Albspirit

Media/News/Publishing

Padia në Kushtetuese, Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Të dënuarit të lejohen të votojnë

Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon rikthimin e të drejtës së votës dhe mundësisë për tu zgjedhur të personave të dënuar apo atyre që preken nga ligji i dekriminalizimit.

Me një padi të depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkohet shfuqizimi i tre neneve të ligjit 138/2015 përkatësisht të pikës 4 të nenit 2, të pikës 8 të nenit 4 dhe të nenit 12.
Por çfarë parashikojnë këto nene?

Sipas pikës 4 të nenit 2, “Nuk kanë të drejtën të votojnë dhe të zgjedhin me votim të drejtpërdrejtë kandidatët për deputetë në Kuvend apo në organet e qeverisjes vendore personat që plotësojnë kushtet e parashikuara shkronjat “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni”.

Pikat a dhe b kushtëzojnë një sërë veprash penale përfshirë korrupsionin, trafikun e drogës, armëve, qenieve njerëzore etj.

Një tjetër pikë që kundërshtohet është edhe zgjatja e masës ndaluese për të zgjedhur apo për tu zgjedhur, ku sipas pikës tetë të nenit dy ajo zgjat deri në kryerjen e dënimit përkatës.

Neni 12 sipas padisë së komitetit të Helsinkit kërkohet të shfuqizohet në total, nen i cili përfshin heqjen e të drejtës së përfshirjes në listat zgjedhore të personave të dënuar si dhe njoftimin tyre në qelitë ku vuajnë dënimin.

Ankimi ndaj ligjit të dekriminalizimit në Gjykatën Kushtetuese bëhet për herë të dytë pasi pak kohë më parë ky ligj u ankimua dhe nga ish kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi. Por padia e tij nuk u shqyrtua pasi sipas gjykatës ai nuk legjitimohej për të ankimuar ligjin si antikushtetues.

Please follow and like us: