Sekretari amerikan i Shtetit do vizitojë Moskën
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, do të vizitojë Moskëm më 11 dhe 12 prill, për të biseduar me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.
Kështu ka njoftuar sot Ministria e Jashtme ruse. Kjo do të jetë vizita e parë e Tillersonit në Moskë, në postin e Sekretarit amerikan të Shtetit.
Ende është e paqartë nëse Tillerson do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.
Bisedimet pritet të fokusohen në sigurinë botërore, Sirinë, Korenë Veriore, Ukrainën dhe çështje të tjera, thuhet në njoftimin për media.
Aty po ashtu thuhet e Rusia “pozitivisht ka vlerësuar përpjekjet e administratës së re amerikane për të përmirësuar raportet” me Moskën.
Vizita e Tillersonit vjen pas tensionimit të raporteve për sulmin e dyshuar kimik në Siri, për të cilin, SHBA dhe vende të tjera, fajësojnë qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad.
Moska, në anën tjetër, ka qëndruar përkrahë aleatit të saj në Lindjen e Mesme, Sirisë, duke thënë se avionët luftarakë sirianë, kanë goditur një fabrikë me armë kimike.