Albspirit

Media/News/Publishing

Basha për sistemin e drejtësisë dhe Republikën e Re: Detyrat tona janë të qarta, ta ndalim tiraninë

Kreu i partisë Demokratike Lulzim Basha foli me qytetarët për vlerat europiane dhe liritë për të cilat  kanë nevojë shqiptarët sot. Kryeministri Rama, me dëshirën për të gjetur arsyen e qëndresës së qytetarëve kudo përveçse tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ka shtyrë zëra të sponsorizuar të ngrenë teori të pavërteta.

“Fabula e fundit është se, ne duam të pengojmë PS të marrë pjesë në zgjedhje dhe ti fitojë ato. Fabula e fundit është se,  Edi Rama po e bën gjithë këtë qëndresë jo për të ruajtur karrigen e tij dhe privilegjet e pushtetit që ti përdorë për ti prishur e kapur zgjedhjet e shqiptarëve , po sepse ai do të bëjë drejtësinë, ai do të bëjë shtetin. Ka gritur bashkë me një tufë të korruptuarish ndërkombëtarë mitin se,  Edi Rama donte drejtësinë dhe ne nuk e duam.Për një kohë të gjatë edhe na kanë kompleksuar duke ju thënë se ne e  duam reformën. Por kam kuptuar falë jush dhe kemi realizuar sesa e kotë është të jesh  civil dhe sa e dëmshme është të jesh defensive përballë të keqes. Që ne duam reformën në drejtësi këtë e kemi provuar me votën tonë të 22 Korrikut dhe nuk ka nevojë, as ta themi e as ta mbrojmë më”.

Z. Lulzim Basha tha se do të jetë qeveria e dalë me votë të lirë, ajo e cila do të kalojë ligjet e reformës në drejtësi dhe do të nisë zbatimin e plotë të tyre.

“Ne dhe qeveria e dalë me votë të lirë e ndershme do ta zbatojmë reformën në drejtësi jo sipas përcaktimeve Rama-Tahiri-Shullazi para të cilave mbyllën sytë ata që nuk kanë interes reformën në drejtësi por karrigen e Edi Ramës për arsyet që i dinë vetë dhe turp të kenë. Por ne do të zbatojmë reformën në drejtësi që votuam sipas formës së rakorduar SHBA-BE. Vetëm dhe vetëm pasi 6 ligjet të kenë vulën e konsensusit opozitar sipas marrëveshjes politike të 21 Korrikut. Kush i dëgjon dhe i kupton ta dijë se shteg tjetër për reformën në drejtësi nuk ka dhe nuk mund të ketë. Drejtësi në duart e Edi Ramës, drejtësi në duart e kriminelëve me të cilët mbushi parlamentin dhe bashkitë, drejtësi në duart e kartelit të drogës nuk dorëzojmë kurrë”.

Zoti Basha tha se detyra parësore e Republikës së Re e cila vjen vetëm përmes votës së lirë të siguruar nga një qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike, është të shembë në themel lidhjet e krimit me politikën.

“Themeli i republikës së re është barazia para ligjit. Themeli i republikës së re është konkurenca e lirë. Janë mundësitë e barabarta për këdo dhe mundësia e madhe për të gjithë ne që në varësi të aftësive dhe talenteve ti kthejmë këto në mirëqënie për jetën e familjarëve. Republika e re është shansi dhe mundësia dhe garancia që jo vetëm pushteti politik por edhe pushteti ekonomik ti takojë sovranit, pra qytetarëve. Ndaj vendimet e para të republikës së re do të jenë çmontimi me themel i aleancës së krimit dhe politikës por duke nxjerrë nga institucionet të gjithë personat me rekorde kriminale të cilët kurrë nuk erdhën për hallet e popullit por vetëm për hallet e tyre”.

Kryetari Lulzim Basha i premtoi qytetarëve mirëqënien që vlerat europiane dhe vota e lirë si themeli i tyre u sjellin vendeve demokratike.

“Republika e re do të mbajë premtimin se në krye të katër vjetëve pensioni minimal në Shqipëri nuk do të jetë më pak se 250 mijë lekë të vjetra në muaj. Se pensionet në tërësi do të njohin një rritje prej 40 %. Rinia shqiptare që po mbaron universitetin do të ketë të paguar nga republika e re me paratë e taksapaguesve shqiptarë 10 mijë stazhe në vit me pagesë minimale prej 200 mijë lekësh për ti mundësuar çdo të riu e të reje një urë material financiare, një urë profesionele për të kaluar nga bankat e universitetit në tregun e punës siç e bëjnë vendet e zhvilluar të Bashkimit Europian”.

Zoti Basha tha se në republikën e Re buxheti i shtetit do të jetë në funksion të qytetarit dhe interesave të tyre.

“Taksa e sheshtë 9 %, 1.5 % e xhiros dhe pulla ndalim kalimi për hajdutët e zullumqarët e taksave dhe tatimeve për bzineset e vogla. Ulje e kontributeve shoqërore në nivelin 9 % do të formalizojnë ekonominë, do të sjellin mijëra operatorë ekonomikë në dritët e formalitetit duke rritur të ardhurat dhe mundësitë e shtetit për t’ju përgjigjur atyre dhe shtresave të tjera si pensionistëve, rinisë, të papunëve, njerëzve në ndihmë speciale për shkak të aftësive të kufizuara dhe çështjeve të tjera”.

Kreu demokrat Basha tha se kjo është ajo për të cilën qytetarët investuan qindra mijëra orë protest, në emër të lirisë së vërtetë.

“Njëmijë e 200 orë qendresë. Miliona orë të qindra e mijëra protestuesve është investimi më sublim, detyrimi më i madh për ata që me votë të lirë do të marrin peshën e rëndë të ndryshimit të madh përmes republikës së re. Une ju jap fjalën me mirënjohjen më të thellë për sakrificën tuaj se asgjë nuk do të jetë më si më parë. Fitorja është e qytetarëve”.

Please follow and like us: