Aleati i Bashës:Të fiksohet në Kushtetutë, qeveri teknike 3 muaj para zgjedhjeve
Kreu i LZHK-së dhe aleati I Bashës në koalicionin opozitar, Dashamir Shehu, ka insistuar së fundmi në propozimin e tij për qeverinë teknike. Sipas Shehit për të krijuar besimin e humbur mes palëve për zhvillimin e zgjedhjeve duhet që edhe në tre proceset e ardhshme zgjedhore të krijohen qeveri teknike.
“Ne do të donim një qeveri që në dy apo tre muajt e fundit të jetë e shkëputur nga interesat e kësaj mazhorance që është sot. Unë personalisht e kam shtrirë edhe idenë që kjo lloj qeverisjeje të fiksohet në Kushtetutë që të paktën për 10 – 15 vitet e tjera kushdo qoftë në qeveri, në 2-3 muajt e fundit duhet ta dorëzojë. Ky nuk është transferim pushteti nga njeri krah në krahun tjetër, por një mënyrë për ta distancuar pushtetin nga kutia e votimit. Ky nuk është një avantazh që po ia marrin PS-së, do t’ia rikthenim edhe në kohën kur të jemi në pushtet për të krijuar besimin reciprok përsa i takon zgjedhjeve”.