Albspirit

Media/News/Publishing

Suedi, kërcënime ndaj komunitetit hebre; mbyllet shoqata

Shoqata e komunitetit hebre në Suedi ka vendosur të mbyllë dyert për shkak të një sërë kërcënimeve të ardhura nga fraksione të ekstremit të djathtë.

Qendra, e hapur 7 vjet më parë në qytetin Umea, është kërcënuar me kryqin nazist të vizatuar në muret e saj dhe shoqëruar me mesazhe të tipit “ne e dimë ku jetoni”.

Gjithashtu, makinat e anëtarëve të kësaj shoqate janë bërë objekt i sulmeve vandale. Ata deklarojnë se autoritetet nuk kanë mundur t’u ofrojnë sigurinë e duhur.

Zëdhënësja e komunitetit, Carinne Sjoberg deklaroi se shumë njerëz nuk kanë guxuar më të hyjnë në ambjentet e qendrës.

Grupi neo-nazist Nordfront është mbrapa kësaj fushate urrejtjeje, tha zëdhënësja, e cila nisi fillimisht me kërcënime ndaj saj e më pas ndaj anëtarëve të tjerë të komunitetit.

Rasti i fundit ishte ai i fundjavës së kaluar kur dritaret e makinave të anëtarëve të komunitetit u thyen në një seri aktesh vandale.

“Fëmijët tanë shkojnë në shkolla të zakonshme dhe tani prindërit e tyre thonë se nuk duan t’i çojnë më atje. Prindërit e mi janë të mbijetuar të Holokaustit, ndaj dhe kjo që po ndodh nuk është aspak pozitive. Është njësoj si të jesh në vendin e tyre në vitet 1930”, tha Sjoberg për BBC.

Please follow and like us: