Koha për një takim të dytë Rama-Basha
Skënder Minxhozi
Hyrja në lojë e Ilir Metës në momente krizash ka prodhuar rregullisht kthesa dhe të papritura. Një aftësi e admirueshme e kreut të LSI, nëse gjykohen interesat e tij të ngushta partiake, por jo gjithmonë një gjë e mirë për interesin e gjerë publik. Sidomos kësaj rradhe, kur Meta ka vendosur t’i habisë të gjithë me propozimet e tij. Miq, kundërshtarë dhe madje edhe më indiferentët e këtij vendi.
Propozimi i Ilir Metës thotë se, për hir të zgjidhjes së krizës, LSI është e gatshme që të ofrojë Petrit Vasilin për Flamur Nokën. Me fjalë të tjera, i propozon Ramës që së pari të bindë Bashën që ai të mbetet kryeministër dhe së dyti, pasi ta ketë bindur atë, të heqë Vasilin apo Panaritin dhe ftojë në qeveri dikë midis Nokës, Strazimirit dhe Ristanit apo Palokës. Të cilët do të shënojnë në CV e tyre sa të jenë gjallë, se kanë qenë në karrierën e tyre politike nja dy muaj edhe…ministra të Edi Ramës! Vetëm pasi ta shohë në jetë këtë “minotaur elektoral”, LSI do të bindet që të futet në zgjedhje. Ndryshe as që bëhet fjalë, thonë përfaqësuesit e kësaj partie.
Kjo ofertë në kufinjtë e një spektakli humori, dëshmon sesa poshtë ka rënë respekti për Kushtetutën, institucionet, zgjedhjet, për vetë profesionin e politikës dhe mbi të gjitha për qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Por dëshmon para së gjithash edhe nevojën urgjente të një komunikimi direkt mes dy partive të mëdha të vendit, si bartëset e përgjegjshmërisë kryesore të mbi një milion e treqind mijë votave të votuesve shqiptarë.
Lulzim Basha ka pasur shumë të drejtë ta hedhë poshtë të mërkurën paradite propozimin e LSI, për të marrë vendet e saj në qeverinë aktuale. Megjithëse taktikisht kreu i opozitës ja faturoi këtë variant qesharak Ramës, në fakt ai i dha përgjigje një oferte zyrtare që erdhi nga LSI.
Është shumë e ndershme që kreu i opozitës të mbajë pozicionin e qeverisë teknike, duke luftuar për largimin e kundërshtarit të tij kryesor nga skena, sesa të shohim formula e propozime pa kuptim. Ka qenë e nevojshme prej kohësh që mes dy partive të mëdha të ketë komunikim, në vend të gjuhës acide të këtyre muajve. Është arkaike që dy forcat politike nuk kanë ditur të mbajnë kanale komunikimi për temat e mëdha të axhendës politike, aq sa është e pakuptimtë që takimi i parë Rama-Basha i qershorit të vitit të shkuar, nuk u pasua nga një inerci kooperimi mes palëve.
Është koha për një takim të dytë Rama-Basha. Sa më shpejt aq më mirë. Dhe mundësisht pa palë të treta në mes, të cilat tërheqin të gjitha nga vetja, më shumë se nga mbajtja e zgjedhjeve, votimi i reformës në drejtësi dhe i të tjerave piketa madhore në rrugën e politikës shqiptare. Jetojmë në vitin 2017, një takim politik i nivelit të lartë nuk duhet të jetë kurrsesi një luks i rrallë dhe një ngjarje me përmasa biblike. Është një praktikë që e përdorin të gjitha vendet ku politika është komunikim, e jo hile. Si këto hilet që po shohim këto orë, të cilat vetëm zgjidhjen e krizës nuk e kanë qëllim. Të kundërtën ndoshta.