Dekriminalizimi 100 vjet më parë
Armand Plaka
Ndërsa dje KQZ-ja doli me një deklaratë për detyrimin që duhet të kenë tani e tutje kandidatët për poste publike e të zgjedhurit e popullit të të gjitha niveleve, për të bërë të ditura jetëshkrimet e tyre ( sot rëndom njihen si CV), duket sikur kjo përbën ne vetvete një risi. Por ky veprim që siguron pikësëpari transparencë dhe është pra ABC-ja e demokracisë, duket se ka qenë një fenomen shumë i moçëm e rutinor, fillimet e të cilit gjenden qysh në rrënjët e demokracisë.
Nëse i referohemi të paktën 200 vjetëve të fundit, do të gjejmë plot shembuj nga bota e madje edhe nga vendi, çka tregon se përballja reale e profileve të njerëzve që do të duhej të drejtonin vendin, ka qenë një normë edhe në periudha shumë më të vështira e më të largëta historike. Kjo ka ndodhur në fillimvitet ’20 në zgjedhjet e para demokratike në vend, për të vijuar me vitet ’30 e madje edhe në vitin 1945, ku Enver Hoxha dhe CV-ja e tij, si kandidat i Frontit Demokratik, mund të lexohej e plotë e përcjellë edhe në mediat perëndimore, që i referoheshin pikërisht mediumeve shqiptare të kohës.
Madje, kjo ka ndodhur qysh në epokën e parlamenteve të fundmit osmane të kohës, ku bënin pjesë edhe deputetët që përfaqësonin vilajetet shqiptare. Veç CV-së, në to publiku njihej edhe me idetë e programin që përfaqësonte ky apo ai profil kandidati dhe grupimi i tij politik.
Në mungesë të internetit, mediave sociale e asaj elektronike, gjatë asaj periudhe, shtypi i ditës ishte mediumi kryesor në të cilin pasqyroheshin të dhënat e kandidatëve dhe të zgjedhurve nga populli. Nëse do merrnim si etalon periudhën e Zogut, sidomos të njohur ishin profilet e deputetëve e ministrave, shtuar këtu edhe CV-në e vetë monarkut, e cila trajtohej sigurisht me shumë elegancë e kujdes dhe aktualizohej vazhdimisht me të dhëna të reja, duke e hasur thuajse në të gjitha gazetat e revistat e kohës .
Nisur nga sa më sipër, më ngacmoi një artikull ( botuar në “Minerva”, nëntor-dhjetor 1934) apo më mirë, një pjesë e një cikli me CV-të e të gjithë deputetëve të legjislaturës përkatëse të Parlamentit Zogist në vitin 1934, ku qysh në hyrje të tij, citohet fakti se kjo iniciativë kishte hasur në shumë debate nga ana e lexuesve, aq sa ata ( dmth redaksia e gazetës) ishin detyruar ta ndërprisnin e ta rinisnin sërish, duke shpjeguar se: “Ne këtë punë e bëjmë thjesht për kujtim historik, pa kurrfarë interesi apo prapamendimi, duke i bërë ne vetë shpenzimet e klishéve ( dmth të botimit). Deputetët – e jo të gjithë- kanë paguar vetëm pajtimin e rregullt.”
Ndërsa duket qartë një foto e madhe e mentorit, apo këshilltarit personal të ish-monarkut Zog, Abdurrahman Mati (Krosi) si përfaqësues i zonës së Dibrës,( i njohur për rolin e tij shumë kontrovers dhe i kthyer madje në objekt legjendash urbane, të cilat janë mbajtur gjallë deri në ditët tona), bie në sy menjëherë CV-ja e Fejzi Alizotit, deputet i Gjirokastrës, për të cilin, vetë artikullshkruesi në parantezë thotë se: “Jetëshkrimi i tij është mjaft i gjatë, siç është dhe ai vetë, plot lëvizje e gjallëri”.
Më tej vijon me emra të tjerë deputetësh, të cilët edhe një njeriu me njohuri mediokre në histori, i sjellin ndërmend një fakt: bëhet fjalë për burra me peshë e njerëz me kontribute patriotike, ardhur nga qarqet më të shquara intelektuale të kohës e që gëzonin reputacion të palëkundur në zonat nga ato vinin. Askush prej tyre nuk mund të thuhet se ishte një njeri rastësor në politikë, i panjohur e pa kontribute, duke bërë kështu që parlamenti i përftuar nga ato prurje, të vijojë të mbetet paradoksalisht ndoshta nga më cilësorët e të gjitha kohërave.
Këtë fakt e forcon më shumë sidomos cilësia e legjislaturës aktuale, e cila njohur një kulm në këtë aspekt, sidoqoftë, me kahje të kundërt. Nisur nga sa më sipër e përshëndes vendimin e fundit të KQZ-së, sa të ri e të mirëpritur si lajm, aq edhe të vjetër në përmbajtje.