Albspirit

Media/News/Publishing

1990, si nisi asgjësimi i dosjeve të Sigurimit të Shtetit

Në vitet 1990-1992 janë asgjësuar në degët e punëve të brendshme dhe në Degën e 4-t të Drejtorisë së Parë, të gjitha dosjet në ngarkim të personave që ndiqeshin prej organeve të Sigurimit për arsye politike.
Faktet që do citohen në vijim, tregojnë se sa i kotë dhe i panevoshëm është roli i Autoritetit “të hapjes së dosjeve”, kur praktikisht shumica e popullsisë së mundshme për t’u interesuar, nuk ka dosje dhe sa pa kuptim është thënë në gjithë këto vite shprehja “kur të hapen dosjet”.
Procesi i zhdukjes së provave nisi në korrik të vitit 1990, pikërisht në kohën kur regjimi e kuptoi se nuk do ta shtynte shumë gjatë. Fakti i asgjësimit të këtyre dosjeve është tashmë shumë i njohur dhe sigurisht nuk jam unë personi parë i përmendjes së kësaj të vërtete.

Fillimisht ka bërë disa shkrime në shtypin e kohës në vitet 1991-1992, ish kryetari i Degës së Arkivit të MPB-së dhe ish kryetar i Degës së 4-t, z.Enver Goxhaj.
Denoncimin e dytë, me një renditje kronologjike të urdhrave të asaj kohe e ka bërë prej kohësh publike ish-kryeministri z.Aleksandër Meksi dhe çdokush mund ta gjejë në internet këtë material. Referimet janë të sakta.
Me këto veprime, regjimi mbrojti praktikisht trupën e persekutorëve, pra ruajti oficerët e Sigurimit të Shtetit nga implikimet e tyre.
Në fillim janë pastruar dosjet e ndjekjes së anëtarëve e kandidatëve të Partisë së Punës, sepse këtë pjesë, kjo parti e konsideronte të vetën. Në masë jo të vogël, shumë prej tyre, sidomos në ushtri, ndiqeshin për veprimtar armiqësore. Asgjësimi i dokumenteve në favor të tyre, ruante këtë kontingjent në pozita besnikërie ndaj Partisë së Punës. Për këtë arsye, e para kategori e përzgjedhur për t’i hequr dokumentet, ishte brenda radhëve të partisë.

Me urdhrin nr.277 dhe 278, datë 2.7.1990, MPB njoftonte organet e varësisë, si vijon:
“Lidhur me përpunimet anëtarë e kandidatë partie dhe materialet në ruajtje të tyre, nga ana juaj të veprohet në këtë mënyrë: Hapni udhëzimet që ju kemi dërguar dhe në bazë të tyre të trajtohen përpunimet anëtar e kandidat partie si dhe materialet në ruajtje nga ana juaj. Ndryshimi qëndron vetëm në atë që për këto raste do të gjykohen nga sekretari i parë i komitetit të partisë së rrethit dhe në ushtri nga sekretari i komitetit të partisë së njësisë, barabartë me të.
Materialet në ruajtje do të jenë kryesisht që bëhet fjalë për spiunazh dhe organizim kudo ato që janë ruajtur, thjeshtë për agjitacion e propagandë që në ligjin e ri nuk konsiderohen më si krim, të asgjësohen menjëherë. Asgjësimi të bëhet në bazë të rregulloreve. Kjo punë të përfundojë brenda 15 korrikut”.

Pak kohë pas nisjes së aksionit të madh të asgjësimit, më 22.9.1990, Ramiz Alia priti zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Në këtë bisedë u fol për zhvillimet e përditshme, ndërsa nuk kishte një plan të përcaktuar për rendin e ditës, sepse është vënë një titull i përgjithshëm në këtë mënyrë: “Organet shtetërore në fushën e tyre duhet t’i plotësojnë me akte ligjore vendimet e partisë”. Ndër të tjera, Hekuran Isai thotë:
“Unë i kuptova të gjitha idetë që shtruat në takimin me kuadrot e Ministrisë së Brendshme. Ç’është e vërteta, kuadrot tanë kishin një çoroditje të plotë, por porositë tuaja, që përbëjnë një ndihmë kolosale për ne, i sqaruan. Në atë kohë kishte ndër ta që mendonin se më mirë të mos kishte Ministri të Brendshme se sa ta kishim në atë gjendje që u krijua, duke i asgjësuar të gjitha dosjet, duket sikur ajo qe hequr mënjanë. Ishte kuptuar keq demokratizimi”. /Kastriot Dervishi

Please follow and like us: