Albspirit

Media/News/Publishing

Kur Rama ua bën socialistëve më keq se Berisha

Arben Rrozhani

Sadrit Danaj, dje pasdite, nuk kishte asnjë keqardhje për shkarkimin nga posti i kryetarit të Këshillit të Qarkut të Vlorës. E priste hakmarrjen, të paktën prej nëntorit 2016, kur doli në krah të ish-deputetit Koço Kokëdhima, në takimin e Sarandës më 19 nëntor, nga ku do të merrnin udhë dhjetëra takimet e lëvizjes Zgjidhja, ku tashmë Sadriti është drejtues për Jugun.

E vetmja gjë që e vret Sadritin është mënyra se si po trajton PS-ja mendimin ndryshe në parti, duke përdorur metoda që as Berisha në kohën e tij nuk bëri ndaj zyrtarëve vendor të PS-së, apo të punësuarve në administratën shtetërore. Pas disa muajsh presionesh psikologjike, sulmesh verbale me anë emisarësh dhe të dërguarish nga qendra, dje në Vlorë mungonte vetëm fizikisht vetëm Edi Rama që të plotësonte lidershipin e PS-së që kishte zbarkuar në qytetin bregdetar për të hequr qafe “armikun” Danaj, përmes presioneve të fshehta dhe të hapura, urdhrave për të votuar me votë të identifikueshme, një turp që as këshilltarët e LSI-së nuk pranuan të bëheshin pjesë duke mos marrë pjesë në votim. Por Edi Rama ishte në krye të këtij zhvillimi të turpshëm për Partinë Socialiste, duke urdhëruar linçimin politik të një funksionari shtetëror që mendon ndryshe prej tij, duke blerë këshilltarë të PBDNJ-së që është prej kohësh me opozitën dhe duke bërë presione të hapura ndaj atyre që do të guxonin të mos votonin në rresht. Dhe ky është kryeministri që do të jetë nesër garanti për votën e lirë dhe të ndershme të shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare!!!

Sadrit Danaj do të vijonte të ishte kryetar deri në fund të mandatit, nëse nuk do të ishte pjesë e lëvizjes “Zgjidhja”. Ai u shkarkua dje ashtu siç ndodhi me më 23 dhjetor 2016 me drejtuesin e lëvizjes “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, kur Asambleja Kombëtare e PS-së, me urdhër të Ramës, jashtë rendit të ditës, pa asnjë motiv, pa asnjë statut mbi të cilin mbështetej vendimi, vendosi përjashtimin nga asambleja, pas shkarkimit si sekretar për Reformën Strukturore dhe Emigracionin. Po me urdhër të lidershipit të PS-së, drejtuesit larguan nga puna pa asnjë motiv veprimtarë dhe simpatizantë të lëvizjes “Zgjidhja”. “Rastësisht” ata kishin qenë pjesë e ekipit që i dha PS-së dy fitore spektakolare në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 dhe në zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015. Kishin qenë bashkë në muajt e lodhshëm për të tre-katërfishuar anëtarësinë e PS-së në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër, sipas projektit të nisur nga selia rozë për të reformuar PS-në.

Në fjalimet e tij, kur merr në mbrojtje të shkarkuarit nga PS-ja dhe të shantazhuarit me bukën e gojës për të mos u bërë pjesë e lëvizjes “Zgjidhja”, Kokëdhima përmend shpeshherë se metoda të tilla nuk janë të PS-së por të Saliut dhe të partisë që ai udhëhoqi, duke nëpërkëmbur anëtarët dhe simpatizantët e PS-së.

Në qarkun fqinj të Vlorës, në Fier, një histori e tillë ndodhi jo më larg se 6 vite më parë dhe PS-ja e provoi mbi kurriz se çfarë do të thoshte të të merrnin zvarrë nga posti, të të zëvendësonin me një kandidaturë që nuk kishte votat e këshilltarëve dhe procesi të futej në labirintet e gjykatave. Shkarkimi i Vangjel Ndrekos së PS-së nga kryetar i Këshillit të Qarkut Fier, edhe pse e majta ishte një shumicë e dalë pas zgjedhjeve të 8 majit 2011, u bë një çështje ndërkombëtare, sepse çështja e Fierit u bë kushti i PS-së për të votuar ligjet në parlament për rrugën drejt afrimit të vendit me BE-në. Për të mos ia kthyer postin e kryetarit përfaqësuesit të të majtës, një shtet i tërë u vu në shërbim të mbrojtjes së kandidatit të sajuar për kryetar, duke blinduar me policë dhe deputetë të PD-së, institucionet e Këshillit të Qarkut të Fierit.

Njësoj ishte dje situata në Fier, por tashmë në vend të Berishës socialistët i merrte zvarrë dhe përndiqte politikisht Edi Rama. Ministri Damian Gjiknuri, deputetë të PS-së, zyrtarë të komanduar të PS-së vendore ishin prej dy ditësh në Vlorë për të përgatitur puçin institucional në Këshillin e Qarkut të Vlorës. Truproja i Gjiknurit dhe policët bashkiakë u thirrën që të kapnin forcërisht Sadrit Danajn, edhe pse ai e pranoi se donte të votohej nga partia që i kishte dhënë mandatin si kryetar, por që nuk mund të pranonte kurrsesi që të vidheshin votat dhe ato të bëheshin me presion psikologjik dhe me vendin e punës.

Në fillim të marsit, gjatë një konference shtypi me gazetarët, i pyetur për ndikimin që kanë pasur presionet ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të lëvizjes ZGJIDHJA, Kokëdhima do të përgjigjej: “Presionet, shantazhet, qasjet donkishoteske për të luftuar idetë dhe platformën e Zgjidhjes në fakt e kanë çuar në përçarje Partinë Socialiste në Vlorë. Dhe të gjitha përgjegjësitë e kësaj përçarjeje i ka lidershipi. I kanë ata që drejtojnë këtu. Dhe me këto përçarje e kanë dëmtuar thelbësisht Partinë Socialiste”.

Rezultati i marrjes zvarrë të socialistëve nga lidershipi që ka marrë sot peng PS-në, nuk do të vonojë të duket, dhe jo vetëm në Vlorë. Atë nuk do të mund ta mbrojë as ministri Gjiknuri, as truproja e tij dhe as drejtuesit e lartë të PS-së në Tiranë që dita-ditës po shpejtojnë drejt rrugës së daljes së socialistëve në opozitë.

Please follow and like us: