Albspirit

Media/News/Publishing

Zëvendësi i Xhafajt, i dënuar për trafikim makinash të vjedhura

Zëvendësministri i Brendshëm, Ilir Marko, ka qenë i dënuar me 4 vjet burg, një vendim që më pas është prishur për shkak se prokurori i çështjes e tërhoqi akuzën kur ajo ishte shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Dënimi i është dhënë më 16.02.2006 nga Gjykata e Faktit në Tiranë, për trafikim të mjeteve motorike të vjedhura. Ai është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit më 20.09.2006. Ilir Marko i ka shënuar këto dënime në formularin e vetëdeklarimit në bazë të ligjit të dekriminalizimit. Lapsi.al i disponon të dyja vendimet gjyqësore.

Por më 18.04.2007 Gjykata e Lartë i prish vendimet e Shkallës së Parë dhe Apelit dhe e rikthen çështjen në Shkallën e Parë për rigjykim. Më 05.03.2008 Gjykata e Shkallës së Parë ia kalon aktet e cështjes organit të prokurorisë për hetime të mëtejshme. Gjashtë muaj më vonë prokurori e tërheq akuzën. Dokumenti i datës 05.09.2008 disponohet nga lapsi.al me të gjithë argumentimin e prokurorit Dritan Rreshka.

Në raportin hetimor të prokurorit tregohet e gjithë rruga se si është trafikuar nga Italia në Shqipëri një Passat që më vonë u targua me target TR 0101. Atë e kishte sjellë në Shqipëri shtetasi italian Massimiliano Lacorotondo. Ky mjet u bllokua nga policai e Tiranës më 28.05.2004, për aryse se rezultonte i vjedhur në Itali më 26.08.2003 ku kishte mbajtur target CD 260 TB. Makina iu kap shtetasit Admir Lumani, i cili deklaroi se ajo ishte në pronësi të firmës “Quinda” dhe se ai ishte vetëm shofer. Nga sekuestrimi i praktikës për blerjen e makinës rezultoi se “Quinda” ia kishte blerë makinën më 07.10.2003 Ilir Markos, i cili kishte punuar si menaxher në këtë subjekt. Hetimet zbuluan se makina ishte futur në Shqipëri nga shtetasi italian Massimiliano Locorotondo dhe më pas ishte deklaruar i vjedhur në policinë italiane. Passati i përkiste një subjekti që jepte makina me qera “Avis Rent Car”. Dokumentat provonin se makina kishte hyrë në territorin shqiptar më 19.08.2003, sipas vërtetimit të hyrjes nr. 263 të lëshuar nga Pika e Kalimit Kufitar të Kapshticës dhe si person është regjistruar Ilir Marko. Ai ka nënshkruar edhe deklaratën doganore nr. 8050, datë 19.08.2003 pranë Doganës së Kapshticës dhe më pas ka likuiduar edhe detyrimet doganore në vlerën 211.292 lekë pranë degës së Bankës së Kursimeve të Korçës. Me këto dokumenta Ilir Marko paraqitet në DRSHTRR në Tiranë për ta pajisur mjetin me leje qarkullimi dhe targa, në emër të tij.  Ai ka përdorur edhe një kontratë shitblerje të mjetit që mban datën 18.08.2003, të hartuar në zyrën e noteres M.Sh. Marko rezulton blerës i mjetit, ndërsa italiani Massimiliano Lacorotondo shitës i tij. “Por kjo kontratë që është përdorur nga Ilir Marko për ndryshimin e pronësisë dhe marrjen e targave në DRSHTRR rezulton të jetë e falsifikuar”, thotë prokurori në relacionin e tij. Ai sqaron se kontrata origjinale e sekuestruar në zyrën e noteres M.Sh. mban datën 06.08.2003. Prokurori mban në konsideratë në raportin hetimor se nga këto veprime Ilir Marko dhe Massimiliano Lacorotondo u dërguan në gjyq më 07.06.2004 për trafikim të mjeteve motorike në bashkëpunim dhe se Gjykata e Tiranës vendosi të shpallë të pafajshëm italianin Lacorotondo dhe fajtor Ilir Markon, të cilin e dënon me 4 vjet burg. Pasi çështja përfundoi në Gjykatën e Lartë, kjo gjykatë vendosi rishqyrtimin e saj në Shkallën e Parë me një trupë tjetër gjyqësore. Kjo për faktin se Ilir Marko ka pretenduar se nuk ka qenë në dijeni që ndaj tij po zhvillohej një çështje penale. “Vendimi i Gjykatës së Apelit në Tiranë dhe i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë duhet të prishen, pasi prej gjykatave, nuk janë respektuar kërkesat procedural për marrjen e administrimin e provave dhe njoftimin e të pandehurit”, thuhet në vendimin e Gjykatë së Lartë.

Më 05.03.2008 prokurori Rreshka kërkon tërheqjen e akuzës në ngarkim të të pandehurit Ilir Marko, kërkesë kjo që është pranuar nga Shkalla e Parë. Prokurori thotë se i ka kërkuar zyrës konsullore greke në Shqipëri informacion nëse Ilir Marko ka qenë i pajisur ndonjëherë me vizë greke, për të provuar nëse ai ka hyrë nga Greqia në Kapshticë me mjetin e vjedhur, siç rezultonte në dokumentacionin që ai kishte paraqitur për të targuar makinën. Më 19.06.2008 ambasada greke kthen përgjigje negative: Marko nuk kishte marrë ndonjëherë vizë greke për vitin 2003. Edhe policia kufitare në Gjirokastër vërtetoi se Ilir Marko nuk kishte hyrë apo dalë ndonjëherë nga pika e kalimit kufitar të Kakavijës. Verifikimet e mëtejshme në policinë e kufirit vërtetojnë se Ilir Mako rezulton me 4 hyrje – dalje jashtë Shqipërisë ku vetëm njëra prej tyre është bërë në Kakavijë më 20.03.2006. Me këtë argumentim prokurori provon se Ilir Marko nuk ka qenë personi që e ka futur makinën e vjedhur nga Greqia, pasi ai e ka patur të pamundur, për arsye se nuk ka patur vizë greke. Ky argumetim e çon prokrorin te një shkelje tjetër ligjore e Ilir Markos, ajo e falsifikimit të dokumentave zyrtarë. Në këtë mënyrë, rezulton se Ilir Marko kishte falsifikuar vërtetimin e hyrjes së makinës, duke e bërë në emrin e tij, me dijeni të plotë, si dhe datën e blerjes së makinës. Dhe ja si e sqaron më tej prokurori vendimin e tij për ta tërhequr akuzën. “Në analizën e fakteve dhe rrethanave të përmendura më lart rezulton se nuk arrihet të provohet akuza e ngritur në ngarkim të të pandehurit Ilir Marko për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorike. Sipas përmbajtjes s ëkësaj dispozite dhe në këndvështrimin të anës objektive vepra konsiderohet e konsumuar nëpërmjet importimit, eksportimit, tranzitimit dhe tregtimit në kundërshtim me ligjin e mjeteve motorike me qëllim përfitimin material. Është provuar nga hetimi se mjeti tip “Passat” me targa TR 0101 J është vjehur në Itali me 26.08.2003 dhe është futur në territorin shqiptar nëpërmjet territorit të shtetit grek, por nuk arrihet të provohet se ky mjet të ketë hyrë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kakavijës/Gjirokastër apo Kapshticës/Devoll si mjet në përdorim të të pandehurit Ilir Marko dhe rrjedhimisht të jetë importuar apo tranzituar prej tij… Për më tëpër gjatë hetimeve është administruar një kontratë shitblerje datë 18.08.2003 hartuar në zyrën e noteres M.Sh. ku i pandehuri Ilir Marko rezulton si blerës i mjetit, ndërsa shitës i tij është i pandehuri Massimiliano Lacorotondo… Në këto kushte nuk mund të mos vlerësohet edhe version i paraqitur nga i pandehuri Ilir Marko nëpërmjet mbrojtësit të tij se mjetin e ka blerë me kontratë noteriale duke qenë i bindur se po blente një mjet të rregullt, dokumentacioni i të cilit është kontrulluar edhe nga noteri”.

Prokurori Dritan Rreshka pranon nga ana tjetër se Ilir Marko ka kryer dy falsifikime. Njërit, atij të ndryshimit të datës së kontratës së shitblerjes i referohet në mënyrë të plotë, ndërsa falsifikimin e vërtetimit të hyrjes së mjetit nga Kashptica, e prek si “ndonjë falsifikim tjetër të gushtit 2003. Megjithatë prokurori thotë se për këto falsifikime Ilir Marko nuk mund të ndiqet penalisht. Ai shpjegon edhe arsyet: “Përsa i përket ndryshimit të datës së kontratës së shitblerjes të përdorur përpara DRSHTRR-së Tiranë për pajisjen e mjetit me leje qarkullimi dhe targa apo ndonjë lloj tjetër falsifikimi të bërë në këtë kohë (gusht 2003), në kuptim të nenit 186 (sipas përmbajtjes së tij në kohën në fjalë) dhe nenit 66 të Kodit Penal, nuk mund të bëhet ndjekje penale pasi nga koha e kryerjes së veprës penale dhe deri në çastin e marrjes së personit si i pandehur kanë kaluar 5 vjet për një krim që parashikon një masë dënimi deri në 3 vjet burg për rastin konkret.”

Prokurori vendos në fund ta pushojë çështjen, duke sqaruar, sipas provave, se makina ishte futur në Shqipëri nga italiani Massimiliano Lagorotondo dhe se falsifikimet e mëtejshme ishin bërë nga Ilir Marko. Ai thotë se kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor në Tiranë. Por kusht do ta ankimonte këtë vendim? Ilir Marko, gjatë kohës së zhvillimit të procesit gjyqësor punonte te një kompani private e telefonisë fikse. Pas vitit 2013 ai punoi në Ministrinë e Brendshme dhe më 20 janar 2016 u emërua zëvendësministër i Brendshëm, duke zënë vendin e Ilir Mustafarajt, i cili doli në pension.  /Lapsi.al, 01 Qershor 2016/

Please follow and like us: