Kur Hafiz Ali Korça mbronte shkollat shqipe nga andartët grekë
Mark Brunga
Javë më parë, Presidenti Nishani dekoroi me titullin “Nderi i Kombit” një ndër figurat më të shquara klerikale në historinë e Shqipërisë, Hafiz Ali Korçën.
Ky titull iu dorëzua nipit të tij me banim në Durrës, që trashëgon dhe emrin, Ali Korça. Dhënia e këtij titulli ishte një vlerësim i madh pasi gjyshi ka qenë një figurë komplekse në historinë tonë kombëtare”, thotë Ali Korça junior.
Në shtëpinë e pasardhësve të tij ka një serial veprash të ndryshme, mes të cilave shquhet dhe një seri botimesh në 12 vëllime. Po ashtu ndodhet dhe një poezi e rrallë në dorëshkrim me nota humori si dhe një fjalim i mbajtur në varrimin e Dervish Himës, nje figurë tjetër e shquar e periudhës post-Pavarësisë, ku dhe u shqua veprmtaria patrotike e hafizit të njohur.
Ka dhe foto me shumicë, ku mes tyre shquhet ajo që i përket vitit 1901 (foto kryesore lart). Aty është një çetë luftëtarësh të krahinës së Devollit. Mes tyre ndodhet Hafiz Ali Korça, ku në njërën dorë mban të shkruar devizën e patriotëve luftëtarë: “Shqipëri a Vdekje”. Fotoja në pjesën fundore të saj ka dhe nje shënim: “Fidainjtë e parësisë së Devollit, ndënë kryesinë e Hafiz Ali Korçës”.
Nipi i tij, Aliu, thotë se kjo çetë ka vepruar kryesisht në zonën e Korçës, Devollit, Vithkuqit, Bitinckës, për mbrojtjen e shkollave të fshehta shqipe të asaj periudhe, pasi ato sulmoheshin herëpashere nga çetat e andartëve grekë. Atëherë ata qenë detyruar që për të mbrojtur mësuesit e nxënësit, të ngrinin me burra të armatosur çeta luftëtarësh të betuar.
Përveç se luftëtar, Hafiz Ali Korca ka qenë ndër mësuesit e parë të mësonjëtores së parë shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e mësonjëtores së parë shqipe të Korçës. Edhe nje foto e asaj periudhe tregon hafizin mes personelit të shkollës së parë shqipe.
Pra, nga pushka kaloi tek pena, si për të plotësuar kredon atdhetare “Me pushkë e penë për mëmëdhenë”
Kujtojmë se pas shpalljes së Pavarësisë atij iu ngarkuan detyra të rëndësishme, si këshilltar i Ministrisë së Arsimit, Drejtor i Përgjithshëm i po kësaj Ministrie, Shef i Fetva-minit pranë Këshillit të Lartë të Sheriatit në Shqipëri, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës etj.
Po ashtu, Hafiz Ali Korça renditet ndër hoxhallarët e përndjekur në disa periudha e nga disa grupime ideologjike, ku veçohet komunizmi, i cili nuk ia harroi për asnjë çast veprën diskretituese “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”. Vitet e fundit të jetës ai i kaloi në internim ne Kavajë, qytet që në atë periudhë ishte pjesë e integruar e rrethit të Durrësit. Aty, siç tregon nipi i tij, në atë qytet, ai u mbajti dhe u respektua si askush tjetër. Kur vdiq, sipas nipit, ai u varros te varret e vjetra te Kavajës dhe kur ato u shpërngulën, vetëm varri i Hafiz Ali Korçës nuk u prek.