Albspirit

Media/News/Publishing

“Zgjidhja” Kokëdhima, një platformë anti Rama

Panajot Zoto
Ditët e fundit ka njohur një rritje të ndjeshme protagonizmi i ish-deputetit Kokëdhima në jetën politike të vendit. Duke i dhënë vetes peshën e një politikani që mund e duhet të thotë fjalën e vet në zgjidhjen e ngërçit politik që ekziston në vend, zoti Kokëdhima takoi ditë më parë, kreun e LSI, zotin Meta, dhe më pas iu drejtua me një letër të hapur Asamblesë Kombëtare të PS, përmes së cilës apelon mos shendimin e saj në një farsë dhe kërkoi krijimin e një qeverie të re të majtë..

Idetë e tij për zgjidhjen e krizës, zoti Kokëdhima i shpalosi edhe në Sarandë, në një takim me mbështetës të lëvizjes. Sipas tij, zgjidhja nuk vjen nga kjo qeveri dhe ky kryeministër, por nga një qeveri tjetër e majtë, që do të jetë më pranë njerëzve. Në gjithë parashtrimin e tij ai reket të bindë socialistët se kryetari i tyre e ka nxjerrë partinë nga shinat e së majtës dhe po e drejton në një rrugë pa krye, po e çon atë në humbje dhe drejt humnerës. Kokëdhima është recidivist në kriticizmin e tij. 12 vite më parë, në zgjedhjet parlamentare të korrikut 2005, me të njëjtën gjuhë u bënte thirrje socialistëve ta largonin kryetarin e tyre, Nano, edhe si shkatërrues të partisë së vet. Ndërkaq, sot thotë se “Rama gjeti (kur zëvendësoi Nanon në krye të partisë) një parti me struktura të shkëlqyera..,”(!)

Me platformën e tij, Kokëdhima ka marrë përsipër të zgjidhë “problemet e mprehta që ka partia socialiste”, e cila “drejtohet në mënyrë amatoreske nga kreu i saj” dhe, njëherësh në mënyrë autoritare, ku një grusht të korruptuarish sundon masën e gjerë të anëtarësisë. Si asnjëherë tjetër Kokëdhima që nga Saranda përcolli mesazhe ultimative ndaj udhëheqjes së Partisë Socialiste, pjesë e së cilës, siç thotë, është edhe ai vet. Në gjithë diskursin politik të drejtuesit të lëvizjes “Zgjidhja” dallohen lehtësisht dy momente. Afërsia e tij me LSI-në dhe kreun e saj, Ilir Meta, nga njëra anë, dhe mbyllja e syrit ndaj opozitës në çadër në anën tjetër. Njësoj si Ilir Meta, edhe Kokëdhima artikulon konsensusin dhe frazën, tashmë të njohur se “nuk mund të shkohet në zgjedhje pa opozitën”. Për të qenë më i besueshëm nga Meta, Kokëdhima sulmon Ramën duke thënë se është përgjegjës për mosmbarëvajtjen e koalicionit PS-LSI, për shkak se ka legjitimuar një “urrejtje të pashembullt të socialistëve ndaj lidershipit të LSI-se”. Një diversion klasik dhe jo vetëm…Duke mos e artikuluar fjalë për fjalë nevojën e një qeverie teknike për zgjidhjen e krizës, ai thotë se nuk mund të shkohet në zgjedhje “vetëm me të punësuarit e kryeministrit”.

Çadra dhe ngujimi në të i PD-s shihen nga ish-deputeti si një favor e aleat në betejën e tij anti Rama. Ai nuk thotë asnjë fjalë për problematikat që ajo çadër ka krijuar, as për përçartjet ultimative dhe antikushtetuese në kërkesat e Bashës. Madje, ai akuzon lidershipin socialist për rrugën e ndjekur, si një “rrugë e pabesisë, e intrigave, përçarjeve..”, e cila, thotë ai, do ta çoj PS në humbje.

Në zyrën e tij elektorale, në Sarandë, para 10-15 mbështetësve, Kokëdhima foli si të ishte para qindra syresh. Katër vite më parë, në atë ambient dhe zyra të tjera elektorale të PS në Sarandë dhe gjithë qarkun e Vlorës, Kokëdhima fliste me superlativa për Edi Ramën, me bindje në fitoren e PS. Sot, për Kokëdhimën, kryetari i PS është personi që nuk e lëshon karrigen dhe “pushtetin personal”, dhe nuk po e shikon “gërryerjen e pozitës elektorale të PS”.

Ç’ka ndodhur? Ç’interesa janë cenuar?

Nëpër reshtët e letrës drejtuar Asamblesë Kombëtare të PS dhe fjalimeve të tij, kuptohet se fijet e miqësisë Kokëdhima–Rama u ndërprenë qysh kur u pamundësua miratimi nga strukturat qëndrore të PS platforma e tij për reformimin e partisë, e zbatuar si projekt “pilot” për zgjedhjet në parti në gjithë qarkun e Vlorës. Përmes suksesit të këtij projekti, Kokëdhima synonte të kapte postin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare (siç edhe është përfolur gjatë fushatës zgjedhore në parti) dhe prej andej, pse jo, në një ditë të bukur të kërkonte edhe kreun e PS. Këta nuk i duan njerëzit e punës, ata deputetë që punojnë për komunitetin, tha Kokëdhima në Sarandë. Ai u kujtoi mbështetësve në takim se, pa asnjë interes kishte përgatitur mbi 26 projekte për gjithë territorin e vijës bregdetare. Tha se ndjehej krenar për investimin që kishte sjellë në ndërtimin e kampusit të arsimit te ish shtëpia e pritjes në Sarandë, paçka se ishte sulmuar dhe jo mbrojtur.

Për t’u bërë më bindës në sulmet ndaj kryetarit të PS, ish-deputeti Kokëdhima e ngarkon me përgjegjësi kryesocialistin për atë që ai e cilëson si “neglixhencë ndaj anëtarësisë dhe votuesve të majtë”, të cilëve, siç thotë, “nuk u është dëgjuar kurrë zëri”. Për socialistët në Sarandë, kjo është më shumë se hipokrizi, pasi ata kanë ndjerë në “kohë” Kokëdhima indiferencën, ndasinë e brezave, mungesën e kohezionit dhe solidaritetit, etj, për shkak të përpjekjeve të tij për të bërë një ekip partiak të tij, dhe një administratë që t’i bindej vetëm atij. Tashmë anëtarësia e partisë, organizatat socialiste në Sarandë dhe më gjerë në Jug, janë çliruar nga pesha e deputetit autoritar. Nuk ka më të rinj e të vjetër në parti, por anëtarësi e bashkuar, kohezive në misionin për t’i sjellë një tjetër fitore të majtës. “Zgjidhja” e Kokëdhimës është një përpjekje për të mbijetuar në politikë përmes irracionalitetit në gjykimin e forcës politike që vijon të thotë se është pjesë.

Në gjykimin e socialistëve, Kokëdhima është thjesht një përçarës diversionist, përderisa ngre zyra elektorale me logon “Zgjidhja” për të propaganduar platformën anti Rama. Ai kërkon mbështetës që do të mundësojnë grumbullimin e aq votave sa nevojiten për të mare mandatin e deputetit të pavarur në zgjedhjet e 18 qershorit.

Me platformën e tij, Kokëdhima ka marrë përsipër të zgjidhë “problemet e mprehta që ka partia socialiste”, e cila “drejtohet në mënyrë amatoreske nga kreu i saj” dhe, njëherësh në mënyrë autoritare, ku një grusht të korruptuarish sundon masën e gjerë të anëtarësisë. Si asnjëherë tjetër Kokëdhima që nga Saranda përcolli mesazhe ultimative ndaj udhëheqjes së Partisë Socialiste, pjesë e së cilës, siç thotë, është edhe ai vet. Në gjithë diskursin politik të drejtuesit të lëvizjes “Zgjidhja” dallohen lehtësisht dy momente.

 

Please follow and like us: