Albspirit

Media/News/Publishing

E marta e Edi Ramës…

Enton Abilekaj 

E hëna përfundoi me rezultatin më të keq. Opozita nuk u regjistrua në KQZ duke i minimizuar mundësitë për një zgjidhje pa shkelje të Kushtetutës. Situata kaotike është në kulm ndërsa Parlamenti do të mblidhet i gjymtuar për të ngritur një komision Ad Hoc të gjymtuar. Ndërsa shqetësimi brenda dhe jashtë vendit rritet, PS dhe PD ecin me hapa të sigurtë drejt një përplasjeje, pasoja e së cilët mund të jenë fatale.

Zërat për një largim të LSI nga koalicioni me PS, duke u tërhequr nga të gjitha funksionet që nga kreytari i Parlamentit e deri tek ministrant, u përhapën në disa portale dhe rrjete sociale gjatë së hënës. Më shumë se informacion konfidencial, dukej si një testim i situatës nga palët në krizë, apo si një shpresë, që një lëvizje e beftë si një Deus ex machina, do t’i hapte rrugë njëfarësoj negociatave për të gjetur një zgjidhje çfarëdo. Deri të hënën në orën 24.00 kishte 3 variante: Qeveri teknike pa ndryshuar datën e zgjedhjeve, duke respektuar të gjithë afatet kushtetuese ishte i pari, ai që do të sh’tensiononte situatën dhe do t’u binte daulleve të fushatës elektorale. Ky variant, në mos plotësisht, pjesërisht u shkatërrua. Edhe nëse arrihet në Qeverinë teknike, do të shkelet afati kushtetues i regjistrimit të partive apo i datës së zgjedhjeve. Nuk do të ishte hera e parë që Kushtetuta do të shkelej me konsensus, por shkelja e afatit mund të shërbente si një tjetër pretekst nga PS e PD për të bllokuar.

Meta dështoi, ose nuk u përpoq ta shndërronte 10 Prillin në 21 Korrikun e dytë. Negociatat intensive të asaj dite vere, sollën një konsensus historik, por këtë herë nuk pati asnjë tentativë, vetëm deklarata dhe intervista. Ndërkombëtarët kanë reshtur përpjekjet për negociata, por nuk kanë reshtur thirrjet ndaj PD për t’ju kthyer normalitetit. Një normalitet i tronditur rëndë nga krimi dhe nga droga që vazhdon të konstatohet në sasi të frikshme, i kompromentuar nga parlamenti i boshatisur, i kërcënuar jo vetëm nga opozita, por edhe nga aleatët e PS. Një normalitet që e çon vendin në zgjedhje pa opozitën dhe pa dy aleatët kryesore të Kryeministrit, një normalitet pas të cilit fshihet një periudhë e gjatë destabiliteti dhe kaosi. Ky është variant i dytë dhe me i mundshmi në kushtet e deritanishme. Për këtë duket se nuk punon vetëm Rama, i cili e sheh si mundësi të artë për një Parlament të ri ku të dominojë i vetëm, të mos ketë nevojën e aleatëve, të realizojë ëndrrën për të kontrolluar gjithçka vetëm, si homologët e tij lindorë apo si miku i tij Erdogan.

Edhe Basha duket sikur e pëlqen këtë variant. Atij i intereson që Kryeministri t’I futet një rruge pa krye, të nisë një cikël krize të demokracisë që do ta shtynte përballjen elektorale, për të cilën ende nuk ndihet gati. Basha sapo ka nisur të formojë lidershipin e tij dhe në fund të një cikli 1 – vjeçar lufte për demokracinë, përballja do ta gjente gati, me një kauzë madhore dhe me një kundërshtar të diskretituar. Të dielën, me deklarimet ekstreme të Ramës nga zyra dhe të Bashës nga Çadra, dukej sikur të dy ishin nisur tashmë drejt kësaj aventure.

Në këtë situatë, seanca e jashtëzakonshme, e thirrur nga Kryetari i parlamentit për të respektuar aftet e krijimit të komisionit Ad Hoc për organet e reja të Drejtësisë, shihet si një mundësi për një lëvizje të beftë, që do të prishte normalitetin e frikshëm, do ta rrëzonte variantin e dytë dhe do të sillte një realitet të ri me krijimin e një krizë të maxhorancës. Kriza e maxhroancës, është mënyra që aleatët ta sjellin Ramën në realitet dhe të rikthehen negociatat brenda dhe jashtë maxhorancës, derisa të gjendet një zgjidhje.

Nëse Rama sërish do ta refuzonte zgjidhjen dhe do të kërkonte matjen e forcave me mocion mosbesimi në Parlament, atëherë situata do të çojë përsëri në zgjedhje pa zgjidhje. Seanca e orës 18 pritet si një seri kulminante e telenovelës politike. Në një vend të pamësuar me zgjidhje të qeta dhe të lexueshme, të pamësuar me normalitetin, një vendim i beftë, në vend të pasigurisë do të sillte shpresë.

Please follow and like us: