Lavrov: SHBA të mos përsërisë më sulmet në Siri
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Rusia e konsideron të një rëndësie kyçe shmangien dhe përsëritjen e sulmeve mbi Sirinë nga ana e SHBA.
Gjatë takimit që po zhvillon me sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson në Moskë, Lavrov tha se pret diskutime të sinqerta e të hapura me Tillersonin mbi krijimin e një koalicioni kundër terrorizmit.
Të njëjtën linjë për të forcuar bashkëpunimin midis dy vendeve ka mbajtur edhe sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ku tha se linjat e komunikimit të Uashingtonit me Moskën do të mbeten gjithmonë të hapura.
Më tej Tillerson tha:“Takimi ynë vjen në një moment kyç të marrëdhënieve mes dy vendeve. Në këtë mënyrë, ne kemi mundësinë t’i qartësojmë më tej objektivat e përbashkëta, apo zonat e interesit dypalësh edhe atëherë kur qasjet tona taktike mund të jenë të ndryshme”.
Situata mes Moskës dhe Uashingtonit u tensionua disi kohët e fundit pasi Shtëpia e Bardhë e akuzoi Rusinë si aleate të presidentit sirian Bashar al-Assad.