Gjosha: Mali i Zi, një histori suskesi
Sot u zhvillua mbledhja e dytë e Komitetit të përbashkët për Integrimin Evropian, mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Këtë takim e hapi Ministrja Gjosha, duke shprehur vlerësime për bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve në nivel politik dhe ekspertësh.
Ministrja theksoi rëndësinë që ka për qytetarët bashkëpunimi në programet e financuara nga Bashkimi Evropian, duke nënvizuar se falë këtyre programeve, është i drejtpërdrejtë ndikimi në jetën e qytetarëve.
“Vizioni ynë i përbashkët për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, na lidh ngushtësisht me njëri-tjetrin, por unë besoj fort se ajo që na lidh më shumë është fqinjësia jonë e mirë të cilën duhet ta ruajmë e ta thellojmë sepse vetëm kështu do të mund ta kemi më të lehtë çdo hap që hedhim”, tha ministrja.
Ndalur tek dokumenti për çeljen e negociatave, ministrja u shpreh se eksperienca nëpër të cilën Mali i Zi ka kaluar dhe po kalon që nga hapja e negociatave, është shumë e vlefshme për institucionet shqiptare. Është një histori suksesi që duhet ndjekur.
“Ne jemi të angazhuar për zbatimin e reformës në drejtësi dhe shpresojmë se një pjesë e konsiderueshme e saj si dhe forcimi i mëtejshëm i historikut të hetimeve (track record) në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, do të kryhet në kuadër të negociatave për kapitujt 23 dhe 24, që janë kapitujt të cilët ne dëshirojmë ti hapim të parët”, tha ministrja.
Gjosha u shpreh se bashkëpunimi në kuadër të Procesit të Berlinit mbetet i një rëndësie të veçantë, duke nënvizuar se në samitin e Triestes duhet të konkretizohen projektet e përbashkëta të cilat i shërbejnë zhvillimit ekonomik, qytetarëve dhe rrjedhimisht procesit të integrimit të këtyre vendeve.