Albspirit

Media/News/Publishing

Meta: Demokraci për shqiptarët, jo për krimin e organizuar

Ilir Meta foli sot në një takim me të rinjtë e LRI-së, ku u dallua toni kritik ndaj qeverisjes në lidhje me drogën, krimin dhe demokracinë farsë, me një fjalor që ngjan deri diku me atë liderit të opozitës, Lulzim Basha.

Teksa kujtoi se rinia shqiptare rrëzoi regjimin komunist 26 vite më parë, kryeparlamentari u shpreh i bindur se edhe rinia e sotme nuk do të lejojë që zgjedhjet e këtij viti të jenë “farsë”.

“Rinia hodhi regjimin komunist më mizor në Europë. Edhe sot të rinjtë nuk do të lejojnë të merret peng demokracia e vendit”– kulmoi Meta, duke thumbuar keqazi Ramën, i cili parashikon zgjedhje me standarte Europiane.

Lidhur me qëndrimet e liderve të dy partive më të mëdha në vend, Meta tha se nuk ka kohë për të humbur as me arrogancën e njërës palë dhe as me ultimatumet e palës tjetër.

Për Metën, politikanët mund të jenë peng e të kaluarës së tyre, por kjo nuk mund të jetë fatkeqsi për vendin e çdo politikani.

Sikurse gjashtë ditë më parë, gjatë konferencës për media pas mbledhjes së kryesisë së LSI, Meta u tregua sërish i gatshëm të “sakrifikojë” mandatet e LSI-së, në një moment që Shqipërisë i duhet stabilitet dhe një zgjidhje për krizën politike.

“Çdo politikan mund të jetë peng i të kaluarës së tij, por kjo asnjëherë nuk mund të jetë një fatkeqësi për vendin e çdo politikani. E ardhmja e vendit nuk mund të merret peng nga askush që mendon më shumë për karrigen dhe pushtetin e tij se sa për paqen dhe stabilitetin e vendit të tij dhe qytetarëve të tij. Ndaj nuk kemi asnjë minutë për të humbur  as me arrogancën e njërës palë, as për ultimatumet e palës tjetër për t’i dhënë Shqipërisë zgjedhje të pranuara nga të gjithë. Nuk na dhimbsen as karriget tona, as të Ilir Metës as të ministrave të LSI-së për t’i dhënë zgjidhje Shqipërisë e për të mos u bërë turpi i Europës në vitin 2017. Të mos pengohet nga arroganca dhe kokëfortësia që vetëm vonon Shqipërinë të jetë vend normal”- deklaroi Ilir Meta.

Kreu i LSI-së u shpreh se të gjithë kërkojnë një Shqipëri pa drogë që përfaqëson qytetarët. Ai vazhdoi edhe më tej duke thënë se nuk mund të përfaqësohet krimi i organizuar me monopolet, ekranet e kapura dhe koncesionet, pasi po ndalojnë sipërmarrjen në vend.

Edhe në këtë moment, Meta flet sërish si opozitar, ku ndër tezat kryesore që ngre janë droga, krimi, blerja peng e mediave dhe koncesionet.

Ai vazhdoi me sulme indirekte ndaj bashkëkryetarit të koalicionit qeverisës, duke thënë se Shqipëria nuk do të jetë një “one-man show”, por një shans për të gjithë.

Të gjithë ne kërkojmë një Shqipëri pa drogë që përfaqëson qytetarët dhe jo krimin e organizuar që përmes monopoleve, ekraneve të kapura dhe koncesioneve po ndalojnë sipërmarrjen në vend. Kjo është koha juaj e të rinjve dhe të rejave. Lum kush e dëgjon zërin e tyre, ne kurrë nuk mund të lejojnë që zgjedhjet e lira të bëhen kurban në këtë vend. Shqipëria nuk do të jetë një one-man shoë por një shans për të gjithë”- tha Meta.

Në kuadër të një takimi me të rinj, Meta i është kthyer edhe njërës prej reformave që kanë shkaktuar shumë polemika dhe diskutime, siç është reforma në arsim.

Shqetësimin e ngritur më parë nga deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi, se reforma në arsim nuk rezultoi e suksesshme, Ilir Meta e çoi edhe më tej. Ai premtoi se në të ardhmen LSI do të sigurojë rritjen e buxhetit për arsimin dhe krijimin e kushteve për çdo maturant që të ketë mundësinë e studimit, pavarësisht të ardhurave të ulëta ekonomike që mund të ketë në familje.

Gjithmonë jam i lumtur kur marr pjesë në takime me të rinjtë dhe kjo është gjëja që më çlodh më shumë se më krijon bindjen që puna dhe sakrificat e gjithë këtyre viteve nuk kanë shkuar dëm. Kur dëgjoj gjithë këto të rinj dhe të reja që tregojnë se Shqipëria ka të ardhme. Asnjë maturanti të talentuar nuk mund t’ia mohojmë të drejtën e studimit vetëm për faktin se familja e tij nuk ka të ardhura të mjaftueshme dhe ta detyrojmë të shkojmë në universitetet private. Ne do të reduktojmë ndjeshëm tarifat studentore për t’iu dhënë shansin studentëve dhe familjeve të tyre të përballojnë koston. Do rrisim buxhetin për arsimin”,- tha kreu i Kuvendit.

Ilir Meta premtoi se motoja e LSI-së është arsimi cilësor.

“Për ne si LSI dhe LRI deviza jonë ka qenë dhe mbetet arsim cilësor për një punësim të mirëpaguar dhe një familje të shëndetshme”.

Duke shfrytëzuar euforinë që karakterizonte Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në këtë takim me të rinjtë, Meta iu kthye sërish thirrjeve për të mos pranuar një demokraci farsë.

“Ndaj të rinj dhe të reja kjo është koha juaj, është koha e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Atyre që dinë të ndezin dhe mbajnë gjallë shpresën, e atyre që plot guxim i thonë jo arrogancës dhe arbitraritetit. Është koha e të rinjve dhe të rejave që nuk e kanë njohur diktaturën sepse kanë lindur në pluralizëm që nuk pranojnë të jetojnë në një demokraci farsë”, deklaroi Ilir Meta.

Please follow and like us: