Herion Mustafaraj flet për divorcin pas 13 vitesh martesë dhe dashurinë e re
Aktori Herion Mustafaraj prej disa kohësh është rikthyer në ekranet shqiptare. Në një intervistë me Rudinën në TV Klan, ai ka folur për karrierën dhe jetën private. Herioni është babai i një vajze adoleshente, për të cilën thotë se është kujdesur për të mbështetur pasionet e saj.
Lidhur me jetën private, ai shprehet se pavarësisht sfidave, njeriu duhet të ecë përpara.
“Jam shumë i dashuruar. Në rradhë të parë me veten. Një miku im më ka thënë që, njeriu duhet të dojë veten më shumë. Dhe aty e kuptoj që dashuria fillon nga ne. Unë kam shumë dashuri brenda vetes, kam një njeri që e dua, por unë kam kaluar në një marrëdhënie 13-vjeçare martese dhe si të thuash, në veten time po gjej mundësi që të rikuperoj diçka, që nuk vajti ashtu siç e kisha menduar unë. Por mbase njëkohësisht, edhe prindërit e mi patën një histori të tillë dhe atyre nuk u vajti siç e kishin menduar.
Por, njeriu mbi të gjitha duhet të kërkojë dhe të gjejë diçka të vërtetë dhe të mos jepet kurrë edhe sikur gjërat të mos shkojnë mirë. Rëndësi ka që ne, edhe pasi ndodhin gjërat të duam njëri-tjetrin, sepse vërtet ajo gjë që na lidhi është aty, pavarësisht se ne mund të mos e shohim më si aq të rëndësishme në moment.
Mbi të gjitha njeriu ka një frut, një lule, që është fëmija dhe ajo gjë na bashkon edhe ne të dy si çift. Nëse duam që ajo lule të rritet e bukur duhet të ruajmë dashuri për njëri-tjetrin. Pastaj të tjerat janë gjëra private shumë, që njeriu eksperimenton dhe nuk mund t’i bëjmë absolute. E rëndësishme është të jetosh dhe të dashurosh”, thekson aktori.