Basha takohet në çadër me shkrimtarë e publicistë: Rezistenca për zgjedhje të lira do të vazhdojë
Shkrimtarë, publicistë e intelektualë ishin sot në një takim me kreun e opozitës, Lulzim Basha. Takimi u zhvillua te çadra e protestës përballë Kryeministrisë. Mes tyre ishin Zija Cela, Bardhyl Londo, Prec Zogaj, Agron Tufa, Rexhep Shahu, Izet Duraku etj.
Në fjalën e tij gjatë këitj takimi, Basha tha se lëvizja paqësore e 18 shkurtit dhe 52 ditëve qëndresë do të vazhdojë e tillë deri në sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të quajtura nga shkrimtarët sot, si fillimi i çdo lirie qytetare.
“Pushteti me të vërtetë duhet të burojë nga qytetarët me votë të lirë dhe të ndershme. Pushteti me të vërtetë duhet të jetë llogaridhënës dhe përgjegjës para qytetarëve jo një herë në katër vite, por katër herë në ditë. Nuk ka asnjë mekanizëm tjetër për ta garantuar këtë. Asnjë reformë tjetër nuk garanton liritë tuaja. Asnjë reformë tjetër nuk garanton stabilitetin, demokracinë dhe shtetin ligjor”, u shpreh Basha.