Albspirit

Media/News/Publishing

Ndryshimet në Kodin e Proçedurës çlirojnë nga makthi Metën dhe LSI

Miratimi nga Parlamenti, me 84 votat “pro” të maxhorancës qeverisëse, i ndryshimeve të bëra në disa  nene të “nxehta” të Kodit të Procedurës Penale(KPP) e ka çliruar nga ankthi Ilir Metën dhe, rrjedhimisht, edhe forcën politike Lëvizja Socialiste për Integrim, që merr oksigjen dhe e ka të lidhur fatin e ekzistencës me familjen Meta.

Çlirues i ankthit është bërë veçanërisht ndryshimi i pikës 2 të nenit 449 të KPP, varianti i ndryshuar dhe i miratuar i të cilit parashikon  moslejimin e rishikimit të vendimit të pafajësisë dhe as rishikimin e vendimit të dënimit kur synohet  rëndimi i pozitës së të dënuarit.

Ky version është skajshmërisht i kundërt me atë të mëparshmin, që parashikonte se: vendimet e pafajësisë për krime mund të rishikoheshin me zbulimin e fakteve, me sjelljen e provave të reja dhe kërkesën e Prokurorit…

Sigurisht që, deri më sot, kryetari i LSI, Ilir Meta, nuk ka qenë i dënuar nga drejtësia, por ka qenë pjesë e ngjarjeve kriminale, që edhe pse të mbyllura me diktat politik, përsëri linin shteg pë rihapjen e tyre nga ndonjë Prokuror “kokëkrisur” në të ardhmen.

Një i tillë rast, që rrezikonte në perspektivë Ilir Metën, ishte kapja e tij në flagrancë nga një video e ish ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, teksa bënte pazare antiligjore parash. Kjo video u bë shkak edhe për nisjen e protestave antiqeveritare nga opozita socialiste, të cilat në 21 janar të vitit 2011 u finalizuan me vrasjen e katër protestuesve në Bulevardin Qendror.

Për këtë ngjarje të bujëshme, ndaj Ilir Metës Prokuroria bëri gjasme nisi hetimet, që shumë shpejt i mbylli nën argumentin se regjistrimet e videos nuk përbënin provë të qenësishme për vijimësinë e mëtejshme të hetimit.

Për të justifikuar këtë veprim skandaloz u sajuan ca ekspertiza “kompetentësh” dhe përfundimisht dosja Meta u mbyll që në hetim, por duke mos e garantuar rifillimin e çështjes nëse zbuloheshin prova e silleshin prova të reja. Gjë që e lejonte neni i pandryshuar i KPP, por që nuk pritet të ndodhë pas ndryshimeve të bëra me uninamitet votash nga deputetët e  LSI, PS dhe PDIU. /CityNEWS

Please follow and like us: