një gjë fare pa rëndësi.

-Mua më bënë përshtypje rrathët e saj të nxirë në sy, – ia bëri Veroja.-Në fillim m`u duk sikur i kishte bërë vet me laps kopjativ, por pastaj kuptova që i ishin bërë nga mërzia…

-Nga mërzia? -na pyeti Teri i menduar.-Ku e kuptove ti që ajo ishte  e mërzitur?

-Ashtu m`u duk, -tha Veroja, duke parë nga unë dhe Dania.

-Kurse mua më bëri përshtypje një verore, që ajo e mbante në dorë, – thashë unë, – Këtë  e vura re kur ajo na zgjati trëndafilat.

-Verore?! – Teri po tregohej më i vëmendshëm ndaj përgjigjeve tona.

-Po, ishte një verore shumë e bukur, si ato që bëjmë ditën e verës për t`i  vënë si rrathë në duar. Duket se ajo e ka me shumë merak atë verore, – shtova unë nga vetja.

-Pse mendon ti se e ka me merak veroren?

-Mendoj kështu sepse, dukej qartë që Lilita donte që ne t`ia shikonim veroren, sepse, herë-herë bënte si ata që, kur blejnë një orë të bukur, ngrenë dorën gjoja të rregullojnë flokët, kurse në të vërtetë duan që të tjerët t`u shikojnë orën.

Teri na hodhi një vështrim zhbirues sikur donte të na thoshte:  “Shikoni çuna, se mos po luani me mua, se,  e dini vetë ju pastaj, se ç`ju gjen!”

Por shpejt u duk se ndryshoi mendim sepse na pa ngrohtë:

-Hajdeni tani, më thoni si është puna e trëndafilave?

I treguam për tre trëndafilat që Lilita na dhuroi ne, si dhe shpjegimet që ajo na bëri për kuptimet e tyre. Pastaj, u përqendruam te trëndafili i katërt.

-Ky i katërti, që është flak i kuq, është për ty, kështu tha Lilita, – sqarova  unë.

-Ah! Ashtu tha, vërtetë?

-Po, tha që “këtë të kuqin jepjani atij, trajnerit tuaj…”

-Po për kuptimin e ngjyrës, ju tregoi?

-Kur ne e pyetëm se çfarë kuptimi ka trëndafili i kuq, ajo na tha: -Pyesni “heroin” tuaj, le t`jua shpjegojë ai.

Pastaj ndërhyri Veroja:

-Teri, Lilita bëri betimin tonë bashkë me ne.

-Si, nuk po ju kuptoj, çfarë keni ngatërruar? -ngriti zërin Teri krejt i habitur me gjithë këto që po dëgjonte.

-Asgjë s`kemi ngatërruar, përkundrazi, – tha Veroja. Pastaj, herë ai dhe herë ne, treguam se si erdhi puna te formula e betimit dhe, se si, edhe zëri i Lilitës u bashkua me ne dhe, betimi ynë pati tingëllim dhe bukuri` të veçantë…

Teri na dëgjoi deri në fund pa na i ndarë sytë e butë dhe të ngrohtë dhe, kur mbaruam, na afroi rreth vetes si të ishim vëllezërit e tij të vegjël.

-Të lutem trajner, na thuaj se çfarë kuptimi ka trëndafili i kuq? – e pyeti Veroja se, ne, duke ardhur këtu, jemi grindur me njëri-tjetrin për të gjetur kuptimin e tij.

Teri nuk foli. U duk që nguronte të përgjigjej. Pastaj, i mori erë trëndafilit të kuq, e vendosi në një vazo me ujë për ta mbajtur sa më gjatë të freskët dhe, duke u kthyer nga ne, tha:

-Çuna, jeni të vegjël që t`ju flasë për këto gjëra, është ende shpejt për t`i mësuar. Tani, kemi punë për të bërë! Dje, humbëm një tjetër ndeshje të radhës, por të mos humbasim shpresat, sepse: “Nesër është ditë e re dhe dielli do të lindë përsëri”. – thamë ne betimin tonë në kor.

Pa humbur kohë, trajneri nisi të na stërviste se si ta godisnim sa më fort jastëkun prej meshini, por pa dëmtuar apo thyer kyçet e duarve…Duke u stërvitur, ne ndiheshim të gëzuar kur shihnim se, pas fjalëve tona, trajneri ynë dukej ndryshe, fytyra i kishte marrë një pamje të ëmbël, sytë i qeshnin, teksa, në përfytyrim, na bëhej se shihnim Lilitën e bukur që, diku nga  kopshti i saj, tundte trëndafilat e kuq…

 

                                  

Ndërprerja  e një ëndrre

 

Ishte muaji nëntor 1963, kur papritur mësuam se boksi u  ndërpre me ligj dhe nuk do  të zhvillohej më në Shqipëri. Atëherë u shkaktua një pakënaqësi e fshehtë, që pëshpëritej mes njerëzve. Ne të vegjlit s`dinim  se si të mendonim për ndërprerjen e boksit? Nuk i kuptonim dot gjërat atëherë, edhe të rriturit nuk na i shpjegonin qartë dhe drejt. Dukej që edhe ata druanin nga diçka. Ngaqë ato ditë ndiheshim keq, me ne nuk flitej. Edhe kur ecnim në rrugët e lagjes, shkelmonim me zemërim herë gurët e kanoçet, e, herë qentë rrugaçë që na silleshin rrotull. Na i shtonte edhe më shumë zemërimin sjellja e disa tipave, si për shembull Fraqi dhe ndonjë tjetër, që na qesëndisnin e na thumbonin me keqdashje. Madje, Fraqi, e shqeu nga plepi fotografinë, ku ne boksierët e vegjël kishim dalë ditën që filloi boksi në lagje. Duke u zgërdhirë me  kënaqësi të ligë,  ai e theu kornizën dhe xhamin dhe e bëri fotografinë çika-çika. Nuk mjaftoi kjo, por nxori çakmakun dhe në sytë tanë i vuri flakën…

Gjatë atyre ditëve shkonim shpesh te shtëpia  e Terit.

-Çdo të bëjmë tani? –  e pyetëm një mbrëmje gati duke qarë.

-Tani vini mendjen te shkolla dhe te porositë e prindërve, – tha ai, – Sa për boksin, ai le të mbetet një kujtim i paharruar, një ëndërr e bukur, por e ndërprerë…?!Sigurisht që, kjo, s`do të thotë se ne nuk do të shohim më ëndrra, ato nuk mund të ndalohen dot…

Teri na përkëdheli kokat e qethura zero dhe na pyeti:

-Shpresoj se, shoqërinë, nuk do ta prishim, apo jo?

-Do ta mbajmë të fortë gjatë gjithë jetës! – iu përgjigjëm ne dhe u ndamë kokulur dhe të përlotur me trajnerin.

Një copë rrugë ecëm bashkë, pastaj kur mbërritëm te kryqëzimi ku ndaheshim secili për në shtëpinë e tij, qëndruam disa çaste në errësirë.

-Çuna, kaq e pati kjo punë!-tha Dania duke psherëtirë.

-Po ti ore, u dorëzove! Nuk ke turp që flet kështu!-i tërhoqi vëmendjen Veroja duke kërkuar mbështetje edhe nga unë.

Nuk fola, por zgjata pëllëmbët përpara shokëve të mi të vegjël dhe i mblodha grusht. Edhe ata, ashtu bënë dhe, aty në errësirën e  natës, ne përplasëm lehtë grushtet dhe përsëritëm edhe një herë betimin tonë: “Nesër është ditë e re dhe dielli do të lindë përsëri”…

 

Ecja drejt shtëpisë, i përfshirë në ca trazime dhe shkulma që ma errësonin shikimin më shumë sesa errësira që po binte përreth. Dukej që jeta na  e kishte rezervuar edhe ne fëmijëve një goditje, mbase si ato goditjet e stuhive që godasin bashkë me listat e mëdhenj, edhe fidanët e vegjël rreth e qark. Ka nga ata fidanë që thyhen që me goditjen e parë, të tjerë përkulen por nuk thyhen, ata ngrihen përsëri dhe vijojnë të rriten pranë lisave të fortë dhe të fuqishëm. Vallë, edhe me ne po ndodhte e njëjta gjë? Thua, trajneri ynë, më shumë sesa të bënim boks, na kishte mësuar se në jetë duhej të rezistonim? Dhe, tek mendoja këto, nuk di pse në përfytyrim më shfaqeshin pareshtur si sekuenca filmike pamje që tregonin trajner dhe boksier Terin, duke u ndeshur burrërisht në ring. Ai jepte dhe merrte goditje, binte përdhe, por gjente forca dhe, duke u ngritur vetëtimthi, i sulej trimërisht kundërshtarit si një tigër i vërtetë. E, në ato çaste, ne të vegjlit thërrisnim dhe brohorisnim me shpirt emrin e  tij, teksa ndjenim dhe kuptonim se me shembullin e qëndresës, ai na jepte kurajë dhe na mësonte që sa herë të rrëzoheshim të ngriheshim përsëri…

………………………………………

1).Boksi është sport luftarak, i cili zhvillohet në ring mes dy boksierëve me peshë të caktuar.  Ata godasin njëri-tjetrin gjersa njëri të fitoj me pikë ose me “Nokaut!”/K.O (rënie në tapetë kur boksieri nuk arrin të ngrihet pas numërimit deri në 10 të arbitrit). Boksierët profesionistë ndeshen 4-12 raunde nga 3 minuta. Boksieri më i madh gjer më sot mbetet Kasius Klei (Muhamed Ali), kurse, ndër boksierët më të famshëm shqiptarë është Luan Krasniqi.

2). “Nokdaun”: Kur pas goditjes, boksieri bie në tapet, por ngrihet përsëri pa arritur arbitri te numri 10.

3).Katjusha: Armë luftarake e Luftës së Dytë Botërore, që i  lëshon predhat shkatërruese në mënyrë automatike.

4).Trëndafili i kuq është shprehës i  dashurisë mes dy të rinjve. Është një zakon gati 5 mijëvjeçar, që vjen që nga Persia e lashtë. Djali i shpreh dashurinë vajzës duke i dërguar një trëndafil të kuq. Në qoftë se edhe vajza i dërgon trëndafil të kuq, atëherë do të thotë se ajo e pranon dashurinë e djalit.

 

Please follow and like us: