Europa ime: Treni ecën përpara
Evropa është në transformim e sipër. Pas muajsh e vitesh pasigurie, drejtimi i “trenit evropian” po shfaqet gjithnjë e më qartë, beson Anila Wilms.
Në rrethin e të njohurve të mi kohët e fundit vërej shumë lëvizje e shqetësim. Shumica gjenden përpara dilemash të mëdha që diktojnë ndryshime rrënjësore në jetët e tyre: zhvendosje, ndarje, takime e ritakime. Po ndodh një thellim i ndërgjegjësimit – zbulime e gjetje të papritura bëjnë të mundur hapa të guximshëm që deri dje as që mund të mendoheshin.
Për mua ka një ndërthurje të pamohueshme midis trazirave në jetën private dhe atyre në skenën politike e shoqërore. Pyetjet e mëdha që lindin tek kjo e fundit ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë jetët e njerëzve. Së pari pyetja, ç’është atdheu për mua? Ku i kam rrënjët? Kush më përkujdes e kush më mbron? Së dyti pyetja, cili është identiteti im? Kush jam unë, e çfarë më bën të veçantë? Ku është vendi im në këtë botë?
Këto janë pyetje ekzistenciale, që papritur po na bëhen të gjitha njëherësh. Diçka po na mësyn, diçka e padëshiruar dhe e palejuar. Është një forcë e verbër mbi kokat tona, që s’do t’ja dijë për mbarëvajtjen e për fatet tona individuale. Dhe sigurisht që shkakton frikë e turbullim të thellë. Pa ndjesinë e të qenurit të rrënjosur diku në tokë, jemi të humbur në hapësirë. Pa identitet të konturuar qartë jeta s’ka kuptim e shije. Kudo ka nervozizëm, toleranca po bëhet e vështirë.
Katastrofë apo kapërcim?
Këto pyetje po e sfidojnë Evropën. Shtetet kombëtare po shkrihen pak nga pak, kufijtë po mjegullohen, ndjenja e atdheut dhe identitetet po shpërbëhen – siç thuhet, për hir të një qëllimi më të lartë: Evropën e Bashkuar. Por cila do të jetë trajta e saj konkrete, si do të ndjehemi aty, në ç’mënyrë do të ndikohen prej saj jetët tona vetjake, kjo ende s’dihet. Çka shihet ndërkaq me sy, është një zmadhim dhe ndërlikim i pamatë i botës. A mos do të jetë ai dërrmues për ne? Dhe mbi të gjitha, a mos e kemi të gjithë fajin vetë? Fakt është se kemi dekada që punojmë për projektin e Evropës së Bashkuar. Arsyet e themelimit të saj nuk i kemi harruar – ato ishin dhe vazhdojnë të jenë ekzistenciale: paqja dhe prosperiteti ndërevropian. Por tani kemi arritur në një pikë, ku përparimi i mëtejshëm i këtij procesi po na duket kërcënues për ndjenjat atdhetare dhe identitetet tona.
Kjo frikë është e përligjur, sepse kujtesa kolektive i ruan katastrofat historike për një kohë mjaft të gjatë. Njëkohësisht historia ka dhënë mjaft shembuj, kur kapërcimet e mëdha shoqërore e teknologjike kanë dalë me sukses. Kujtesa kolektive i ruan pra të dyja: si gjurmët e katastrofave ashtu edhe ato të suksesit.
Këta kanë qenë muaj dhe vite të vështirë, plot tension e pasiguri. Por zhvillimet e javëve të fundit po tregojnë qartë se dyshimet dhe zhgënjimi i evropianëve nuk ngrenë aq peshë sa ankthi, se mos Evropa e Bashkuar shpartallohet. Sipas të gjitha gjasave kjo nuk është kohë katastrofash. Kjo është një kohe sprove, që po nxjerr në shesh gjithë pamjaftueshmëritë dhe gabimet e bëra deri tani.
Lokomotiva drejt së ardhmes
Dalngadalë Evropa po e merr veten nga shoku. Po ndërmerren ndërkaq korrigjimet e nevojshme në kursin e saj. Çështjet lokale do t’u rikthehen kompetencës së administratave lokale. Po çështja e identitetit? Siç thotë Papa Françesku, “Evropa do ta gjejë shpresën kur të hapet ndaj së ardhmes”. Dhe bartësja e së ardhmes është rinia – e cila e ka tashmë një identitet evropian.
Edukimi i rinisë në shpirtin evropian ishte në dekadat e fundit qëllimi ynë i shpallur. Këtij qëllimi ia kemi arritur. Tani është rinia ajo, që mund të shërbejë si model e si lokomotivë për gjithë shoqërinë – me zjarrin e saj, entuziazmin, ambicjen dhe dëshirën për shpëtuar botën. Rinia e sotshme është gjenerata e internetit, janë digital natives. Për ta është normale ta ndjejnë veten antarë të një familjeje të madhe virtuale, përtej asaj të afërt e të prekshme biologjike. Interneti dhe liria e udhëtimit e kanë mundësuar këtë gjë.
Teknologjia e informacionit po shndërrohet në një pasqyrë gjithnjë e më të plotë e më të saktë të ligjeve kozmike. Megjithëse bart mjaft rreziqe, asaj i takon e ardhmja – së bashku me fizikën kuantike dhe atë bërthamore, astronautikën, mjekësinë integrale, psikologjinë e thellë dhe gjenetikën. Pasigurinë që shkaktojnë teknologjitë e reja mund ta luftojmë vetëm me iluminizëm radikal. Është dijenia e saktë mbi rendin e lartë kozmik ajo që i jep njeriut ndjesinë e të qenurit pjesë e një plani gjenial, kuptimplotë. Kështu bëhet e mundur zhvendosja e ndjenjës atdhetare dhe identitetit kombëtar në rrafshin e mëtejshëm, më të lartë.
Vështruar nga ky kënd, ngjarjet e kohëve të fundit duken krejt të logjikshme: kthimi në padije dhe paragjykim nuk është i mundur, përveçse me dhunë. Unë jam rritur në një diktaturë dhe kam parë me sytë e mi sesi dhuna e mbyt zhvillimin shoqëror. Por Evropa është tepër e përparuar për këtë – ajo është një kontinent i dijes dhe urtësisë, i parashikuar për një rol të veçantë në familjen e njerëzimit. Evropa meriton respekt, besim, mbështetje, dhe gjithë dhembshurinë tonë.
Shkrimtarja shqiptare, Anila Wilms jeton nga viti 1994 në Berlin. Në vitin 2012 u botua romani i saj në gjermanisht “Nafta shqiptare apo vrasje në rrugën e veriut”.