Themeluesi i Ebay-t premton 100 milionë për gazetarinë
Fondacioni filantropik i themeluesit të kompanisë “Ebay” Pierre Omidyar njoftoi të mërkurën se ka premtuar 100 milionë dollarë për pesë vitet e ardhshme për të mbështetur gazetarinë dhe për të luftuar lajmet e rreme.
Konsorciumi Ndërkombëtar për Gazetarët Investigues që njoftoi për Dokumentat e Panamasë, është organizata e parë që merr fonde nga Rrjeti Omidyar, një grant trevjeçar deri në 4.5 milionë dollarë “për të zgjeruar gazetarinë investigative”.
“Në gjithë botën, ne shohim një ringjallje shqetësuese të politikave autoritare që po sabotojnë përparimin drejt një shoqërie më të hapur dhe gjithëpërfshirëse”, tha Matt Bannick, partner menaxhues i Rrjetit Omidyar
“Mungesa e vullnetit qeveritar dhe rritja e mosbesimit tek institucionet, veçanërisht në media, po gërryejnë besimin. Gjithnjë e më shumë, faktet po zhvlerësohen, keqinformimet përhapen dhe përgjegjësia injorohet, kanalet që u japin një zë qytetarëve po tkurren.
Duke e shpallur zyrtarisht nismën në Forumin Botëror Skoll për sipërmarrje sociale në Oksford të Anglisë, Rrjeti Omidyar premtoi gjithashtu të mbështesë Ligën Kundër Shpifjeve, që i kushtohet anti-semitizmit dhe Aleancën Latino-Amerikane për Teknologji.