Albspirit

Media/News/Publishing

Le Pen, deklaratë kundër hebrenjve

Kandidatja nacionaliste për presidente të Francës, Marine Le Pen, është vënë në qendër të polemikave me një deklaratë për hebrenjtë. Ajo tha se francezët nuk janë përgjegjës për arrestimet në masë të hebrenjve në Paris, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë një interviste për një televizion francez, ajo tha se vendi i saj nuk është përgjegjës për arrestimet në masë të hebrenjve, në një ngjarje e ndodhur në Paris 16-17 korrik të vitit 1942, që në histori njihet si ngjarja e Vel d’Hivit.Sipas saj, përgjegjësia nuk është e popullit francez pasi në atë kohë Franca ishte nën pushtimin e nazistëve.

Sipas historianëve, ishin policët francezë ata që arrestuan brenda dy ditëve, 13 mijë hebrenj që jetonin në Paris me urdhër të administratës pushtuese naziste. Të gjithë i mbajtën në pistën e çiklizmit Vel d’Hiv. Disa prej tyre humbën jetën nga mungesa e ushqimit, ujit dhe kushteve të vështira të jetesës. Të tjerë mendohet të jenë dërguar në kapin e Aushvicit.

Për rivalin e saj kryesor në garën presidenciale, Emanuel Makron, me këtë deklaratë, Le Pen ka bërë një gabim të rëndë, që i kujton edhe një herë votuesve francezë se ajo është e bija e ultra-nacionalistit Zhan Mari Le Pen. Ai themeloi Frontin Kombëtar në 1972, me një program racist dhe anti-semit.  Zhan Mari e ka përshkruar Holokaustin si një detaj të thjeshtë të historisë.

Deklarata e Le Pen u kritikua edhe nga përfaqësuesit e komunitetit hebre në Francë

Please follow and like us: