ETA i jep fund luftës, dorëzon armët
Separatistët baskë të ETA-s njoftuan nisjen e fushatës për dorëzimin e arsenalit të armëve, duke i dhënë fund një prej kasaphanave më të mëdha që ka parë Europa në shekullin e fundit.
Militantët e grupit bask i dorëzuan autoriteteve franceze një listë të 12 depove sekrete të armëve dhe lëndëve eksplozive. Këto depo ndodhen në malet Pireneje, pranë kufirit me Spanjën. Sipas ekspertëve të anti-terrorit, atje ndodhet arsenali i fundit i grupit ekstremist, që përfshin rreth 130 armë zjarri, 2 ton lëndë eksplozive, pjesa më e madhe e tyre të vjedhura në Francë. Ministri i Brendshëm francez, Mathias Fekl, e cilësoi dorëzimin e armëve si një hap të rëndësishëm drejt paqes.
ETA deklaroi armëpushim në vitin 2011, por nuk i dorëzoi armët. Organizata terroriste u themelua në vitin 1959, me qëllim krijimin e një shteti të pavarur mes Francës dhe Spanjës. Ajo mban përgjegjësi për një sërë masakrash në 40 vitet e fundit, me mbi 800 viktima në total.