Albspirit

Media/News/Publishing

BBC rihap seksionin serb

Në një shenjë që mund të simbolizojë zhvillime të pafavorshme në Ballkan, gjigandi mediatik botëror BBC do të rifillojë transmetimet në serbisht “online”.

Vetëm 6 vjet pas mbylljes së transmetimeve radiofonike nga Londra të disa gjuhëve, përfshi edhe seksionin shqiptar të kësaj medie, BBC njofton rifillimin e shërbimit informativ “online” në serbisht. Drejtoresha e Shërbimit Botëror të BBC, Francesca Unsëorth, tha: “Jam e kënaqur që jemi në gjendje të përçojmë gazetarinë tonë të pavarur, të paanshme tek sa më shumë njerëz në mbarë botën. Nga kjo do të përfitojë dhe shërbimi ynë i lajmeve në Britani, duke na ofruar më shumë kapacitete për të raportuar lajme nga Ballkani dhe Evropa Lindore”.

BBC filloi për herë të parë transmetimet nga Londra në serbo-kroatisht në vitin 1939, që në atë kohë quhej Shërbimi Jugosllav i BBC.
Kjo redaksi u mbyll në vitin 2011 bashkë me “BBC në Shqip” dhe disa gjuhë të tjera nga Evropa Lindore, pas një vendimi të konsultuar bashkë me “Foreign Office”, që edhe financon Shërbimin Botëror të BBC.

Nëse rihapen transmetimet në gjuhë të caktuara, si në këtë rast në serbisht, presupozohet se rajoni rikonsiderohet problematik. Ka një shqetësim kohët e fundit në Perëndim për ndikimin mediatik dhe jo vetëm rus në Ballkan.

Ndërkohë, burime diplomatike britanike e patën paralajmëruar Top Channel-in muaj më parë për një zhvillim të tillë dhe ndoshta mund të mos jetë larg dita që një gjë e tillë të ndodhë edhe me “BBC në Shqip”, i mbyllur para gjashtë vjetësh bashkë me “BBC në Serbisht”.

Please follow and like us: