Albspirit

Media/News/Publishing

Sot seanca e jashtëzakonshme e vetingut

Në një seancë të jashtëzakonshme parlamenti pritet të mblidhet pasditen e sotme për të votuar ngritjen e komisioneve ad – hoc, që do të verifikojnë kandidatët për institucionet e Vettingut.

Kushtetuta përcakton që përbërja e këtij komisioni është e barbartë, ku tre anëtarë i takojmë maxhorancës dhe tre të tjerë opozitës.

Socialistët kanë përzgjedhur se kush do të jenë dy deputetët që do të zënë karriget në këtë komision, duke bërë publik emrin e Vasilika Hysit dhe atë të Ulsi Manjës, ndërsa anëtari i tretë i është lënë aleatit në qeverisje, LSI-së, e cila do përfaqësohet nga Luan Rama.

Mazhoranca mund të votojë sot vetëm anëtarët e saj dhe të lerë bosh vendet që i takojnë opozitës.

Opozita prej 53 ditësh ka bojkotuar Kuvendin dhe nuk do të jetë pjesë e votimit të mbrëmjes. Kryeministri Edi Rama, duke komentuar mbi seancën, u shpreh në një postim në rrjetet sociale mungesa e opozitës mund të jetë vetëm një bllokim i përkohshëm i këtij procesi.

“Sot në Kuvend nis rruga e Vetting -ut! Mund ta bllokojnë përkohësisht, po kurrësesi s’do ta pengojnë dot popullin të heqë qafe pengmarrësit e drejtësisë. Vetting -u për Shqipërinë që duam. Vetting -u Për Shtet. Vettingu për punë.”

Komisioni ad – hoc do të duhet të përzgjedhë 27 anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Apelimit dhe nga dy Komisionerë publikë dhe zëvendësat e tyre.

Avokati i Popullit ka dërguar në parlament 84 kandidatura, ndërsa Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dha vlerësim pozitiv për 67 prej tyre./tv Klan

Please follow and like us: