Albspirit

Media/News/Publishing

Kokëdhima – Bashës: Të kapërcejmë krizën përmes dialogut

Kreu i lëvizjes ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima ka takuar  kreun e PD, Lulzim Basha. Në përfundim të takimit, Kokëdhima sqaroi se u diskutua për krizën politike dhe për mënyrën e dialogut për të shmangur këtë krizë.

“Biseduam rreth situatës politike në vend, diskutuam për krizën, dhe për nevojën që kjo krizë të kapërcehet, për efektet negative të kësaj krize nëse ajo vazhdon sepse pa dyshim që kjo krizë ka ndikim në ekonomi, duhet që përmes dialogut të kapërcehet.”

Më herët Kokëdhima, ish-deputet i PS-së ka shprehur qëndrimin e tij kundër zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit pa opozitën, e cila prej kohësh është protestë.

Tashmë ka nisur numërimi mbrapsht për mundësinë e gjetjes së një dialogu mes palëve politike.

Të hënën e 10 prillit skadon afati për regjistrimin në KQZ të partive për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit.

Partitë opozitare ende nuk janë regjistruar, ndërkohë mes Ramës e Bashës nuk është caktuar ende një vend takimi apo orë.

Opozita vijon protestat duke këmbëngulur për qeveri teknike që do të çojë vendin në zgjedhje të lira e demokratike.

Ky takim vjen në një kohë kur situata politike në vend po përballet me tensione dhe akuza. Nga njëra anë PD kërkon largimin e kryeministrit Rama nga pushteti dhe krijimin e qeverisë teknike, ndërsa qeveria i bën thirrje opozitës që të marrë pjesë në zgjedhje.

Please follow and like us: