Albspirit

Media/News/Publishing

Kodheli: Ne shkojmë në zgjedhje në 18 Qershor, detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ishte ditën e sotme në Peqin, ku ka folur për situatën më të fundit politike në vend.

Kodheli ka bërë edhe një herë të ditur vendimin e PS-së, se kjo forca politike do të shkojë në zgjedhje në 18 qershor, pavarësisht nëse forcat e tjera politike nuk futen.

“Nëse dikush do të mbante ditar, sot do ta quante një ditë e cila do të linte gjurmë ne secilin prej nesh, për shkak të nxehtësisë politike që mjedisi shqiptar i ofron sot çdo qytetari dhe padyshim politikës shqiptare.

Ne si politikë dhe si qeverisje ja kemi borxh qytetarëve shqiptarë zgjedhjet një herë në 4 vjet, të lira, të ndershme, të drejta, të pamanipuluara dhe të patransformuara. Kjo është detyra nr.1 e çdo politikani dhe çdo qeverie. Prandaj ne, në 18 qershor do të shkojmë ballëlartë në zgjedhjet parlamentare për të bërë më të mirën të gjithë bashkë për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.

Do ta bëjmë këtë me besimin se kemi marrë një mandat 4-vjeçar për ta drejtuar këtë vend, po atë mandat i cili finalizohet me zhvillimin e zgjedhjeve të drejta, demokratike e të ndershme. Të tilla zgjedhjet nuk i bën një forcë politike, por institucionet përkatëse, i bën Kushtetuta e shkruar në mënyrë të drejte, i bën gjithkush që në jetën tonë politike e sociale është aktor dhe faktor”, deklaroi Kodheli.

Duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve, Kodheli tha se nga Reforma në Drejtësi nuk trembet askush që është i pastër.

“Kërkoj mbështetjen tuaj, të jemi të njëzëshëm kur na kërkohet drejtësi, transparencë dhe të jemi të njëzëshëm kur na kërkohet të zbatojmë librin e shenjtë, Kushtetutën.

Nëse nuk vendosim kështu do ta kemi shumë të vështirë dhe me pikëpyetje të mëdha rrugën drejt Evropës. Për Ministrinë e Mbrojtjes apo çdo njeri që punon aty Vettingu është gjëja e parë me të cilën përballen që në momentin që hyjnë në këtë institucion. Sepse Vettingu është i domosdoshëm që ti të mund të punosh brenda këtij institucioni për shkak të natyrës së institucionit. Ndaj shpesh na vjen për të qeshur kur njerëzit tremben nga Vettingu. Tremben ata që kanë diçka për të fshehur, diçka për të mos treguar, tremben ata që kanë bërë padrejtësi në këtë vend, ata që këtë vend e kanë përdorur dhe e kanë parë si mjetin e tyre për të përfituar nga pushteti që njerëzit me votë i kane dhënë.

Nga Vettingu nuk trembet askush që është i pastër dhe kërkon drejtësi e transparencë, nuk trembet askush që kërkon një të ardhme më të mirë.

Le ta bëjmë Shqipërinë më të mirë duke shkuar në 18 qershor dhe duke votuar sipas çdo bindje tonën politike dhe sipas bindjes për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë dhe një të ardhme të padiskutueshme drejt BE”, deklaroi Kodheli.

Please follow and like us: