Albspirit

Media/News/Publishing

Bojaxhi: Flirti PD-LSI? Meta i bën llogaritë me laps dhe letër për interesat e veta

Kreu i partisë ‘‘SFIDA për Shqipërinë’’, Gjergj Bojaxhi thekson se kriza politike në vend ka vetëm një emër; liderët e partive të mëdha politike.

Në një intervistë për Tirana Today, Bojaxhi vë në dukje se tre forcat kryesore PS, PD dhe LSI janë shkaktarët e gjendjes në të cilën gjendet vendi.

I pyetur për flirtin politik midis kreut të PD-së, Lulzim Bashës dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta, Bojaxhi shpjegon se kreu i LSI-së është simboli i klasës sonë politike që kujdeset vetëm për interesat personale.

Cili është mendimi juaj lidhur me situatën politike në vend? A është e drejtë “Veto” e PD-së për zgjedhjet e 18 qershorit dhe sjellja e qeverisë ndaj krizës politike?

Besoj se tre partitë kryesore aktuale, edhe këtë herë, po shfaqin hapur prirje për të krijuar krizë në vend. Kjo nuk është hera e parë. I kemi parë shpesh se si ndryshojnë vendet mes tyre dhe sjelljet i kanë njëlloj. Kështu, ne gjendemi shpesh duke diskutuar rreth interesave të tyre politike, rreth mundësive të tyre për koalicion apo qeverisje dhe ndërkohë askush nuk merret me problemet e qytetarëve. Opinioni publik humbet tërësisht në zhurmën e pazareve të tyre, ndërkohë që problemet mbeten pa zgjidhur. Kjo duhet ndryshuar.

Si e gjykoni ping-pongun politik dhe flirtin e vazhdueshëm të z. Meta midis PD-së dhe PS-së?

Meta është simbol i kësaj klase politike. Me laps e letër, kujdeset vetëm për interesat personale dhe partiake. Interesat e qytetarëve ekzistojnë për ta vetëm te retorikat boshe. Partia SFIDA për Shqipërinë ekziston pikërisht si një shkëputje me këtë mënyrë të bërit politikë.

A mendoni se partitë e vogla do të sjellin ndonjë ndryshim në këto zgjedhje, në një kohë që partitë e mëdha e kanë humbur besimin e tyre në popull?

Po. Besoj se janë zgjidhja e vërtetë. Asnjë reformë dhe asnjë vullnet i kësaj klase politike, që i ka krijuar këto probleme, nuk mund të jetë zgjidhja. Shqipëria do të ecë përpara kur të ndryshojë ky model politikëbërjeje. SFIDA për Shqipërinë ka investuar me krijimin e saj pikërisht për të krijuar një model politik ndryshe. Jemi partia e vetme që nuk jemi krijuar nga kolltukët e politikanëve. Misioni ynë është një politikë e pastër drejt një Shqipërie që punon dhe kjo mund të arrihet me votë.

Bojaxhi, ju jeni shprehur vazhdimisht se synim për SFIDA-n është të jetë një zë i fuqishëm në Parlamentin shqiptar. Sa deputet mendoni të dalin nga zgjedhjet e ardhshme dhe cilin vend synoni në renditjen numerike të partive shqiptare ( PS, PD, LSI…)?

SFIDA për Shqipërinë nuk beson te politika bazuar në numra e shifra, por në parime. Për këto zgjedhje, ne vazhduam të mblidhnim firma edhe pasi arritëm numrin e nevojshëm për t’u regjistruar, sepse në këto zgjedhje duam të tregojmë që jemi shumë! Jemi shumë të pakënaqur nga niveli i kësaj klase politike. Jemi shumë që ndihemi të papërfaqësuar nga kjo klasë politike. Jemi shumë që mendojmë se, megjithë problemet e saj, Shqipëria ka shpresë dhe shumë potencial. Jemi gati të dalim kundër kësaj klase politike dhe të fitojmë.

Please follow and like us: