Albspirit

Media/News/Publishing

Provinca në pasqyrën e thyer

Jetona Koçibeli

Do të doja të flisja për provincën, duke u nisur nga ndjesia që të ofron qetësia e saj, ndonjëherë deri në depresion. Me gjërat e zakonshme në kufijtë e ordineres. Me jetën që përsëritet shumë e më shumë derisa kthehet në rutinë. Por aty ka dicka më shumë. Është ndjesia e intimes.

Më erdhën këto mendime ndërsa shihja ekpozitën “Pasqyrë e thyer” të piktorit pogradecar Anastas Kostandinit, Tasos, i njohur më së shumti.

E gjeja piktorin në kërkim të vazhdueshëm të vetes në artin e tij. E shihja gri provinëcën, pastaj edhe të bronxtë. Ai përpiqej të ndërtonte dicka dhe më pas e shkatërronte, sepse nuk ngopej, nuk mbushej, kërkonte akoma.

Kishte aty oborre me gjithfarëlloj gjërash. Ca tesha të ndera rrëmujshëm, qilare verërash apo rakie. Kishte rrugica, shtëpi, njerëz të së përditshmes, ishte edhe poeti.

Por ato tablo janë të papërfunduara, ose konsiderohen të tilla. Të pakapshme me vështrimin e parë, edhe të një syri të mprehtë. Ato kërkonin gërrmim.

Nuk e di sa shumë nga Tasoja 13 vjecar kishin ato tablo të provicës vendlindje të tij. Ishte viti 1967 kur ai gjatë revolucionit kuturor mori pjesë në shkatërrimin e kishës së qytetit të tij.

Dicka ka mbetur në kujtesën e tij nga ajo kohë. Janë ciflat e shandaneve të thyer. Pasqyrimi i tyre. Ai kujton pastaj imazhet e pafundme që ka parë në pasqyrën e thyer të shtëpisë së tij. Nënën sidomos. Po edhe shumë autoportrete që ka bërë nga ajo pasqyrë. Pa ndjellje të fatit të zi. Një filtër për botën dhe urë lidhëse mes artistit dhe historisë së familjes së tij.

Izolim dhe dramë personale. Një realitet rutinë, i mërzitshëm, edhe shpifës ndonjëherë, por nuk është e lehtë kjo të thuhet nga një artist. Sepse ndjeshmëria e tij është më e madhe. Dhembja e tij është edhe më e madhe. Kërkimi i tij është më i thellë, kurioziteti po ashtu.

Sepse e pashë me ëndërrim të madh edhe unë “Pasqyrën e thyer”, Sepse e poetizova metamorfozën e kërkimeve të tij. Mu ndez edhe mua dëshira dhe kurioziteti fëminor i magjepsjes nga qëmtimi dhe observimi. Por pastaj realiteti më dha një shuplakë për t’u zgjuar.

Sigurisht që po, ky është një realitet shuplakash, që nuk të lenë të ëndërrosh.

Please follow and like us: