Kur jeta merr të tatëpjetën, “Zoti i Hollywood-it” infektohet me Covid-19
Ish-producenti, Harvey Weinstein është infektuar me Covid-19. Edhe pse ndodhet në burg ku vuan dënimin për ngacmim seksual dhe përdhunim, 68-vjeçari ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Ai është vendosur në izolim në ambientet e burgut, ndërsa për rastin kanë reaguar edhe avokatët e tij, të cilët kërkojnë të merret në konsideratë gjendja e tij shëndetësore pas komplikacioneve të tjera kohët e fundit.
Weinstein është dënuar me 23 vjet heqje lirie nga gjykata më 11 mars.
Më shumë se 80 gra, përfshirë aktore të famshme, e kanë akuzuar atë për abuzime seksuale. Skandali i bujshëm lindi në tetor të vitit 2017 kur “New York Times” publikoi një histori që detajonte dekada akuza për ngacmime seksuale në drejtim të Harvey Weinstein.
Aktoret Rose McGowan dhe Ashley Judd ishin mes të parave që dolën hapur kundër tij. Ato e akuzonin se ai i detyronte ta “masazhonin” , ta shihnin lakuriq dhe të kryenin akte seksuale në zyrë, ndërsa në këmbim iu premtonte karrierë, pushtet ose para.
Furia kundër Weinsteinit çoi në krijimin e asaj që u quajt lëvizja “#MeToo”, që pa qindra gra të akuzonin meshkuj të profilit të lartë në biznes, qeveri dhe mjedise të tjera për abuzime seksuale dhe ngacmime.
Gjyqi mori një vëmendje të lartë publike pasi Weinstein është një prej producentëve më të famshëm të Hollywoodit. Filmat e prodhuar prej tij kanë siguruar më shumë se 81 çmime “Oscar” që prej vitit 1999, dhe ai cilësohej si “Zoti” i tyre