Ti me bundrat e krimit që ngjyejnë hundën me pluhurin e bardhë, unë me të mjerët
Lulzim Basha
Të dashur miq më lejoni t’ju ftoj ta nisim këtë të dielë, me një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e një oficeri trim të Policisë së Shtetit, një luftëtari të paepur kundër krimit, një mbrojtësi të sigurisë dhe jetës së njerëzve, të flakur kundër ligjit dhe pa asnjë arsye, në mes të katër rrugëve, që u ekzekutua dje barbarisht nga dora mafioze, oficerit Artan Cuku.
U prehtë në paqen e Zotit
Vëllezër dhe motra,
Zonja dhe zotërinj
Artan Cuku, shërbeu për dhjetra vite në Policinë e Shtetit, në detyra nga më të ndryshmet, ku më të rëndësishmet janë pa dyshim ato në Drejtorinë e Krimit në Tiranë dhe krye të policisë së qarkut të Vlorës.
Një nga qarqet problematike sa i përket krimit të organizuar dhe në veçanti sa i përket drogës dhe trafikut të drogës.
Qarku i Vlorës siç e dini ju të gjithë, është po kështu edhe qarku në të cilin kryekryeministri aktual është edhe kreu i listës, deputeti i parë i Partisë Socialiste. Kanë kaluar mbi 12 orë nga kjo vrasje makabre e stilit mafioz, shoqëria ka shprehur tronditjen e thellë, kolegët e oficerit të lartë të Policisë së Shtetit kanë shprehur shqetësimin e madh dhe revoltimin me faktin që një oficer i shërbeu ligjit dhe luftoi krimin u flak në rrugë pa asnjë mbrojtje nga krimi.
I vetmi që nuk ka reaguar, është shteti shqiptar.
Nuk ka reaguar Ministri i Brendshëm, nuk ka reaguar kryeministri, njëkohësisht edhe deputeti i parë i qarkut në të cilin oficeri Cuku shërbeu si drejtor.
Nuk kanë reaguar, nuk kanë gjetur kohën, nuk kanë gjetur fjalët, nuk kanë gjetur kurajon, nuk kanë gjetur dhe nuk kanë moralin të ngrenë zërin kundër dorës kriminale që goditi shërbëtorin e ligjit.
Sikundër, nuk kanë gjetur kohën të thonë një fjalë të vetme, as ata, as edhe miqtë e tyre, (që nuk lënë moment pa folur broçkulla pa fund) për 12 tonët e drogës të kapur në Përmet. Nuk flasin për drogën, nuk flasin për krimin, sepse për ta, krimi nuk ekziston, kriminelët në Parlament dhe në Bashki janë sajesa të fantazisë opozitare, ndërsa droga dhe problemi i madh i drogës është shpikje e opozitës për t’i nxirë faqen vendit.
Kjo është fabula e një njeriu që ka humbur çdo lidhje me realitetin e përditshëm të shqiptarëve dhe jeton në flluckën e tij, i rrethuar nga vizatimet e tij dhe nga milionat e korrupsionit dhe milionat e drogës dhe nga baronët e drogës, që i ka miq në zyrën e kryeministrit nga mëngjesi deri në darkë, po kështu në vilat qeveritare, e në drekat e darkat e kushtueshme, ku konsumojnë shishe vere që kushtojnë të gjitha së bashku sa ndihmat ekonomike për një qytet të mesëm në Shqipëri.
Kur pi shishe vere që bëjnë sa 10 pensione mesatare, normalisht që njerëzit që mblidhen këtu në çadër të duken mjeranë. Të duken mjeranë ata që ngrihen kundër teje, sepse të mjerë e bëre ekonominë, të mjerë e bëre shëndetësinë, të mjerë e bëre arsimin, të mjerë e bëre popullin tënd përmes papunësisë që është mbjellur kudo së bashku me depresionin social dhe psikologjik, mjerimi para së gjithash dhe mbi të gjitha, është vepra jote Edi Rama, e kriminelëve dhe oligarkëve partnerë, me të cilët vodhe dhe shkatërrove Shqipërinë.
Po sigurisht, këta janë të mjerët. Ju jeni të mjerët. Ne jemi të mjerët se të privilegjuarit janë atje, prapa fasadave, të ulur mbi kolltuqet dhe dysheqet e miliardave të eurove, që i ke vjedhur këtij populli në katër vite. Të ulur mbi sunduqet e drogës. Me drogë poshtë këmbëve, me drogë para hundës, natyrisht që populli të duket i mjerë dhe i mjerë është. Por nuk është i pashpresë. Eshtë i bashkuar. I ke bashkuar ti. Demokratë dhe socialistë në mjerimin e tyre, po kështu i ke bashkuar në vendosmërinë e tyre. Ndaj të paralajmëroj, të mos i frysh zjarrit të përçarjes dhe të hedhjes së shqiptarëve kundër shqiptarëve me parullat e tua raciste dhe etnofobe që tregojnë se sa i cekët dhe i mjerë ke qenë, dhe do të jesh, sa do i pasur të jesh bërë këto vite.
Hiq dorë nga kërcënimi ndaj opozitës dhe kauzës së shqiptarëve të bashkuar.
Luftë siç e përmende zotrote, përplasje civile për të mbrojtur karriken dhe prapanicën tënde të korruptuar, kurrë nuk do të ketë në Shqipëri.
Po e kërkon me qiri konfliktin mes shqiptarëve. Por, shqiptarët nuk kanë konflikt me njëri-tjetrin, sepse siç e the vetë, janë të mjerë, të djathtë dhe të majtë, gegë e toskë, sepse të mjerë e bëre Shqipërinë, me drogën, krimin dhe korrupsionin tënd.
Ndaj, i vetmi konflikt i papajtueshëm sot në Shqipëri, është mes shumicës dërrmuese të shqiptarëve, shumicës absolute të shqiptarëve të mjerë për shkak të qeverisjes tënde dhe qeverisjes tënde të korruptuar dhe kriminale. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë zgjidhje tjetër përveç largimit të kryeministrit dhe qeverisë së krimit dhe korrupsionit.
Shikoni se sa bukur mundohet t’i shpëtojë këtij gjykimi të drejtë të kësaj lëvizje të madhe popullore.
Ju jap KQZ-në thotë, merreni KQZ-në. Po çfarë duhet KQZ-ja, kur ti ke krimin, kur ti ke drogën, kur ti ke një polici që e ke shndërruar në një repart ushtarak të krimit, drogës dhe rilindjes së kriminalizuar.
Ti e di fare mirë që një KQZ në këto kushte është kukull, siç është kukull kjo KQZ me këtë kryetar idiot dhe të papërgjegjshëm që iu thotë shqiptarëve: tani që po vjen data e mosregjistrimit, me vullnetin e mirë unë jam gati ta shtyj edhe 19 ditë.
O Denar Biba, je kryetar i KQZ, jo Papa i Vatikanit! O idiot!
Se kështu i bie që edhe ky këtu, nesër të na e bekojë kanabisin e të thotë: Ky është rigon e jo kanabis.
Për të qeshur?! Por më shumë për të qarë se ku ka përfunduar ky vend, në duart e kujt ka përfunduar ky vend.
Një kryeministër që nuk ka guximin të dënojë krimin që godet kryepolicin e qarkut të tij, që nuk ka guxim të thotë një fjalë për 12 tonë hashash në një ditë, në një magazinë, që janë 120 milionë euro. Sepse këto ja prishin fabulën, se këtu do të ketë zgjedhje.
Si mund të kesh zgjedhje me qindra-miliona eurot e drogës. Dhe padyshim pastaj kur idiotësia dhe poshtërsia është në nivelet më të larta, ka vetinë të shumëfishohet edhe në nivelet e të tjerëve, me deklarata të tilla idiote si të këtij që thotë: Unë me vullnet të mirë do ta shtyj edhe 19 ditë.
Regjistrimi skadon nesër, opozita nuk regjistrohet për zgjedhje fasadë.
Zgjedhjet fasadë nuk ka për të pasur, zgjedhje të diktuara nga krimi nuk ka për të pasur.
Socialistët e ndershëm të rrinë rehat se jo vetëm Shqipëria por edhe Partia Socialiste do të çlirohet një herë e mirë nga zgjedha e krimit që e ka marrë peng.
Natyrisht që kjo nuk drejtohet kundra asnjë shqiptari të ndershëm, kundra asnjë shqiptari të thjeshtë, kundër të mjerëve siç i quan Edi Rama, të mjerëve që kanë 50 ditë pa bërë dush.
50 ditë mos ke për vete pa bërë dush, se kështu thonë ata që të kanë sjellë nga Parisi.
Por edhe po të ketë njerëz që këtu nuk bëjnë dot dush, sepse qëndrojnë kundër pisllëkut tënd, më mirë era dhe fryma e tyre sesa parfumi i trafikantëve me të cilët ngrysesh dhe gdhihesh çdo ditë.
Kjo ështe çështje shijesh padyshim, por është edhe çështje bindjesh. Ti ke zgjedhur të rrish me bundrat e krimit që parfumosen me erën e hashashit dhe ngjyejnë hundën e tyre me pluhurin e bardhë. Unë kam zgjedhur këtu me të mjerët e mi, me gjithë popullin shqiptar që e ke mjeruar në 4 vite por që ka vendosur të ngrihet një herë e mire, e të shporrë ty dhe kriminelët.
Ndaj minutat që po kalojnë, shpresoj sado pak të të kthjellojnë, se ne të mjerët nuk jemi as 100 miijë, as 200 mijë, por jemi plot 1 milionë përballë një çete kusarësh, përballë Edi Ramës me 40 hajdutë, kriminelë dhe oligarkë.
Përballja do të jetë fatale për krimin, por do të jetë përballje paqësore, demokratike dhe europiane.
Hiq dorë nga kërcënimet, hiq dorë nga përçarja. Mos i fryj dasisë mes shqiptarëve se ne të mjerët vijmë nga Vermoshi në Konispol, nga Korça në Durrës. Ne jemi kudo, gegë dhe toskë, muslimanë e të krishterë, demokratë e socialistë, që një gjë nuk durojmë dot, dhe këtë do ta shporrim, dhe kjo është qeveria e lidhur me krimin dhe krimi i bërë njësh me pushtetin.
Jemi në një moment të veçantë, të psikologjisë dhe mendimit që profesor Artan Peqini e shprehu fare bukur, e kam zili sepse e shprehu me fjalë të thjeshta e njerëzore.
Jemi në momentin kur të gjithë e kuptojnë që ajo që po vjen, që është nisur, dhe do të vijë shpejt, është shpresa dhe ëndrra e gjithsecilit prej nesh, që ne e quajmë Republika e Re.
Ndërsa kjo që sot është akoma realiteti që shtyp ëndrrat tuaja, shpresat tuaja, xhepat tuaja, tavolinat tuaja, është në fakt e keqja që po ikën. Ajo që kemi në shpirt dhe në mendje së shpejti do të jetë realitet.
Kjo që jetoni akoma në orët e tyre të fundit së shpejti do të jetë histori, asgjë nuk do të jetë si parë.
Gjithçka do të ndryshojë, falë kësaj lëvizje, falë kësaj qendrese, falë jush dhe gjithsecilit prej jush.
Zoti ju bekoftë ju!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!