Nënkryetari i KQZ: Zgjedhjet pa opozitën janë farsë
Në një intervistë për Ora News, zv/kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Hysen Osmanaj thotë se data e zgjedhjeve mund të shtyhet vetëm nëse arrihet një marrëveshje, ndërsa zgjedhjet pa opozitën janë thjesht një farsë.
Osmanaj: “Çdo anëtar i KQZ-së dëshiron dhe janë të interesuar që të gjitha subjektet zgjedhore të marrin pjesë në procesin zgjedhor sepse nëse nuk marrin pjesë nuk kemi zgjedhje. Janë përcaktime ligjore të Kodit Zgjedhor që nuk na lejon që ne ta shtyjmë datën e zgjedhjes. Nuk është kompetencë e jona. Mund të realizohet vetëm përmes një konsensusi të forcave politike dhe meqë parlamenti shqiptar është ende i mbledhur dhe komisioni i reformën zgjedhore është i mbledhur, ata nëse forcat politike bien në konsensus mund të bëhet një ndryshim, vetëm për këto zgjedhje në Kodin Zgjedhor, që të shtyhet data e regjistrimit dhe mendoj se do ishte gjë e mirë nëse do të gjenin një konsensus.
Nëse opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, procesi do të paragjykohet. Për mendimin tim nuk mund të quhen zgjedhje, sepse elektorati nuk ka se çfarë të zgjedhë. Nëse do të zgjedhim mes një spektri politik do të kthehemi shumë vite prapa, para viteve 1990. Nuk është dëshirë e askujt për tu kthyer vite prapa dhe këto zgjedhje janë zgjedhje farsë, sa për të kalur radhën dhe nuk do të prodhojnë asgjë. Shpresoj që forcat politike do ta gjejnë gjuhën e përbashkët, sepse edhe në zgjedhjet e mëparshme ka pasur probleme në fillim të zgjedhjeve dhe shpresoj që edhe këtë herë do të gjehet gjuha politike”.
Osmanaj pranon se kjo situatë ka vënë në vështirësi dhe punën e anëtarëve të KQZ-së.
Osmanaj: “Nëse opozita nuk merr pjesë në këto zgjedhje ne jemi padiskutim në vështirësi”.
Osmanaj flet dhe për një periudhë zgjedhore tjetër.
Osmanaj:“Nëse forcat politike arrijnë në një konsensus për mendimin tim, më mirë të bëhen zgjedhje sesa të bëhen zgjedhje farsë. Nëse bien në konsensus parlamenti shqiptar është i mbledhur unë mendoj që edhe mund të shtyhen. Ju e dini se zgjedhjet thirren me dekret të presidenti. Presidenti i ka thirrur më datë 18 qershor. Siç e dini ne kemi dy periudha zgjedhore një 15 mars-30 qershor dhe tjetra 15 shtator- 30 nëntor. Siç janë bërë publike edhe mund të shtyhen, kur të arrihet një konsensus apo vullnet i mirë për zgjedhje sipas standardeve”.
Zoti Osmanaj u intervistua nga gazetarja Besmira Pelushaj.