Albspirit

Media/News/Publishing

Sofizmat e Fevziut, përpjekja për faktorizimin e Blushit dhe zvetënimi i gazetarisë

Zhvillimet e fundit politike në vend kanë nxjerrë në sipërfaqe ç’është më negative në shoqërinë shqiptare të gati tre dekadave të fundit, duke nisur nga politika, duhma e së cilës mbizotëron gjithandej, e gjer te gazetaria.

Nëse flasim për politikën, duke përjashtuar militantët, mes të cilëve të paktë janë tashmë idealistët, masat e njerëzve që kanë përfituar, përfitojnë e shpresojnë të përfitojnë në të ardhmen nga pushteti, si dhe vetë rrethin e gjerë të pushtetarëve të djeshëm dhe të sotëm, në pjesën dërrmuese të popullsisëështë e pranishme palëkundshmërisht ideja se prej saj nuk ka ardhur asnjë e mirë, apo, ndryshe, të mirat mund të numërohen me gishtat e dorës.

Tej rolit si qeverisës të vendit, grupimet politike të çdo krahu janë sjellë e sillen si uzurpuese të pushtetit, që ashtu siç duan ta bëjnë të vetin atë me çdo kusht, po ashtu duan ta mbajnë atë me çdo kusht.

Një vështrim jo larg në kohë, thjeshtëzues, për të mos qëndruar gjatë këtu, na shpërfaq të njëjtën qasje malinje si në famëkeqin 21 janar, ashtu dhe në ngritjen e çadrës opozitare në mes të bulevardit këtu e prej shumë javësh. Në asnjë prej këtyre aksioneve, edhe pse argumenti nxitës ka qenë i njëmendtë, nuk ka patur një objektiv të kulluar në interes të së mirës së përgjithshme. Shkurt, gjithçka ka qenë papërballueshmëri e qenies jo në pushtet, bashkëshoqëruar me pranimin së brendshmi të paaftësisë për të ardhur në qeverisje.

Nëse famëmadhja “Rilindje” doli kallp, a beson vallë kush në “Republikën e re”? Një pjesë e atyre në çadër apo jashtë saj, por kundër pushtetit të sotëm sidoqoftë, janë të njëjtët që më 21 janar ishin në krahun tjetër, në atë të opozitës të asaj kohe.

Përpjekja më tej, për ta bindur LSI-në të lërë qeverisjen e për t’iu bashkuar lëvizjes për këtë gjoja “republikë të re”, të krijon njëpërzierje në stomak që as krahasohet me atë kur ndodh të udhëtosh me makinë a me një mjet lundrues.

Shkurt, krizat politike artificiale apo ndryshe i shërbejnë vetëm një kaste, kanë për synim uzurpimin e pushtetit, e asgjë tjetër. Kush do të verbohet, nuk e ndal askush!

Kësaj sjelljeje vrastare ndaj interesave të njerëzisë i shtohet ajo po kaq e tillë e një pjese që përfaqëson gazetarinë e këtij vendi. Në do duhet të jesh analizues i drejtë i asaj çka ngjet prej vitesh ndër ne, po qe se pranon se nuk kemi të bëjmë më me qeverisës, por me klika që e përcjellin pushtetin pa dëshirë mes tyre, atëherë do të ishte gabim i madh të mos vihej në pah dhe ekzistenca e një tufe gazetarësh, artikullshkruesish e drejtuesish emisionesh që sillen si klikë e janë vërtet klikë.

Dy klikat, politike dhe gazetareske, ndërveprojnë në heshtje apo dhe jo kështu me të njëjtin interes: për të sunduar!

Të rreshtuar në llogore të ndryshme, një dorë gazetarësh “elitarë” kontribuojnë çdo ditë për krijimin qëllimisht të perceptimeve e të opinioneve të gabuara. Veç faktit se, ashtu si politikanët e çdo ngjyre, janë tejet xhelozë për hapësirën e zotëruar nga ata, ku nuk lejojnë të depërtojë askush, veprimtaria e tyre është po kaq dëmsjellëse.

Shihni si shpërthejnë kundër njëri-tjetrit kur u preket qoftë edhe thoi. I njëjti fjalor i pistë me atë të politikanëve, të njëjtat petë lakrori të hapura, që flasin për shtënie duarsh kahmos, ndërkohë që veshja me kostume sugjeron sjellje puritane.

Mjaftojnë dy elemente si shembuj për ta përcjellë te lexuesi misionin e qëllimshëm të këtyre penave për tëdhënë një realitet të shtrembëruar.

Një editorial i Fevziut dy ditë më parë mëtonte të tregonte se mocioni ndaj qeverisë Rama ishte i gabuar në këtë moment. Çështja nuk është këtu. Ajo ku gabon Fevziu është arsyetimi i tij se një numër partish, duke filluar nga PD-ja e LSI-ja, bashkohen në pikën që vendit i duhen garanci për zgjedhjet.

Të jesh prej nisjes së pluralizmit e këtej pjesë e elitës së gazetarisë e të besosh se meraku i këtyre partive, dhe i të tjerave, janë zgjedhjet e lira, kjo është o dyfytyrësi, ose budallallëk.

Një editorial i ndërtuar i tëri mbi një sofizëm të tillëështë po aq dëmbërës sa sjellja harbute e politikës. Ushqim me kimikate!

Po cila parti qe në pushtet e bëri diç për zgjedhjet? Pse u kujtuan tani, një palë të merakoset për zgjedhjet e tjetra të lëshojë pe prej hallit?

Në të njëjtën linjë, por me një synim më të ngushtë, në editorial kërkohet patjetër përmendja e Ben Blushit si faktor në tërë këtë mesele, që me dy votat e tij në parlament mund të bëjë gjëmën.

Halli për faktorizimin e Ben Blushit është i vijueshëm për “elitën” e gazetarisë, sepse ai vetë vjen prej saj. Askush nuk di të thotë se ç’njerëz të tjerë njihen prej partisë së Blushit, ashtu si prej partisë së Ngjelës a të Kreshnik Spahiut. Në ka gjë që i bashkon këta është sharlatanizmi, nxitur nga zhgënjime në karrierën politike, e shitur si politikëbërje nga të njohur të tyre që o kanë lapsin për t’i ngritur në qiell ata, ose zotërojnë hapësirën mediatike prej nga mund t’ia paraqesin publikut.

Peshku qelbet nga koka, po këtu nuk dihet ku fillon e ku mbaron qelbja. /tesheshi.com/  

Please follow and like us: