A do të përjashtohet Kokëdhima nga PS?
Ndërkohë që Ben Blushi i “Libra” ka bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjehdje me synim largimin nga pushteti të Rilindjes, opozitari tjetër socialist i Edi Ramës, Koço Kokëdhima, po vepron ndryshe. Në një rol të ri negociatori si ai i vitit 2013, Kokëdhima ka takuar sot Ilir Metën dhe Lulzim Bashën. Ndonëse partia e këtij të fundit e ka sulmuar Kokëdhimën më shumë se kushdo. Ja se çfarë thotë ndër të tjera lajmi i shkruar për këto zhvillime në gazetën “Shekulli”:
“…Z.Kokëdhima e ftoi z.Basha që të pranojë propozimin e lëvizjes Zgjidhja që administrata zgjedhore të mos jetë më dypartiake. Z.Basha shfaqi mendimin se me një sistem të sigurtë të votimit elektronik, është një mundësi reale që edhe administrata zgjedhore të departizohet. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se është urgjente një zgjidhje politike, ndërsa të hënën skadon edhe afati i fundit i rregjistrimit të partive politike në KQZ për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Ashtu si më parë, drejtuesi i lëvizjes Zgjidhja theksoi se nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën, ndërsa nga e tij z.Basha e vlerësoi këtë qëndrim të mbajtur nga z.Kokëdhima. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se është i nevojshëm dhe plotësisht i mundshëm implementimi i votimit elektronik në qendrat e votimit, duke dhënë garanci maksimale për ruajtjen dhe nga trafikimi i votës dhe deformimi i vullnetit të votuesve. Shtyrja e zgjedhjeve për në vjeshtë krijon kushtet që të përgatiten kushtet dhe infrastruktura e nevojshme për të mundësuar një proces votimi dhe numërimi që do të fusë Shqipërinë në vendet që bëjnë zgjedhje të lira dhe demokratike”.
Ky është një propozim që ofron kohë për opozitën duke bërë aktiv skenarin e Berishës sipas të cilit deri më 18 qershor mandati i kësaj qeverie vazhdon, por më pas mandatohet një qeveri tjetër për administrimin e zgjedhjeve të reja. Ky skenar kënaq PD-në, por edhe LSI-në dhe rivendos Kokëdhimën në qendër të veprimit politik. Çështja është se Kokëdhima po operon brenda suazës së PS-së duke ndjekur një kurs të kundër të me të. Nuk është çudi dhe as e pazakontë të shtrohet pyetja nëse do të kemi përjashtimin e tij nga partia tani që ai ka dalë hapur kundër interesit të lidershipit sociaist. Po kështu oferta e tij mban në lojë LSI-në e Ilir Metës, që përbën faktorin më amoral në këtë që po ndodh./respublica/