Albspirit

Media/News/Publishing

Intervista me pula e kryepulë kryeministrit

Artur ZHEJI

Intervista e kryeministrit te Ylli Rakipi, si edhe e thanë bashkëautorët e bisedës, së gjatë gati tre orëshë, pati sigurisht shumë shikueshmëri. Dhe kryeministrin kjo e kënaq pa masë, sepse ai, përmes kësaj shikueshmërie mendon se u ka kërcyer sipër konkurentëve të tij politikë, që ishin në kanalet e tjera tv, përkatësisht Ilir Meta dhe Lulëzim Basha.

Por çfarë panë dhe dëgjuan shqiptarët, në këtë intervju?

Një gazetar tolerant dhe babaxhan që na përsëriste pak si shpesh, se pas intervistës do të shkonte e të flinte gjumë dhe një kryeministër gjel, që përmendi sëpaku 100 herë fjalët: “kapni pula, rripni pula, piqni pula dhe hani pula!”

Një tallje e vazhdueshme trapi dhe byçke e një burri tollumbace, që shqiptarët e kanë kurorëzuar kryeministër, me një vetëkënaqësi krejt të pafshehur dhe të krejt shpallur, si gjeli mbi tufë të pulave, që herë quhet popull, që herë quhen kundërshtarë politikë dhe herë quhen gazetarë.

Një kryegjel që mbiquan gazetarët killera me pagesë, term ky vjedhur nga gazetarët vetë, si edhe shumë formulime të sintaksës së mendimit të shprehur, vjedhur edhe ay dhe nga ana tjetër një gazetar i rregjur si Rakipi, që përsëriste se sharjet e krygjelit nuk e sugjestiononin. Duke harruar në këtë rast perceptimin publik, se të mossugjestionuarit, ngatërrohet me të pranuarit e akuzave, sharjeve dhe gëlbazave kryeministrore ndaj gazetarëve.

Qëllimi i qartë i kryegjelit apo e kryepulës kryeministër, ishte poshtërimi i gazetarëve dhe këtë Ylli Rakipi, herë në formë dhe herë jo, e lejoi me pash, pamvarsisht ca kunjave dhe ca ironive pa teh të mprehtë që lëshonte aty këtu, në ndërkallje të bisedës.

Qëndrimi i fryrë i kryepulës kryeministër erdhi në kreshendo, ndërkohë që thumbat dhe kunjat e Rakipit mbaruan, kur u ngatërrua më kot me Caravaggion, edhe piktor edhe vrasës dhe rënien e qerpikëve të kryepulës, që erdhi e u bë kryegjel në fund të intervjusë.

Shpresa e Rakipit, se kryeministri vetëdemaskohet nga arrogance, është një lojë që kryepula-kryegjel dhe kryeministër e ka sprovuar dhe e ka kolauduar disa herë. Sepse kryegjeli, paturpësisht donte edhe fakte për konçesionet fake që ai vetë ka porositur dhe Rakipi mund të kishte ca fotokopje të adresave të kafeneve dhe birrarive qesharake, që janë në fakt adresta referenciale të “bizneseve” që kanë marrë në mënyrë absurd dhe klieneteliste konçesionet qindra milionëshe në euro.

Edhe unë si Rakipi, shpresoj më kot që ky milet të neveritet nga fryrja dhe krekosja e kryepulës në kryegjel, live dhe i ndriçuar e xhiruar mirë në Hd.

Por, një kryeministër i rënë, e mori dje një kënaqësi të madhe, pështyu dhe u tall sa mundi me gazetarët dhe gazetarinë, kur dhe është me të dyja këmbët në humnerë dhe ka ndërkohë, bilance të turpshme keqqeverisëse.

Sidoqoftë kishte spektakël, të cilin Rakipi e shijoi më shumë se spektatorët, duke i dhënë shansin që s’duhej, kryeministrit që është sot në hallin më të madh të të gjithë mandatit të tij, që hyri në studio kryepulë dhe na doli kryegjel. /360grade.al/

Please follow and like us: