Prill 1936/ Përpjekjet për greqizimin e Himarës dhe reagimi i ashpër i Mbretit Zog
Kryepleqtë e Himarës, Palasës e Dhërmiut protestojnë kundër disa mercenarëve grekë të paguar nga Greqia dhe aktivitetit të tyre antikombëtarë në Jug të vendit.
Një ngjarje e ndodhur në Himarë pati trazuar krerët më të lartë të Mbretërisë së Shqipërisë në prill të vitit 1936. Kryeministri Mehdi Frashëri kishte marrë një lutje nga disa himarjotë dhe i shqetësuar mbi çka kërkonin ata kishte urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj tyre, sepse patën demonstruar ndjenja antikombëtare në popullsinë e Himarës. Disa elemetë të veçuar në Himarë kishin tentuar të kryenin veprimtari antikombëtare në funksion të qarqeve shoviniste greke. Në përgjigje të urdhërit të tij nga Ministria e Brendshme erdhi ky përfundim:
“Një grup himarjotësh në shenjë pakënaqësie ndaj qeverisë, kanë kënduar këngë antikombëtare si këngën e Spiro Milos, të Mbretit Kostandin e të tjera që përmendin kohët e vjetra të damshme në interesin e shtetit shqiptar. Me gjithë që të përmendurit për këtë veprim meritonin t’i dorëzoheshin Gjyqit Politik, kjo ministri mjaftoi këtë herë me i qortue dhe me u dhanë këshillat e fundit…”
Duket se kërkesat e këtyre himarjotëve binin ndesh me interesat kombëtare. Pak muaj më vonë një telegram i drejtohet Mbretit Zog nga kryepleqtë e fshatrave Himarë, Dhërmi e Palasë, duke bërë thirrje që të mos merret parasysh asnjë prej kërkesave antikombëtare të bëra nga elementët progrekë në Himarë.
Dokumentacioni mbi këtë ngjarje ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit dhe dëshmon seriozitetin, me të cilin trajtoheshin çështje të kësaj natyre nga Mbreti Zog dhe qeveria e tij. Më poshtë botohen dokumentet që pasqyrojnë me detaje ngjarjen.