Albspirit

Media/News/Publishing

A duhet të jetë SHBA polici i botës?

Pas sulmit ajror të Shteteve të Bashkuara në Siri, shumë pyesin se cili është plani afatgjatë. Të tjerë kujtojnë veprimet e administratës Obama dhe analizojë nëse situata mund të ishte trajtuar ndryshe. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti bisedoi me disa amerikanë mbi atë që ndodhi dhe çfarë presin nga e ardhmja.

Këto janë imazhet që tronditën botën. Foshnje duke u përpjekur të marrin frymë. Një sulm me armë kimike mbi civilët, për të cilin fajësohet qeveria e presidentit sirian Bashar al-Asad. Dhjetra të vdekur. Përgjigja nga Shtetet e Bashkuara – rreth 60 raketa Tomahawk goditën një bazë ajrore në Siri.

“Nuk mund të lejohet të ndodhë gjenocid. Dikush duhet ta ndalojë. Duket se vetëm Amerika do ta bëjë këtë” thotë një qytetar amerikan.

Disa thonë se urdhri i presidentit Trump për sulmin ajror sinjalizon se Shtetet e Bashkuara do të marrin përsipër rolin e policit të botës. Jo të gjithë janë dakord me këtë.

“Pse duhet të kundërpërgjigjemi? Nuk ishte përgjegjësia juaj të bëjmë diçka. Ne nuk jemi Siria. Ne jemi Amerika” thotë një qytetare.

Të tjerë vënë në pikëpyetje strategjinë.

“Më irriton fakti se nuk ka një plan të plotë politik” shprehet një votues.

Presidenti Trump shpjegoi vendimin e tij:

“Përpjekjet e mëparshme për të ndryshuar veprimet e Asadit kanë dështuar, ka dështuar keq” tha ai.

Analisti Benjamin Haddad i Institutit Hudson komenton:

“Pyetja kryesore tani është – a kemi të bëjmë me një sulm për të ndëshkuar Assadin për përdorimin e armëve kimike apo me një ndryshim të gjerë në politikë që mund të rezultojë në një nismë politike apo diplomatike për të ndryshuar regjimin”.

Senatori republikan Bob Corker nuk pret veprime të mëtejshme ushtarake.

“Për njerëzit që mendojnë se do të ketë luftime të mëtejshme, nuk është e vërtetë. Ne do të vlerësojmë pozitën tonë dhe do të veprojmë në përputhje me rrethanat”.

Senatori demokrat Ben Cardin, thotë se presidenti sirian Assad nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes.

“Ai duhet të trajtohet si kriminel lufte, por ne kemi nevojë për një plan nga presidenti Trump që mund të bashkojë forcat e koalicionit”.

Të tjerë fajësojnë ish-presidentin Barack Obama se e kërcënoi Assadin, por nuk veproi.

“Diçka duhej bërë” komenton një votues.

Në vend që të debatojnë nëse Shtetet e Bashkuara duhet të marrin përsipër rolin e policit të botës, disa pyesin veten se si do të ishte nëse asnjë vend nuk e merr mbi vete atë rol./VOA/

Please follow and like us: