Albspirit

Media/News/Publishing

Marrëveshja e vitit 2002, pasqyra që tregon Ramën e vërtetë

Oerd Bylykbashi 

5 prill 2002-2017 – Një përvjetor që vlen si epitaf mbi varrin e konsensusit vullnetmirë.

Sot mbushen 15 vjet nga marrëveshja historike politike Berisha-Nano e 5 prillit 2002, e cila pati për dëshmitarë edhe dy ambasadorë që lanë gjurmën e tyre ne vendosjen e konsensualitetit politik në Shqipëri, gjermanin Geert Ahrens i OSBE dhe danezin Jorgen Grunnet i Këshillit të Europës.

Me atë marrëveshje që u parapri nga 5 muaj negociata konfidenciale dhe publike (22 shkurt 2002 dhe 17 mars 2002) ku kam patur fatin të marr pjesë, mori fund kriza politike e zgjedhjeve të masakruara e të vjedhura të viteve 2000 dhe 2001 dhe kriza e zgjedhjes së presidentit me vota të një mazhorance të vjedhur dhe u vendos fillimi i reformës konsensuale zgjedhore, zgjedhja konsensuale e presidentit ndryshimi i Prokurorit të Përgjithshëm dhe shefit të SHISH.

‎Ajo ishte marrëveshja që shtroi rrugen për një dekadë reformash dhe politike, kushtetuese dhe ligjore konsensuale e cila u mbyll për fat të keq me miratimin me konsensus të Kodit Zgjedhor në 2012. Ishin ato reforma kushtetuese dhe ligjore që stabilizuan vendin dhe mundësuan MSA, anëtarësimin në NATO, pranimin e aplikimit për antaresim në BE, liberalizimin e vizave, siguroi rotacionin politik paqësor të 2005 dhe atë të 2013‎. Ky i fundit siguroi edhe statusin e vendit Kandidat.

Rama nuk arriti kurrë të prodhonte konsensus të tillë. Mbeti një lojtar i kësaj loje, maksimumi një mesfushor, por nuk arriti kurrë të ishte protagonisti i barabarte i një konsensusi politik. Asnjëherë nuk pati kurajën të nënshkruante një marrëveshje politike me kundërshtarin e tij. Por ta linte me kaq, përsëri do të ishte mirë.

Përkundrazi, në katër vitet e fundit ‎bëri ç’mos që ta shkatërronte konsensualitetin në politike.‎ E nisi në 2013 me prishjen e paktit kushtetues për te mos futur kriminele ne parlament e politike vetëm e vetëm qe te merrte pushtet. Vazhdoi me reformën e njëanshme territoriale qe kishte vetëm qellim elektoral për kapjen e pushtetit dhe me te cilën shkatërroi një nga themelet e stabilitetit politik e demokratik, vazhdoi me tej me reformën e njëanshme te drejtësisë ku theu edhe konsensusin kushtetues te 22 korrikut 2016, dhe e përmbylli me mosberjen e një reforme konsensuale zgjedhore, për here te pare pas 15 vitesh.

Ndokush mund te thotë se këto reforma patën bekim ndërkombëtar. Po, e mbështetur, asistuar dhe bekuar nga ndërkombëtaret ishte edhe reforma e njëanshme zgjedhore e 2000 qe ishte po aq e rëndësishme sa ç’është sot Reforma ne Drejtësi e 2016. Ajo reforme i dha të gjithë kontrollin e zgjedhjeve qeverisë socialiste, prodhoi katastrofat e zgjedhjeve lokale të 2000 dhe Dushkun dhe masakrën e zgjedhjeve të 2001. Me pas iu deshën 10 vjet ndërkombëtarëve të tjerë të stabilizonin gabimin e reformës së vitit 2000. Nëse nuk mësojmë vetë nga historia, historia ta jep leksionin me forma te tjera.

Kjo është trashëgimia politike e Ramës që e sheh veten reformator me kazëm dhe qysqi në dorë. Ky përvjetor e nxjerr zbuluar ketë kazmaxhi qe bën marrëveshje vetëm kur është i dobët ose ne hall, përndryshe i ve kazmën çdo gjeje te arritur me besim e konsensus. Ky përvjetor e tmerron Ramen sot kur Opozita dhe aleatet e tij po i kërkojnë zgjedhje te lira e te ndershme‎ te bëra nga një qeveri teknike ku ai nuk do te jete kryeministër.

Sot është gjithmonë e me i vetmuar, dhe duke i mbyllur derën arsyes, i ka mbyllur derën edhe konsensusit te gjere qe do risjelle normalitetin, stabilitetin dhe rikthimin ne rrugën e integrimit si vend pa krim, droge e pa korrupsion. E kujt i duhet një kryeministër i tille, qe krihet ne “pasqyrën magjike” te 1 milion votave te shkuara e te konsumuara dhe pyet pasqyrën kush është me e bukura e mbretërisë?

Marrëveshja Berisha-Nano e 2002 sot e ka mbaruar funksionin e saj. Madje trashëgimia e saj është vrare nga Rama dhe te gjithë ata qe e bene mbret, e mbajtën mbret dhe e sollën deri ne ketë derexhe, pavarësisht pendesave. ‎Sot me shume se kurrë, është nevoja për një konsensus te ri qe bazohet mbi moral dhe parime. Atij qe konsensusi i duket antivlere apo dicka e keqe dhe e dëmshme, duke perifrazuar Oscar Wild, ben mire te riekzaminoje ndërgjegjen e tij sepse me siguri diçka i është qelbur ne shpirt!

Te gjitha këto “pseudoreforma” te Rames ne 4 vitet e fundit, te cilat kane derrmuar apo rrenuar kolonat dhe themelet e kushtetutës dhe kane deformuar përfundimisht arkitekturën e saj, bashke me vrasjen e politikes konsensuale, bëjnë te nevojshme një ngrehine kushtetuese te re, krejt te re, qe Opozita e ka pagëzuar Republika e Re. Por qe ne çdo rast ne themel duhet te këtë parimin europian te konsensusit për vlerat dhe çështjet themelore.

Marrë nga FB e autorit 

Please follow and like us: