Loja e dalë boje e Presidentit konsensual
Po qarkullon një lajm së fundmi se Ilir Meta dhe LSI kanë shtuar kushtet për PS-në me kërkesën e presidentit konsensual. Nuk dihet se çfarë do të thotë kjo në kushtet kur me Kushtetutën e re, presidenti nuk ka më kompetencat e dikurshme mbi sistemin e drejtësisë. Nga ana tjetër, nuk është e qartë nëse çështja e presidentit del tani në sipërfaqe, apo është trajtuar që në marrëveshjen e 1 prillit 2013. Në çdo rast, lojëra të tilla provojnë se LSI-ja e Ilir Metës po vepron për të mbushur torbën e vet dhe asgjë më shumë.
Ideja e presidentit konsensual është parazitare në sistemin politik shqiptar. Ajo rrjedh nga Kushtetuta e vitit 1998 që sanksiononte procedurën e miratimit me 84 vota, që do të thotë shumicë absolute e një parlamenti me 140 deputetë. Kjo formulë u realizua vetëm një herë: në rastin e Alfred Moisiut. Asokohe, socialdemokratët e Skënder Gjinushit, aleatë të socialistëve, dolën kundër duke thënë se pazari po i mbivendoset nocionit më legjitim të presidentit kushtetues. Pasi një president kushtetues që është votuar me 84 vota e nënkupton një consensus relativ. Mirëpo edhe Moisiu nuk kaloi pa u anatemuar: konsensusi mbi të nuk shmangu dot polarizimin mbi aktet e tij. Pas tij erdhi Bamir Topi, një president i propozuar nga PD-ja dhe me 6 vota të trafikuara nga PS-ja. Më saktë Fatos Nano. A quhet ky konsensus? Dhe nëse për çfarë shërben ai? Për asgjë, sa kohë që vetë politika që shpik nocione të tilla pa ndonjë vlerë, ndryshoi procedurën për zgjedhjen e presidentit. Bamir Topi konsumoi presidencën më të dobët, për shkak të teatralitetit që karakterizon figurën e tij dhe daljet në publik. Por në çdo rast, polarizimi mbi aktet dhe qëndrimet e tij erdhi më shumë djathtas, nga propozuesit.
Bujar Nishani ishte që në fillim President Kushtetues. U përdor ky term për të mbrojtur miratimin e tij vetëm me votat e njërës palë dhe parashutimin e tij jashtë kontekstit konsensual. Presidenca e Nishanit nuk ka shkëlqyer, por as mund të thuhet se Presidenti aktual nuk ka ditur të bëjë punën e tij. Pika më e debatueshme e sjelljes së Nishanit janë dekorimet me sesn rehabilitimi në kushtet kur nuk ka një version historik relativisht të zbardhur. Mirëpo ky është një aspekt formal, simbolik i prapësueshëm. Nishani nuk ka bllokuar punën e qeverisë, ka ushtruar të drejtat kushtetuese me ligjet dhe emërimet. Ka mbajtur qëndrime, ka thirrur tryeza dhe në të drejtën e tij ka refuzuar dekretime diplomatësh. Këto janë pjesë e punës që ka ecur në hulli kushtetuese dhe me një dinjitet që rrjedh nga respekti i Kushtetutës. Përse shërben atëherë teza e një Presidenti konsensual, kur fare mirë mund të ofrohet ajo për opozitën? As ata që e propozojnë rrezik nuk e dinë, përveç se ngatërron nervat më shumë nga sa janë dhe prishin ndonjë axhendë personale. Vendit kjo kartë që tingëllon bukur nuk i shërben për asgjë. Nëse kërkohet dhe këmbëngulet për President konsensual, atëherë le të sanksionojnë edhe procedurën e zgjedhjes në përputhje me këtë format. Përndryshe, me 71 vota dhe çështja e presidentit do harrohet pas dy ditësh që është zgjedhur.