Dështimi ekonomik i Rilindjes
Ndërsa vëmendja është përqendruar tek kriza politike dhe zgjidhja e saj, vëmendja mbi zhvillimet ekonomike ka rënë këto javë, por jo angazhimi propagandistik rilindës që rreket të argumentojë se rilinden ekonominë e gëzuan shqiptarët. Vetë shifrat Rilindëse të mbylljes së vitit 2016 vërtetojnë të kundërtën.
Ne tre vitet Rilindëse, 2014-2016, është investuar më pak dhe më keq. Formimi brut i kapitalit fiks, në çmime bazë ato 2010, arriti në 1064 miliardë lekë vlerë e shtuar nga 1070 miliard lekë në 2010-2012. Në katër vite distancë kohore mes dy 3-vjeçarëve rritja duhet të ishte të paktën 12% e jo me rënie. Nëse konsiderojmë se një pjesë e mirë e investimeve janë nga projekte të kontraktuara e të nisura para vitit 2013 në energji elektrike apo gazsjellësin TAP, pjesa e investimeve të reja, përfshirë ato të huaja ka rënë ndërsa trashëgimia investuese, në formën e projekteve a kontratave, që 3-vjeçari Rilindës i lë pasardhësit, është mjerane. Brenda këtyre shifrave, investimet me fonde publike, me fatura të fryra artificialisht, janë orientuar kryesisht në përmirësime fasadash.
Ndërsa industria ka pasur një rritje të kënaqshme prej 18% (në distance kohore 4-vjeçare), falë konjkuturës së favorshme ndërkombëtare dhe investimeve të kryera para vitit 2013 në miniera, naftë, energji etj, bujqësia ka patur një rritje modeste 9% ndërsa ndërtimi ka vijuar rënien e fortë me -17% në 3-vjeçarin rilindës.
Si për ironi, rritja ekonomike në 3-vjeçarin rilindës ka ardhur nga rritja e burokracisë ekonomike, rezultat i rritjes së burokracisë shtetërore dhe i asaj korporative, kjo e dyta pasojë e rritjes së kontrollit të tregjeve nga më pak biznese. Sektori që përfshin shpenzimet administrative e mbështetëse në 3-vjeçarin rilindës është rritur me 70% krahasuar me 2010-2012. Ekonomisë shqiptare dhe shqiptarëve ju është dashur të paguajnë një kosto shtesë prej 95 miliard lekë vlerë e shtuar apo afro 690 milion euro, fonde këto që mund të ishin përdorur në sektorë produktive me efekt pozitiv në rritje dhe mirëqënie.
Vetë shteti rilindës ju ka kushtuar më shtrenjtë shqiptarëve. Shpenzimet shtetërore në 3-vjecarin rilindës janë 70 miliardë lekë më shumë vlerë e shtuar apo rreth 510 milion euro më shumë kundrejt atij 2010-2012. Si për ta bërë më qesharake e me therëse njëkohësisht, del se rritja ekonomike ka ardhur edhe nga rritja e shpenzimeve argëtuese me rreth 100 milion euro vlerë e shtuar më shumë.
Natyrisht, është shteti rilindës dhe oligarkia e vet që kanë shpenzuar më shumë për argëtim e jo shqiptarët e zakonshëm të cilëve iu është dashur të shtrëngojnë fort rripin. Konsumi 3-vjeçar rilindës është rritur me 6.7% por distanca kohore 4-vjeçare mes dy 3-vjeçarëve e bën këtë rritje fare, fare minimale. Ndërkaq, sektori që përmbledh tregetinë me shumicë e pakicë të çdo lloji, shërbimet e ndryshme të nevojave të përditshme, transportin e çdo lloji, baret, restorantet, hotelet etj, me 630 miliardë lekë vlerë e shtuar në 2014-2016, është po aq, fiks 630 miliard lekë vlerë e shtuar në 2010-2012.
Nga këto rezultate dalin tre përfundime. Së pari, shqiptarët e thjeshtë që shërbehen e shpenzojnë kryesisht në këtë sektor, nuk kanë rritur konsumin por e kane ulur atë, kanë shtrënguar rripin. Së dyti, ndonëse mund të jetë shtuar disi numri i vizitorëve të huaj – gjë mëse e zakonshme me kalimin e kohës – rritja e turizimit, që shërbehet i gjithi nga ky sektor, i bie të jetë fare, fare modeste në 3-vjeçarin rilindës. Së treti, ç’kanë ngrënë e pirë më shumë turistët e kanë pakësuar në konsumin e tyre të përditshëm shqiptarët e thjeshtë, pra shtrëngimi i rripit është edhe më i fortë se ç’duket me shikim të parë, edhe me fort nëse konsiderojmë shkallën më të lartë teë formalizimi në tre vitet rilindëse.
Sa për përmirësimin e treguesve formale të rritjes ekonomike nga vit i parë në atë të tretë rilindës, mjafton të konsiderohet situata më e favorshme në eurozonë këto vitet e fundit për të konkluduar se përmirësimi rilindës ka qenë veçse produkt i efekteve të jashtme pozitive dhe, për shkak të politikave të gabuara e të dëmshme rilindëse, përmiresimi ka qenë shumë më i dobët se ç’duhej të kishte qenë.