Albspirit

Media/News/Publishing

Michael Fallon: Fajin për çdo viktimë nga sulmi me armë kimike në Siri e ka Rusia

Për Sekretarin britanik të Mbrojtjes, Sir Michael Fallon, fajin për çdo viktimë civile nga sulmi me armë kimike i javës së kaluar në Siri e ka Rusia.

Fallon, duke shkruar për “the Sunday Times”, tha se Kremlini ishte përgjegjës, pasi përfaqëson “mbështetësin kryesor” të regjimit të presidentit Bashar al-Assad. Reagimi i tij vjen pasi Sekretari i Jashtëm, Boris Johnson anuloi një vizitë në Moskë, ku do të takohej me homologun e tij.

Përgjegjësinë e sulmit të tmerrshëm vdekjeprurës, të gjithë ia kanë faturuar forcave qeveritare siriane.

Michael Fallon ka deklaruar se sulmi me gaz kimik i së martës ishte “barbar, imoral dhe i paligjshëm”, ndërkohë që përgjigjen me sulme ajrore nga presidenti amerikan Donald Trump e quajti si “reagimin e duhur”.

Duke iu referuar Rusisë, Fallon shkruan se “krimi i fundit i luftës ka ndodhur nën mbikëqyrjen e tyre”.

“Gjatë viteve të fundit, ata kanë pasur çdo mundësi për të lëvizur dhe për t’i dhënë fund kësaj lufte civile. Rusia duhet të tregojë vendosmërinë e duhur për të ulur në gjunjë këtë regjim”, shprehet ai.

Sekretari britanik i Mbrojtjes tha se Siria ka nevojë për një qeveri, ku Assadi të mos luajë asnjë rol. Megjithëse pranon se arritja e kësaj është “aspak e lehtë, por jo e pamundshme”.

“Me lëshimin e raketave ‘Tomahawk’ drejt bazës ajrore, ku u dëmtuan aeroplanë dhe pajisje të konsideruara si pjesëmarrëse në sulmin kimik të javës së fundit, kjo i ka dërguar një mesazh të fortë regjimit sirian të mendohet dy herë në të ardhmen para se të përdorë gazin nervor”, tha Sir Michael Fallon. “Edhe pse i justifikuar dhe i përshtatshëm, veprimi i SHBA-ve ishte gjithashtu i kufizuar. Tashmë kemi nevojë për një zgjidhje afatgjatë të këtij konflikti”.

Please follow and like us: