Albspirit

Media/News/Publishing

Meidani i përgjigjet Fevziut: Jo nuk është sakrilegj t’i bëhet mocion mosbesimi Ramës

Denion Meidani

A mund të jetë një rrugëdalje neni 105?

Tensioni politik, si pa kuptuar, diku në heshtje, diku me retorikë boshe, po kap majat e padëshiruara si dikur para 10 vjetëve. Ndërkohë afatet kushtetuese të institucioneve kryesore po i afrohen fundeve të tyre të pashmangshme. Praktikisht, nga vonesat e qëllimta dhe me porosi nga lart, ka mbaruar koha për amendamente e përmirësime në Kodin Zgjedhor, kurse Reforma në Drejtësi në implementimin e saj po njeh vetëm konflikte, dështime e shtyrje, madje deri tani dhe një “restart” jo të bazuar në kushtetutë. Tavolina e dialogut po duket gjithmonë e më e pamundur brënda një pozicionimi bipolar në llogore të kundërta. Nga ana tjetër, edhe arroganca shumë vjeçare, gjithmonë e në rritje. e Rilindjes po e mban pa rrugëzgjidhje situatën e sotme. Shpresa e shumicës së popullit apo dhe e të gjitha palëve, përjashto Rilindjen dhe aty-këtu ndonjë parti terciare të pa përfaqësuar në kuvend (por që mund të llogarisë ndonjë thërrime si karem ose si gjoja opozitë!), ka qenë deri tani një arritje kompromisi në tavolinë, falë propozimeve konstruktive dhe negociatave të sinqerta për të krijuar një Qeveri të Besimit e shpresës. Kjo e fundit, edhe pse për kohë shkurtër, të paktën do të minimizonte disi zullumet e Rilindjes dhe do të kthente besimin tek zgjedhjet dhe rimëkëmbjen deri diku të proçeseve të tjera demokratizuese e zhvilluese në vend.

⁕ ⁕ ⁕

Por, tashmë, mesa duket shpresa të tilla po duken gjithmonë e më të vakëta. Duket sikur alternativa e vetme ndaj refuzimit të kryeministrit për të gjetur një zgjidhje besimi e kompromisi, me justifikimin se qeveria e tij është legjitime dhe e votuar në parlament, mbetet, thjesht, trajtimi i saj në kuvend. Në fakt, ky trajtimi mund të bëhet sipas nenit 105 (të ndryshuar me ligjin nr. 9904, dt. 21.04.2008); atyë, në dy paragrafët e parë, thuhet: “1. Një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një Kryeministër të ri. 2. Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri.”.

E thënë me fjalë të tjera, kërkohet një konfigurim i ri parlamentar i të gjitha forcave të tjera që mbi gjithçka vendosin stabilitetin e vendit dhe normalitetin qeverisës. Këtij grupi mund t’i bashkohen dhe ata deputetëve të PS-së, që para karriges personale dhe argumenteve të arrogancës rilindëse, duan të vendosin zgjidhjen në funksion të kapërcimit të situatës së rëndë të krijuar. Ky konfigurim i ri parlamentar do të duhej të kryente një “sakrilegj”, duke i bërë një mocion mosbesimi qeverisë për t’i hapur rrugën Reformës Zgjedhore, qoftë dhe tej kufijve të imponuar si standarde ndërkombëtare, vetë implementimit të Reformës në Drejtësi nëpërmjet formimit të një Qeverie Besimi, pa fanatikë, pa të inkriminuar e partizanë politikë. Ajo ta do rikthente vendin në rrugën e normalitetit dhe të qetësisë politiko-sociale qytetare. Alternativa ndaj mocionit është rrëshqitje në anarki me një palë zgjedhje tepër të kontestueshme, pa opozitën dhe partitë e tjera të qendrës së majtë si LSI e PDIU, ndërkohë që po shkon drejt fundit mandati i Presidentit, Kuvendit, Avokatit të Popullit etc por dhe i disa institucioneve të vjetra të sistemit të drejtësisë…

⁕ ⁕⁕

Pra, ky parlament, po të vazhdohet kështu, nuk do të kryente asnjë nga detyrat e tij obligatore kushtetuese, duke filluar nga zgjedhja e presidentit tek Vettingu e me radhë. Gjithçka do të mbetet e  paqartë dhe pre e arrogancës, deformimit politik në mungesë të reagimit opozitar. Akoma më keq, rezultati do të jetë ndërtimi i një lloj “demokracie” pa opozitë, i një demokracie anormale, pra e një antidemokracie që do të gjeneronte antishtetin, me një lojë parlamentare fals, bazuar në numrat e fryrë të Rilindjes, pikërisht prej procesit zgjedhor pa opozitë. Kjo, gjithmonë, me supozimin që procesi zgjedhor do të arrijë që të mbahet pa probleme në gjithë territorin; apo akoma që KQZ-ja do të funksionojë (sepse po të tërhiqen 3 anëtarët e deleguar nga opozita dhe ai i deleguar nga KQZ-ja, vendimmarrja e këtij organi mbetet e cunguar dhe e pamundur!). Por, një parlament i deformuar, pa përfaqësim të mbi gjysmës së popullsisë, edhe pse do të kishte jetë të shkurtër, do të krijonte deformim mbas deformimi në fabrikën e shtetit, duke ushqyer deri në detaje inkriminimin, kanabizimin dhe korruptimin e mëtejshëm dhe fatal të çdo qelize shtetërore, deri në skajin më të largët të tij. Kjo do të përkthehej më tej në tension social e politik e përplasje masive të pashmangshme. Pra, barra e mocionit sot duket sikur është jo vetëm përgjegjshmëri qytetare, shtetformuese por e vetmja shpresë dhe e vetmja rrugë për të shmangur konfliktin e nesërm.

⁕⁕⁕

 “Sakrilegji” tjetër i shprehur i Rilindjes së sotme është ai i mos shtyrjes me asnjë kusht i datës së zgjedhjeve por dhe ky pozicionim i prerë (madje arrogant!) është një pretendim që tejkalohet, sepse ka plot mundësi për zgjidhje të pranueshme. Aq më tepër që dhe vetë afatet kushtetuese janë logjike brenda një fleksibiliteti ligjor, jo të palëvizshme nga ana numerike-matematike. Varianti më i thjeshtë është që bashkë me amendamentet e miratuara me konsensus të Kodi Zgjedhor për votim e numërim elektronik, për ndarje të hartës elektorale në 1 apo 5 zona gati të barabarta për nga numri i votuesve në funksion të korrigjimit kombëtar apo dhe propozimit shumë demokratik për lista të hapura, do të duhet të ndryshohet dhe fasha zgjedhore e zhvillimit të zgjedhjeve, për të mundësuar zhvillimin e zgjedhjeve në fund të korrikut ose në fillim të gushtit. Kjo dhe për t’i garantuar Qeverisë së Besimit 100 ditshin e kërkuar nga opozita për organizimin e një procesi normal zgjedhor. Në të kundërt, mund të mendohet për amendamente kushtetuese të përkohshme, si ato që u eksperimentuan me Reformën në Drejtësi, për ta shtyrë procesin zgjedhor deri në fillim të shtatorit (gjë që prek disi vetë mandatin e Kuvendit aktual). Kjo shtyrje e procesit zgjedhor dhe përvijimet e reja demokratike brenda forcave parlamentare mundësojnë dhe një proces normal të zgjedhjes së Presidentit, mbi të gjitha për të garantuar dhe një President mbi palët, siç kërkonte dikur pa u prekur e katranosur ligji themeltar dhe koncepti i tij i nënkuptuar i shtet-formimit të ri Shqipëtar.

Pra zgjidhje demokratike e ligjore ka! Mbetet të shpresojmë sa nuk është vonë tek zgjedhjet e mençura të palëve vërtet akoma të interesuara në të mirën e këtij vendi dhe rrugëtimit të tij europian.

Please follow and like us: