Historiku i Festivalit Folklorik Kombëtar
Kostumet, vallet, lëvizjet e duarve, timbri i zërit, mënyra e të kënduarit, pjesëmarrësit në kor, janë të gjitha elemente që ndajnë një qytet nga një tjetër, një traditë nga një tjetër dhe në fund i bashkon vetëm një fakt, dashuria për tokën, dashuria për natyrën dhe të bukurën që na rrethon në çdo moment.
Pavarësisht gjithçkaje, edhe pse s’kishim pak që kishim dalë nga lufta dhe ishim një vend shumë i varfër, kjo nuk na pengonte që të tregonim vlerat tona kulturore dhe historike.
Ka qenë viti 1946 fillimi i një Festivali Kombëtar të valleve dhe këngëve popullore, ai që i ka dhënë shtysën e mëtejshme njohjes së traditave të gjitha trevave të Shqipërisë. Mikpritësja e parë e këtij festivali ka qenë Tirana, kryeqyteti i vendit. Edhe në vitet pasuese 1949, 1952,1957,1959 do të vazhdonte të zhvillohej në po të njëjtin vend, duke i dhënë jehonë gjithë asaj historie e cila, pavarësisht luftërave, pushtimeve, kishte arritur të mbijetonte dhe të trashëgohej, e tashmë kishte mundësinë të njihej nga gjithkush e të ishte gjithëpërfshirëse.
Në vitin 1966 është Elbasani ai që i hap dyert e ndërsa në 1967 Lezha njeh një festival të tillë kulturor.
Duke marrë parasysh të gjitha hallkat e tjera të historisë sonë, ky festival u spostua nga Lezha në një qytet me një nga historitë më të lashta dhe me kalanë më të madhe në Ballkan, vendi i përzgjedhur do të ishte pikërisht Gjirokastra.
Datat 8 deri më 16 tetor 1968 do të realizonin për herë të parë ëndrrën e gjirokastritëve për të qenë mikpritës të kulturës e traditës mbarë shqiptare. Ky Festival vjen në Kalanë e Argjirosë me siglën “Festivali Kombëtar i këngës, muzikës dhe valleve”, duke u njohur kështu me një pjesë tjetër të Shqipërisë që deri në atë kohë ishte e panjohur, siç ishte pjesa veriore e vendit. Dhe me ardhjen e këtij eventi u arrit të shuheshin kufijtë e jugut dhe veriut. Por mbi të gjitha, ka qenë festivali i parë në të cilin janë nderuar me çmime solistët popullorë si Laver Bariu, Ndue Shyti, si dhe janë vlerësuar me diploma të ndryshme afro 400 pjesëmarrës.
Në festivalin e vitit 1973 në fazën finale morën pjesë 1370 pjesëmarrës.
Në festivalin e vitit 1978, në fazën përzgjedhëse, u aktivizuan rreth 53.000 pjesëmarrës, ndërkohë që vetëm 1956 bartës interpretuan gjatë ditëve të festivalit.
Gjë që vazhdoi edhe në vitet në vazhdim në vitin 1983 ku rritja e pjesëmarrësve pati një hov goxha të lartë.
Viti 1988 njihet si një vit shumë I rëndësishëm pasi muzika dhe vallet kanë arritur të jepnin më të mirën e tyre dhe spektatorët të ishin në një numër shumë të madh.
Sa po vinte dhe po njiheshin më tepër me frytet e kësaj pune kolosale, që bëhej nga ana e ansambleve të qyteteve përkatëse për të dhënë më të mirën e tyre.
Në këtë kohë, ishte festivali më i rëndësishëm dhe duhej një kohë relativisht e gjatë për ta riorganizuar nga fillimi që të ishte gati në 5- vjeçarin e ardhshëm.
Një prej pjesëmarrësve në Festivalin e Kombëtar të Folklorit, që ka pasur mundësinë të jetë në këtë skenë që prej vitit 1978, qysh fëmijë, tregon se që në momentin që mbaronte festivali fillonte përgatitja e këngëve të reja, e valleve që do të prezantoheshin, e riteve karakteristike, e veshjeve dhe ndryshimeve në to. Gjithçka përgatitej në mënyrë të tillë, aq perfekte sa as një timbër mos të dilte jashtë kuadratit të përcaktuar tashmë nga profesorët që merreshin me ta për muaj e muaj të tërë, derisa performancaa të ishte shumë e mirë, se ndryshe i hiqej mundësia gjithë ansamblit për të qenë pjesëmarrës.
Viti 1995 do ta largonte nga Gjirokastra festivalin për të shkuar në një qytet me një histori po aq të mrekullueshme sa ajo e qytetit të gurtë, ky ishte Berati. Festivali i vendosur në kalanë e qytetit mblodhi shumë simpatizantë dhe u mikpritës shumë mirë.
Por viti 2000 do ta rikthente përsëri në qytetin e suksesit, ku edhe performancat kishin ardhur në rritje akademike dhe njerëzit tashmë ishin mësuar me këtë traditë të re që i jepte jetë pikërisht kulturës sonë.
Viti 2004 erdhi shumë më ndryshe se vitet e tjera. Emigrimi ishte një plagë shumë e thellë dhe një nga çështjet më të freskëta që kishte ndodhur pikërisht në 19 janar të këtij viti, ku dy gomone të mbushura me njerëz janë mbytur, I hapi zemrën shumë këngëtarëve që këngët t’i drejtoheshin pikërisht këtij fenomeni që po bëhej gjithmonë e më shumë prezent. Një nga vargjet e këngës pjesëmarrëse me qarkun e Vlorës këndonte:
“Ç’pate ti moj hënë që dritën ma trete
Apo të tha dielli që ta marrsh me vete
Të rrita e mjera me të keq o djalo
Ike ne kurbet, e s’mu ktheve i gjallë”
Vendi ndodhej gati në një disfatë shumë të rëndë ku të gjithë e kishin humbur shpresën dhe gjithçka e kërkonin jashtë vendit. Dhe sigurisht që kjo situatë do të pasqyrohej në këngë.
Vitet kaluan shumë shpejt dhe shumë nga situatat kishin ndryshuar. Viti 2009 e gjen Festivalin me të njëjtat standarde si vitet e mëparshme, tradita vazhdonte, tekstshkruesit e këngëve polifonike jugore dhe veriu me lahutë e çifteli, vazhdonin të sillnin tinguj të rinj dhe t’i shtonin pasurinë folklorit tonë.
Viti 2015 vjen i shumëpritur nga gjithkush, pasi kishin kaluar gati dy vite nga koha kur duhej të ishte zhvilluar realisht festivali. Festivali Kombëtar Folklorik vjen jo vetëm me këngë të bukura dhe me një kulturë të magjishme, por edhe me një skenografi ndryshe, të mbështetur nga teknologjia. Për këtë vit këngët e përzgjedhura nga repertori i artistëve ishin gati të njëjta, por kishte dhe shumë pjesëmarrës të rinj të cilët i falën lavdinë që nuk e kishte humbur që nga viti 1946. Jo pa qëllim nuk kishte prurje të reja ky festival për motivin e thjeshtë se ishte 10-vjetori i tij dhe kjo “ditëlindje” do ta rikthente përsëri në Tiranë duke i dhënë këtij qarku vendin e parë.