Albspirit

Media/News/Publishing

Valentina Leskaj: Të ndihmojmë vendet në luftë që të rindërtohen

Konferenca e XV e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane (NAJ) zhvilloi punimet në Janinë të Greqisë në datat 6 dhe 7 prill, ku Kuvendi i Shqipërisë u përfaqësua nga Nënkryetarja znj. Valentina Leskaj.

Znj. Leskaj rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë në kuadër të Nismës Adriatiko-Joniane dhe theksoi përparimin e axhendës së një rajoni tërësisht të integruar në Bashkimin Europian.

Duke pranuar se mbetet ende për t’u bërë, në fjalën e saj Leskaj listoi disa projekte me rëndësi të veçantë strategjike për vendet e rajonit, që ndërlidhin vendet e rajonit dhe shfrytëzojnë potencialet më të mira të zhvillimit ekonomik të këtyre vendeve. “Si politikanë dhe ligjvënës kemi një përgjegjësi të veçantë, që të forcojmë rolin e parlamenteve dhe diplomacisë parlamentare për suksesin e NAJ. Në këtë botë globale, konkurrenca nuk është më mes vendeve, por mes rajoneve dhe vendet tona të vogla duhet të jenë të vetëdijshme për këtë realitet. Vetëm duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin ne mund t’i bëjmë ballë kohërave të vështira që na presin”, – tha në fjalën e saj nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë.

Gjithashtu, duke çmuar potencialet e secilit vend, Leskaj përmendi rëndësinë e vijimësisë së bashkëpunimit parlamentar nën të njëjtën frymë.

“Fryma e bashkëpunimit dhe klima miqësore, edhe ne nivel parlamentar, që kemi krijuar vitet e fundit si edhe Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor është një shembull i mirë për aspiratat tona të përbashkëta drejt proceseve zgjeruese të BE-së“- tha nënkryetarja e Kuvendit.

Nënkryetare Leskaj, duke folur për të ardhmen e makro-rajonit, të cilën e vlerësoi të nevojshme për të qenë në përputhje me Strategjinë e BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian, vlerësoi ndër të tjera se: “Sigurisht nuk është një entitet gjeografik, por një mundësi e jashtëzakonshme për kombet tona. Të gjithë ne duhet të kemi ndjenjat e përkatësisë dhe pronësisë dhe të jemi një organizatë më shumë e orientuar drejt projekteve.”

Znj. Leskaj u ndal në fjalën e saj edhe mbi krizën e refugjatëve, e cila së fundmi preku një pjesë të vendeve të rajonit. “Kjo është një sfidë e madhe të cilën nuk mund ta trajtojmë vetëm.

Ndërkohë që shprehim solidaritetin tonë me vendet dhe komunitetet lokale të prekura nga kriza e refugjatëve dhe migratorë, veçanërisht Greqinë dhe Italinë si kontribuues kryesorë, vlerat tona demokratike europiane bëjnë apel për të gjithë ne që t’i përgjigjemi kësaj drame njerëzore dhe të parandalojmë përshkallëzimin e mëtejshëm të konflikteve, duke ndihmuar vendet në luftë që të rindërtohen, t’u japim atyre mundësi ekonomike dhe një të ardhme paqësore. Siguria është një çështje globale, jo një çështje kombëtare”, – tha znj. Valentina Leskaj.

Fjala e Nënkryetares së Kuvendit u mbyll me falënderimet për Greqinë, si një Kryesi konstruktive e Nismës Adriatiko-Joniane dhe Bashkë-presidente e Bordit Drejtues të EUSAIR, si edhe me një urim për Italinë, si kryesuesja e ardhshme e nismës.

Nisma Adriatiko-Joniane (NAJ) përbëhet nga 8 vende anëtare: Shqipëria, Bosnja dhe Herzegovina, Kroacia, Greqia, Italia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia, ndërsa Konferenca e Parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane (NAJ) mblidhet një herë në vit.

Shqipëria ka pasur kryesimin e radhës së Nismës Adriatiko-Joniane për periudhën njëvjeçare qershor 2013-maj 2014.

Please follow and like us: